Plani i 'Qeverisë Kurti', mision i (pa) mundur!

Opinione

Plani i 'Qeverisë Kurti', mision i (pa) mundur!

Nga: Florim Zeqa Më: 12 maj 2021 Në ora: 10:23
Florim Zeqa

Plani i qeverisë 'Kurti 2'  është "copy-paste" dhe nuk dallon shumë nga programet që i kanë pasur qeveritë paraprake për trajtimin e problemeve politike, ekonomike, shoqërore (sociale), e deri tek ato të politikës së jashtme dhe dialogut me Serbinë. Plani i qeverisë 'Kurti 2' më tepër është një kusht formal ligjor sesa një plan konkret qeverisës, pa afate kohore për përbushjen e premtimeve dhe zotimeve publike para qytetarëve!

Përafrimi me BE-në apo largimi me SHBA-të

"Marrëveshja Përfundimtare me Serbinë", e renditur si e para në mesin e 20 pikave të planit qeverisës, e tregon se edhe Albin Kurti, sikurse pararëndësit e tij, pjesën më të madhe të kohës gjatë qeverisjes së tij do t'ia kushtojë dialogut me Serbinë, por dallimi do të jetë në atë, se më shumë kohë do ta kalojë në kancelaritë e Brukselit, e më pak në ato të Washingtonit!

Përafrimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me zyrtarët e BE-së, gjegjësisht me përfaqësuesit e shteteve mosnjohëse të Kosovës, çekun Lajçak dhe spanjollin Borrell dhe largimi nga administrata amerikane është tepër shqetësuese për të ardhmen e vendit tonë!

Caktimi i një ekipe të zgjeruar ekspertësh politikë, pjesëmarrës në dialog me Serbinë në të kaluarën e largët dhe të afërt, siq janë; Muhamet Mustafa, Leon Malazogu, Bernard Nikaj, Veton Surroi, Robert Muharremi dhe Blerim Shala,..etj, e dëshmon frikën dhe pasigurinë e Albin Kurtit në dialog me Serbinë, e cila pos tjerash e ka për qëllim shpërndarjen e përgjegjësisë në rast të dështimit (të paralajmëruar).

Përfaqësuesve të shtetit tonë në dialogun e Brukselit, gjegjësisht Albin Kurtit dhe ekspertëve të tij u mbetët që të kërkojnë nga Serbia dëmshpërblimet e  luftës, kthimin e të pagjeturve, kthimin e librave kadastral, artefakteve dhe pasurive tjera të grabitura gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me këtë rast dëshirojë t'i rikujtoj kryeministrit Albin Kurti dhe "ekspertëve" të tij, se lista e kërkesave ndaj Serbisë duhet të jetë e gjatë dhe e përpiluar mirë.

Të kërkojë kthimin e pensioneve dhe pagave të papaguara të punëtorëve në sipërmarrjet publike dhe shtetërore gjatë viteve të '90-ta.

Qytetarëve të Kosovës përveq pasurive të grabitura nëpër shtëpitë e tyre, u janë grabitur edhe paratë e deponuara në bankat e atëhershme të Kosovës.

Dihet mirëfilli se qytetarët e Kosovës i kanë pasur të deponuara në banka kursimet e tyre në valutë shtetërore-Dinarë dhe valuta të huaja, si; Dollarë, D.M., Franga zviceran,...etj, nëpër bankat e asaj kohe: "Jugobanka", "Bankos", "Lublanska Banka",...etj.

Të gjitha këto kërkesa janë legjitime dhe të drejta, prandaj duhet t'i kërkohen Serbisë në dialogun e Brukselit dhe të mbikëqyren në implementimin e tyre secila veç e veç nga BE-ja dhe SHBA-të si palë ndërmjetësuese.

Personaliteti i dyfishtë i Albin Kurtit

Nëse iu referohemi deklarimeve të mëhershme të Albin Kurtit rreth dialogut me Serbinë dhe deklarimeve të ditëve të sotme, kemi të bëjmë me personalitet të dyfishtë, i cili nga reciprociteti dhe dialogu me kushte ka rrëshqitur në një personalitet që nuk i intereson reciprociteti dhe nuk i vë kushte Serbisë, e aq më pak Brukselit zyrtarë.

Sikur të ishte i njëjti Albin që njohin qytetarët e Kosovës, atëherë kryeministri ynë do duhej që para dialogut me Serbinë, kësaj të fundit t'i kërkojë njohjen reciproke, ndërsa zyrtarëve të Brukselit t'u kërkojë liberalizimin e menjëhershëm të vizave për qytetarët e getoizuar të Kosovës.

Jo vetëm që nuk po ndodhë kjo, po ndodhë shpërblimi i serbëve të veriut nga Albin Kurti, për të cilët u tregua dorëlirë me ndarjen e 11 milionëve nga buxheti i shtetit për rrymën e papaguar, i cili paraprakishtë kësaj, i ndëshkoj pensionistët dhe skemat sociale me heqjen e 20 eurove nga xhepi i tyre me arsyetimin se nuk ka mjete në buxhetin e shtetit për pagesat e tyre!

Albin Kurti që më aq lehtësi po e hapë arkën e shtetit për serbët në veri, nuk po mund e hapë për pagesat shtesë të punonjësve shëndetësorë dhe policëve në kohë pandemie, të cilët po e sakrifikojnë jetën e tyre për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës!

Padia kundër Serbisë, fontanë dëshirash apo realitet!?

Premtimet dhe deklarimet e  Albin Kurtit për padinë kundër Serbisë, më shumë janë populliste sesa realiste, shkaku i (pa) mundësisë së Kosovës që ta padisë Serbinë për gjenocid pa qenë anëtare e OKB-së!

Deklarata e Albin Kurtit se “çështja e padisë për gjenocid ndaj Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës”, më tepër tingëllon si fontanë dëshirash sesa një mundësi reale!

Për t'u bindur në këtë që themë, mjafton të lexoni deklaratën e mëposhtme të Kurtit, po citoj; “Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”

Nisma e 'Qeverisë Kurti2" për ta paditur Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), pa qenë Kosova anëtare e OKB-së, në aspektin formalo-juridik jo vetëm pse duket e pamundur, është edhe me rreziqe të shumta për Kosovën.

Çdo veprim i njëanshëm i Kosovës në këtë drejtim pa koordinim me partnerët ndërkombëtar, mund të prodhojë kundërefekte negative të cilat mund ta vënë Kosovën në një situatë të pavolitshme politike, për shkak se ekzistenca dhe shtetndërtimi i Kosovës është i varur nga mbështetja dhe ndihma e partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti nga sposorizuesi kryesor i lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë-SHBA-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat