Jo vetëm Albini, por edhe Vjosa dhe Rambo duhet “t'i kërkojnë falje” Baton Haxhiut!

Opinione

Jo vetëm Albini, por edhe Vjosa dhe Rambo duhet “t'i kërkojnë falje” Baton Haxhiut!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 14 maj 2021 Në ora: 12:32
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Baton Haxhiu thotë se Albin Kurti duhet të kërkojë falje për opozitarizmin e tij 10 vjeçar. Dhe kërkim -faljen e lidh me faktin pse ai është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Serbinë, mbasi në opozitë ishte kundër bisedimeve. D.m.th dëshira e Batonit është që qeveria e Albin Kurtit të refuzojë dialogun, njësoj sikur ishte në opozitë. Dëshira e Baton Haxhiut është që duke refuzuar dialogun, Albin Kurti të hasë në kundërshtitë e ndërkombëtarëve dhe të izolohet. Kjo do të thotë se në kuintesencë loja e Batonit lidhet me izolimin e Kosovës, një strategji dhe taktikë e përhershme e Serbisë kjo, e cila nuk dëmton Albinin, por shtetësinë e saj.

Kërkim-falja e Baton Haxhiut ndaj Albin Kurtit lidhet në fakt me kundërshtitë e kryeministrit, presidentes dhe kreut të AAK-së, ish-kryeministër për projektin serb të Hashimit, Ramës e Batonit për ndarjen e Kosovës. Ndaj dhe kjo "kërkim-falje" nuk kufizohet thjesht me zotin Kurti. Synimi dhe interesi i koordinatorit të katër kryeqyteteve - Moskës-Beogradit-Prishtinës dhe Tiranës është që ta fusë Albinin nën sqetullat e Edi Ramës. Nëse kryeministri I Kosovës kërkon falje, sipas dëshirës dhe kërkesës së Batos, atëherë ai I ka kërkuar falje në radhë të parë Hashimit, Vuçiçit dhe Edi Ramës!

Pra, Albini, Vjosa dhe Ramushi në Prishtinë, si dhe Meta, Berisha e Basha në Tiranë duhet "t'i kërkojnë falje" Baton Haxhiut, me qëllim që të pajtohen me Hashimin, Ramën dhe Aleksandër Vuçiç për ndarjen e Kosovës përmes të ashtuquajturës "shkëmbim të territoreve"! Ky mesazh në gojën e këshilltarit multilateral vjen nga treshja e involvuar në ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Nëse Albin Kurti dhe të tjerët "kërkojnë falje", atëherë ata duhet të ndërpresin projektin e dokumentimit dhe denoncimit në gjykatë ndërkombëtare të krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë. Ky është poezmi më i madh i Batonit dhe shefave të tij. Madje edhe i Skënder Hysenit e disa të tjerëve. Ndryshe nuk ka sesi të mos shënohet në historinë e vendit si njollë e zezë kërkesa pro-serbe e zotit Haxhiu për "faljen e krimeve të serbëve në Kosovë e të "shqiptarëve kundër serbëve"! Vetëm një megaloman i paskrupullt mund ta bënte një deklaratë si kjo, deklaratë që barazon krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë me ndonjë hakmarrje sporadike dhe të pakontrolluar të ndonjë shqiptari në depresion kundër ndonjë pjesqtari të komunitetit serb.

Ajo deklaratë do ta ndjekë Baton Haxhiun si hije gjithë jetën e vet, do t'i shndërrohet në makth në mesnatë e do ta lejë atë pa gjumë! Sepse me atë deklaratë ai u dekonspirua plotësisht si lojtar i Beogradit në diversionin serb kundër Kosovës. Edhe po të ishin gjallë Rrahman Morina dhe Ali Shukriu nuk do ta bënin një deklaratë të tillë në kushtet kur Serbia nuk do të ishte prezent në Kosovë! Por ja që merr guximin dhe një gjë të tillë e bën miku dhe këshilltari i Edi Ramës, Hashim Thaçit, Aleksandër Vuçiç dhe ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov! Pra e bën bashkëpunëtori i ish-shefit të sigurimit serb në Kosovë, dora vetë, Baton Haxhiu!

Në fund të fundit idealistët kërkojnë gjithnjë ndjesë. Nuk kërkojnë ndjesë asnjëherë kriminelët e tradhtarët! Ndoshta kjo logjikë e bën me shpresë zotin Haxhiu se një ditë idealistë si Albini a Vjosa do të japin dorën e pajtimit e ai mund t'ia hedhë e të "lahet" nga përpjekjet e tij të gjithanshme për të mohuar krimet serbe në Kosovë dhe për ta zvogëluar hartën politike të saj. Ndryshe ai do t'i kërkonte së paku njëherë të vetme presidentit serb që të kërkonte falje për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Se në Kosovë kishte gjenocid serb e pranon edhe ish-koordinatori i bisedimeve midis Kosovës e Serbisë, Skënder Hyseni. Por ky po ia zë me të madhe Vjosa Osmanit, pse ka deklaruar se ajo së bashku me kryeministrin dhe kreun e parlamentit janë në koordinim për akt-padinë kundër Serbisë. Madje e quante këtë përpjekje si një lloj "adoleshence" në politikë!

Interesant! Sa bukur njësohen pikëpamjet dhe adresimet anti-shqiptare midis dy personazheve të kompromentuara dhe të korruptuara në projektet serbe të ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve. Sa shumë ngjajnë deklarimet e tyre! Ata koordinohen mrekullisht midis tyre. Dhe ky është një model se si patriotët shqiptarë duhet të koordinohen po aq mirë me njëri-tjetrin, me qëllim që të përballohet ky front në linjën Moskë-Beograd-Prishtinë-Tiranë kundër shqiptarëve në Ballkan.

Për mua nuk ka asnjë dyshim se sa herë marrin guximin e flasin tipa të tillë si Baton Haxhiu, Skënder Hyseni dhe protagonistë të tjerë si këta të planeve anti-shqiptare, ata bëjnë shërbimin e radhës ndaj armiqve të kombit tonë. Këta edhe më tej do të flasin. Edhe sikur të mos marrin porosi për tezat dhe idetë që shprehin, ata do të përpiqen që ta justifikojnë tradhtinë e tyre në mbështetje të aksionit serb të ndryshimit të kufijve për krijimin e Serbisë së Madhe. Askush të mos mendojë se do të ndodhë e kundërta.

Ndërkaq Albin Kurti, Vjosa Osmani, madje dhe Ramush Haradinaj dhe të tjerë protagonistë të ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës e kanë për detyrë që t'i izolojnë këta tipa. Pse jo, të iniciojnë gjithashtu hetimin e veprimtarisë së tyre kriminale në shkelje të ligjit dhe kushtetutës për tjetërsimin e territorit të vendit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat