Si u njoha me Ukshin Hotin

Opinione

Si u njoha me Ukshin Hotin

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 16 maj 2021 Në ora: 08:18
Ukshin Hoti

Anti kombëtare, anti njerëzore, tradhti dhe turp kombëtar e njerëzor, është sjellja e udhëheqësve të derisotëm në  Kosovë, të cilët në 21 vitet e kaluara në liri e pavarësi, nuk bënë asgjë për zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit dhe të të pagjeturve tjerë shqiptarë.

Udhëheqësit e derisotëm në Kosovë  vetëm u pispillosën, u krekosën, u bënë milionerë të pasluftës  dhe e dëmtuan tej mase Kosovën dhe popullin e Kosovës. 

SHBA, BE, KE, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, organizatat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut  së bashku me udhëheqësit e derisotëm të Kosovës u turpëruan, u mëkatuan dhe u poshtëruan, duke mos  bërë asgjë për zbardhjen e fatit të  Mr. Ukshin Hotit, të këtij kolosi intelektual dhe veprimtari të shquar mbarë shqiptar për liri, barazi dhe humanizëm.

PDK-në dhe e Hashim Thaçin, LDK-në dhe Isa Mustafën, AAK-në dhe Ramush Haradinajn, Nisma-n  dhe Fatmir Limajn dhe AKR-në e Behgjet Pacollit, gjatë udhëheqjes së tyre në Kosovë i dëgjuam vetëm të llomotisin, të premtojnë  e të mashtrojnë, pa kryer asnjë veprim konkret për zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit dhe të pagjeturve tjerë shqiptarë  të Kosovës.

Edhe pas zgjedhjeve plebishitare të 14 shkurtit 2021 që e sollën Qeverinë Albin Kurti 2, Vjosa Osmanin presidente dhe Glauk Konjufcën kryeparlamentar të Kosovës, këta llomotitës, premtues dhe mashtrues, në vend që t’a lënë të punojë pa pengesa Qeveria Albin Kurti 2 dhe të merr frymë lirisht Kosova, këta dështakë qeverisës po përpiqen sërish të kontrabandën në skenën politike të Kosovës duke i kritikuar padrejtësisht  Qeverinë Kurti 2, Vjosa Osmanin dhe Glauk Konjufcën.

LDK, PDK, AAK, Nisma dhe AKR, pa pikë turpi me demagogjitë e tyre gënjeshtare  e kanë filluar fushatën e tyre për zgjedhjet e pritshme lokale  në Kosovë, edhe pse në 21 vitet e kaluara nuk bënë asgjë për të mirën e Kosovës, nuk bënë asgjë për zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit dhe të të pagjeturve tjerë shqiptarë dhe nuk bënë asgjë që kriminelët e Serbisë  të dalin para drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë.

Mjafton të ndjekim informatat  për pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme të këtyre udhëheqësve të sipërpërmendur, do të kuptojmë sesa të paskrupullt, të papërgjegjshëm, rezilë  e katilë që janë këta dështakë keqqeverisës, sepse pasuritë e tyre milionëshe nuk mund të fitohen kurrë në mënyrë të ndershme  dhe  sidomos në Kosovën e pasluftës.

Moszbardhja e fatit të  Mr. Ukshin Hotit dhe të të pagjeturve tjerë shqiptarë nga Kosova, të cilët Serbia i rrëmbeu gjatë agresionit gjenocidal e vrasës në vitet 1998/99, janë argumenti më i mirë që, PDK, LDK,  AAK, Nisma dhe AKR, të mos votohen  kurrë më për ta udhëhequr Kosovën, qoftë në nivel lokal, qoftë në nivel shtetëror.

Shpresat te Qeveria Albin Kurti 2, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca

Qeverinë Albin Kurti 2, Vjosa Osmanin presidente dhe Glauk Konjufcën kryeparlamentar, duhet t’i përkrahim, ruajmë e mbrojmë si sytë e ballit, sepse  me seriozitetin më të madh janë angazhuar për zbardhjen e fatit të  të pagjeturve shqiptarë  në Kosovë, ku figuron edhe Mr. Ukshin Hoti.

Qeverinë Albin Kurti 2, Vjosa Osmanin presidente dhe Glauk Konjufcën kryeparlamentar, duhet t’i përkrahim, ruajmë dhe mbrojmë si sytë e ballit, sepse me seriozitetin më të madh janë angazhuar që ta padisin Serbinë agresore gjenocidale e vrasëse te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocidin e  kryer në Kosovë,  dhe t’i nxjerrin para drejtësisë kriminelët e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë.

Ismail  Kadare mbetet i vetmi personalitet, i cili me mish e me shpirt bëri përpjekje për lirimin e Mr. Ukshn Hotit nga burgjet e Serbisë, me Letrën Protestuese që në shkurt të vitit 1997 ua dërgoi Amnesty Inernational, Parlamentit Evropian, Këshillit Evropian dhe ministrave të  jashtëm të vendeve vendimmarrëse  të Perëndimit.

Ismail Kadare mbetet i vetmi personalitet, i cili duke e parë indiferentizmin e ndërkombëtarëve me intuitën e tij prej intelektuali dhe shkrimtari, shpiku dhe realizoi mënyrën e përkryer të dërgimit të pyetjeve Mr. Ukshin Hotit në burgun e Nishit, për t’i shfrytëzuar përgjigjet e Mr. Ukshin Hotit në sensibilizimin  për lirimin nga burgu të Mr. Ukshin Hotit, që më pastaj ta botojë edhe librin Ismail Kadare - Ukshin Hoti “Bisedë përmes hekurash”  botuar në vitin 2000 nga Shtëpia botuese “Onufri”  në Tiranë.

Ismail Kadare për këtë angazhim intelektual, njerëzor e kombëtar meriton respektin dhe nderimin më të lartë mbarëshqiptar.

Edhe ky 16 maj 2021,  pas 22 viteve të kaluara na i shton edhe më shumë emocionet dhe brengën  përplot me mallëngjim e shqetësim  shpirtëror neve shokëve, miqve  që e njihmin për së afërmi Mr. Ukshin Hotin, por më së shumti ky mallëngjim e shqetësim shpirtëror i kaplon, fëmijët e  tij, bashkëshorten, motrat e tij, vëllain e tij, dhe  farefisin.

Udhëheqësit e derisotëm të Kosovës  e Kosovës në 22 vitet e kaluara në liri e  pavarësi, pa përjashtim, qofshin ata, qeveritarë, presidentë të Kosovës apo kryetarë të partive,  me sjelljet e tyre tejet të  papërgjegjshme dhe të heshtura për zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit, bënë  tradhti të pafalshme kombëtare.

Ky mallëngjim e shqetësim shpirtëror i kaplon  të gjithë intelektualët e  dashamirët e mirfilltë dhe shqiptarët e  ndershëm  e patriotë  kudo që jetojnë e punojnë në tërë globin tokësor, e që kanë dëgjuar, lexuar apo që i njohin bëmat e vërteta të Mr. Ukshin Hotit, të  këtij kolosi të atdhedashurisë, patriotizmit, trimërisë, guximit  dhe sakrificës, i cili në vazhdimësi tërë energjinë e vet  të mendjes dhe atë fizike ua kushtoi  Kosovës, lirisë dhe pavarësisë të saj si edhe prosperitetit mbarëshqiptar.

Dita e dilel më 16 maj e vitit 1999, është dita kur  Mr.Ukshin Hotit, edhe pse ishte dite jopune, jashta rregullave  të burgut, iu komunikua se atë ditë do të lirohet nga burgu i Dubravës pas vuajtjes së plotë të dënimit.

Sipas informatave që i kemi Mr. Ukshin Hoti  pasi është  përshëndetur  me shokët,  në shoqërim të dy gardianëve  ka dalë nga oborri i burgut, dhe që nga ai moment e gjer më sot nuk dihet asgjë për lëvizjen dhe vendndodhjen e tij.

 Ekzistojnë shumë mendime dhe supozime për rrugëtimin e Mr. Ukshin Hotit  pas daljes nga burgu, por ne do të dëshironim dhe shpresonim në mrekullinë që sjell vetëm Zoti i Madhërishëm, që ai të jetë i  vendosur në një izolim të sigurt dhe se një ditë, edhe pse tashmë në moshë pleqërie të arrijë shëndoshë e mirë në Kosovë,  në  Kosovën tashmë të  lirë e të pavarur  për të cilën sakrifikoi dhe u mundua aq shumë.

Mr. Ukshin Hotit, Zoti i kishte dhuruar  zellin  e madh për dituri, për përgatitje universitare dhe specializime ndërkombëtare.

 Zoti i kishte dhuruar vullnetin e madh për të lexuar vazhdimisht duke e pajisur me njohuri të shkëlqyeshme të  gjeopolitikës dhe strategjisë globale, evropiane, ballkanike dhe  atë mbarëshqiptare.

Zoti i kishte dhuruar aftësinë dhe guximin, atë që dinte ta shprehte lirisht dhe në mënyrë të argumentuar e të kuptueshme.

 Zoti i kishte dhuruar guximin, trimërinë, qëndresën dhe durimin dinjitoz ndaj  dhunës dhe torturave mizore psikike e fizike që i përjetoi në burgjet e Lubjanës, Mitrovicës së Sremit, Nishit, Prizrenit  e Dubravës, e që nuk mund ti duronte as guri e as druri.

 Zoti i kishte dhuruar Mr. Ukshin Hotit forcën për të mos u gjunjëzuar asnjëherë

 Ai reagonte ashpër edhe kur i shikonte  gardianët duke ushtruar dhunë ndaj të burgosurve tjerë, i vetëdijshëm se për këtë do të dënohet  me vendosjen në qeli të vetmisë.

 Me këtë Mr. Ukshin Hoti  shërbente si shembull i rezistencës ndaj të  padrejtës, dhe si shembull i solidaritetit  duke u dalë në ndihmë të burgosurve tjerë, edhe në ato kushte tepër të vështira që  ekzistonin  në burg.

 Këto veti nuk i pati  as për së afërmi asnjë lidership i Kosovës në këto 21 vite të  qeverisjes në liri e pavarësi.

Ndaj më shumë se kurrë sot Kosovës i nevojitet Mr. Ukshin Hoti, për t’ia treguar Kosovës rrugëtimin e sigurt  në përballimin e sfidave me të cilat po ballafaqohet.

Fati i Mr. Ukshin Hoti duhet të kërkohet të zbardhet me seriozitetin dhe këmbëngulësinë më të madhe.

Ajo që na indinjon, brengosën  dhe që na e trazon shpirtin më shumë është fakti se lidershipet e Kosovës, qoftë  gjatë aktivitetit politik të Mr. Ukshin Hotit para se të burgoset, qoftë gjatë vuajtjes së dënimeve drakonike  me burg, qoftë pas lirimit të tij nga burgu, qoftë pas  çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, kanë treguar një indiferentizëm, shpirtligësi  dhe heshtje të papranueshme, të pajustifikueshme e tejet të papërgjegjshme për zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit, i cili aq shumë  bëri dhe u mundua  për Kosovën.

Tjetër gjë është të kesh armë në dorë e të përballesh me  armikun, ose të jesh në liri, dhe tjetër gjë është të kalosh aq vite nëpër disa burgje serbe-jugosllave  dhe t’u përballosh duarthatë e i  vetëm tërë atyre torturave çnjerëzore.

Moszbardhja e  fatit të Mr. Ukshin Hotit pas lirimit nga Burgu i Dubravës u ven një njollë të madhe të zezë udhëheqësve dhe partive  që e udhëhoqën Kosovën gjatë këtyre 21 viteve në liri e pavarësi.

Për zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit dhe të 1650 personave të tjerë shqiptarë nga Kosova që i rrëmbeu  ushtria serbe, me siguri që në Serbi ekzistojnë projekte, skenarë dhe  regjistra  evidentuese, e sidomos për Mr. Ukshin Hotin, këtë veprimtar të madh të çështjes së Kosovës, të cilin Shërbimet e Sigurimit të  Serbisë e ndiqnin  këmba këmbës,  sepse Serbia i  njihte aftësitë e tij strategjike e  gjeopolitike  për shqiptarët në Kosovë e në  përgjithësi.

 Lidershipet  që e kanë udhëhequr Kosovën në këto 21 vite të kaluara është dashur që menjëherë  pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës të këmbëngulin në vazhdimësi te SHBA, BE, KE, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe te organizatat e tjera ndërkombëtare  për liritë dhe të drejtat e njeriut, për  ta detyruar Serbinë ta  zbardhën  fatin e Mr. Ukshin Hotit dhe të personave tjerë shqiptarë të rrëmbyer e të pagjetur sot e kësaj dite.

Zbardhja e fatit të shqiptarëve  të pagjetur, evidentimi i krimeve, i masakrave, i dhunimeve, i dëmeve  materiale  dhe i gjenocidit të Serbisë  në Kosovë, është dashur të jetë prioritet i prioriteteve  i lidershipeve të derisotme në Kosovë në 21 vitet e kaluara.

Lidershi për  e Kosovës nuk është dashur të bëjnë  asnjë hap  për të hy në bisedime me Serbinë në Bruksel, pa zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit dhe të shqiptarëve tjerë të rrëmbyer nga Serbia  dhe  të pagjetur, pa nxjerrjen  e kriminelëve serbë para drejtësisë për krimet, vrasjet, masakrat, dhunimet, dëmet materiale dhe gjenocidin që Serbia e kreu në Kosovë në vitet 1998/1999, dhe pa kërkuar Serbia falje publike për të gjitha këto  mizori të kryera.

Këtë është dashur ta bënin  lidershipet që e udhëhoqën Kosovën  në  20 vitet e kaluara, sepse ky është borxh kombëtar, njerëzor dhe human, dhe se mosshlryerja e këtij borxhi përbën një gabim që nuk falet, përbën mëkat dhe tradhti  të madhe kombëtare.

Për lirimin e Mr.Ukshin Hotit nga burgu dështuan edhe SHBA, BE, KE, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe organizatat e tjera ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, me indiferencën dhe heshtjen e pa presedan të tyre.

Mr. Ukshin Hoti ishte personalitet i arsimuar, i njohur, i shquar  dhe i dëshmuar për demokraci dhe liri.

Për lirimin nga burgu të  Mr.Ukshin Hotit pati një heshtje  totale edhe nga shteti amë  Shqipëria.

Në kohën e Qeverisë Meksi, Mr. Ukshin Hoti në vitin 1993 kërkoi që Qeveria e Shqipërisë t’i jep dyshtetësinë, gjë që çuditërisht u refuzua.

Mr. Ukshin Hoti edhe nëpërmjet motrës së tij Myrvete Kasumi  arriti t`i nxjerrë nga  burgu dhe të botohen ne “Zëri i Kosovës”, “Gazeta Shqiptare” dhe “Rilindja” edhe shumë tekste të tjera që zgjuan interesim të madh te lexuesit.

Përndryshe Mr. Ukshin Hoti ka botuar dy libra  analitikë shkencorë “Lufta e ftohtë e detanti” dhe “Filozofia  politike e çështjes shqiptare”.

Si u njoha me Ukshin Hotin

Pë herë të parë me Mr. Ukshin Hotin u takova në vitin 1969 në Beograd kur ai  punonte në LSPPJ në Departamentin  për marrëdhënie me botën e jashtme, dhe ishte caktuar të mbajë ligjërata për punëtorët që jetonin dhe punonin në Beograd lidhur me amendamentet  e propozuara për ndryshimin e Kushtetutës në ish Jugosllavi.

Mr. Ukshin Hoti në mënyrë  të qartë e të guximshme para të pranishmëve  pa hezitim  thoshte, citoj,” Nëse popullata shqiptare në Kosovë dhe në tërë Jugosllavinë  nuk trajtohet në mënyrë të barabartë si popujt e tjerë, atëherë Jugosllavia do t’i ketë shqiptarët thikë në shpinë”.

Me Mr. Ukshin Hotin takoheshim  shpesh dhe  bisedonim për shumë çështje të shqiptarëve dhe se për të gjitha këto çështje kishim një mendje. Kështu u bëmë shokë besnikë.

Mr.Ukshin Hoti i njihte bukur anglishten, gjermanishten dhe frëngjishten. Ai kohën e lirë e kalonte duke lexuar libra të ndryshëm.

Një ditë Mr. Ukshin Hoti më informoi se dy muaj do  të shkojë në Angola si mysafir i Agostino Netos, udhëheqësit të kryengritjes  “Frelimo”, për çka merrte disa vaksina kundër pickimit  të mushkonjave , kafshimit të gjarpërinjve dhe infektimeve të ndryshme.

Më vonë  Mr. Ukshin Hoti në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd e mbrojti më mënyrë brilante temën e magjistraturës “Faktori kinez në marrëdhëniet SHBA-Rusi,”, para komisionit dhe profesorit  të shquar Pribiçeviq që e kishte edhe mentor.

Ajo që  Mr. Ukshin Hotin e pengoi të doktorojë ishte fakti se  profesorët nuk ia pranonin temat e doktoranturës që i propozonte  Ukshini, e që kishin të bëjnë me çështjen shqiptare.

Ne mbetëm shokë të ngushte. Unë e vizitoja familjen e tij në Krushë të Madhe dhe Ukshini e vizitonte familjen time në Dibër. Një herë në Dibër e solli për vizitë edhe  vëllaun e tij Ragipin, i cili më vonë  ra dëshmor si ushtar i UÇK-së.

Në verën e vitit 2000 te na në Dibër erdhi edhe Fatimja, nëna e Ukshinit, Myrvetja, motra e Ukshinit, Nexhat Fetoshi, nipi i Ukshinit dhe  gjermania Erika Nerad-Rukolli, ish deputete në Parlamentin Evropian. Ardhja e tyre ishte nxitur në bazë të mjekes Hannelore H. Dietrich, shoqes së Erikës që merrej me mjekimin e  njerëzve me anë të bioenergjisë. Ajo kishte treguar se  gjatë  terapisë që i bën me pacientët i paraqitet  silueta e Mr. Ukshin Hotit, sikur  është izoluar në një shtëpi buzë liqenit e që e ruajnë  persona të armatosur, dhe se çdo mëngjes aty pari klon edhe një kope me dele.

Me  këtë rast ne disa ditë kontrolluam  brigjet  e liqenit të Dibrës, Strugës dhe Ohrit, por për fat të keq nuk  gjetëm asnjë gjurmë.

Disa të dhëna për jetën dhe veprimtarinë  e Mr. Ukshin Hotit

Mr. Ukshin Hoti  ka kryer Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb dhe është magjistruar  në Fakultetin e Shkencave Politike në  Beograd. Ka kryer specializimet në universitetet e SHBA-ve në Çikago, Harvard, Kembrizh-Boston dhe Vashington. Ka qenë i vetmi person i zgjedhur për përfaqësimin  e tërë specializantëve dhe  studentëve pasuniversitarë  nga Evropa në SHBA.

Kjo i  mundësoi që Mr. Ukshin Hoti të kontaktojë me pushtetarë të SHBA-ve, por  edhe nëpërmjet  pjesëmarrjes aktive në simpoziume shkencore të njihet me shumë profesorë dhe intelektualë të shquar në SHBA.

Nga gjysma e dytë e viteve të 70-ta deri  në vitin 1981 Mr. Ukshin Hoti ka punuar  në detyra  politike dhe arsimore në Kosovë, si ligjërues  në Fakultetin Juridik- drejtimi juridik-diplomatik dhe sekretar në Sekretariatin  për marrëdhënie me Botën e Jashtme  në KE dhe në Kuvendin e Kosovës, si edhe në institucionet federative  për marrëdhënie me Botën e Jashtme.

Në nëntor të vitit 1981  në një mbledhje të partisë së LK  në Fakultetin Filozofik, Mr. Ukshin Hoti u vu hapur në mbrojtje ë demonstratave  studentore në Prishtinë, duke iu kundërvënë  Prof. Hajredin Hoxha i cili i dënonte ashpër këto demonstrata.

Pas kësaj Mr. Ukshin Hoti arrestohet dhe dënohet më 9 vite burg, që  më vonë Gjykata Supreme e uli  dënimin e 3 vite e gjysmë.

Mr. Ukshin Hoti në vitin 1991 punon në Lubjanë në revistat “”Alternativa”, ”Republika” dhe “Demokracia Autentike-DEA” të cilën e drejton vetë. Pas bllokimit të revistës në vitin 1991 kthehet ne vendlindje  duke punuar  si profesor i sociologjisë  në Universitetin e Prishtinës, dhe merret edhe me publikimin e  shkrimeve politike-eseistike, “Republika  dhe lufta  në kontekst të Evropës, “Shqiptarët dhe Evropa” etj.

Në  muajt mars-prill 1993 mban edhe dënimin e tij të dytë politik, për shkak se një vit më parë kishte organizuar një  homazh masiv  për martirët  e demokracisë në Brestovc.

Po në këtë vit Mr. Ukshin Hoti rrahet brutalisht  nga njësiti  special policor i  Serbisë, duke e  përgjakur dhe duke ia  thyer edhe brinjët. Kjo ndodhi  pas kthimit nga vizita te grevistët  e urisë në Pallatin e Shtypit në Prishtinë të iniciuar nga Adem Demaçi.

 Mr. Ukshin Hoti po në këtë vit merr pjesë edhe në protestat e organizuara në Tetovë, me përfaqësues politikë gjithëkombëtare. Kështu u bë udhëheqës i partisë UNIKOMB-i me program politik  të bashkimit kombëtar.

Serbia  duke parë  aktivizimin e  plotë politik të Mr. Ukshin Hotit  dhe rrezikun  nga  përpjekjet e Kosovës  për pavarësi,  në maj të vitit  1994 e arreston sërish dhe e dënon më  5 vite burg, gjoja për shkak të  minimit të sistemit kushtetues dhe të  tërësisë territoriale të Jugosllavisë.

Pas shqiptimit të këtij dënimi  në procesi8n gjyqësor që u mbajt në  Gjyqin e Prizrenit, në mungesë të fakteve për këtë dënim  kaq të rëndë, njëri nga avokatët i afrohet gjykatëses  serbe duke ecur në korridor,  duke i thënë, “ si mund ta  dënoni kështu  një të pafajshëm”, dhe ajo i është përgjigjur, “ Mr. Ukshin Hoti , megjithatë, nuk është i marrë  sa të kujtojë se ia kam shqiptuar unë dënimin”, që jep të kuptojmë se çdo gjë ka qenë e dirigjuar nga  Qeveria e Serbisë.

Letër e hapur ndërkombëtarëve  për gjetjen dhe lirimin e Ukshin

Haki Torte, babai im, plaku më i moshuar 97 vjeçar nga Dibra, më 10 janar 2000, u dërgoi letër publike  Bil Klintonit- presidentit të SHBA-ve, Kofi Ananit-kryetrit të OKB-së, Tony Blerit- presidentit të Anglisë, Këshillit  të Evropës, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Forumeve Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë  e Njeriut, për të ndihmuar në gjetjen  dhe lirimin e Mr. Ukshin Hotit dhe të burgosurve tjerë shqiptarë të Kosovës.

 Në këtë letër  publike, Haki Torte  veç tjerash shkruan se, “ Shumë gjëra të tmerrshme vuajti populli im shqiptar nga i njejti agresor serb edhe kur unë isha fëmijë  gjatë viteve  1912-1920, kur qemë  të detyruar  ti lëmë vatrat tona  në Dibër e të shpërngulemi në Tiranë per 6 vite , për të shpëtuar  nga plumbat  e bajonetat serbe. Të njejtat metoda barbare serbe i vërejta edhe gjatë agresionit gjenocidal  të Serbisë në Kosovë neë vitet 1998/1999.

Unë asnjëherë  në jetën time  nuk i jam lutur askujt përveç Zotit, dhe po qe se më pyesni  si më plakun për ndonjë dëshirë në mileniumin e ri, unë nga Ju do të dëshiroja dhe kërkoja gjetjen dhe lirimin e Mr. Ukshin Hotit dhe të burgosurve tjerë shqiptarë që padrejtësisht mbahen  nëpër kazanmatet serbe. Mr. Ukshin Hotin e kam njohur personalisht.

Ai ishte shok me djalin tim Rexhepin-gazetar  dhe gjatë viteve të 70-ta  erdhi disa herë  te na në Dibër si mysafir. Ukshini ishte  njeri shumë modest, gojë ëmbël dhe fliste buzagaz. Shpesh me thoshte, “ duhet që edhe populli shqiptar ti gëzojë të drejtat  siç po i gëzojnë të tjerët, sepse  populli shqiptar  nuk i ka bërë ndonjë të keqe asnjë populli tjetër. ” Më vonë fillova të dëgjoj lajme  lidhur me  burgosjet e tij dhe dënimet drakonike që i vuajti. U gëzova shumë kur mora vesh se më 16 maj të vitit 1999 ishte liruar nga burgu, por për fat të keq  pastaj iu humb çdo gjurmë.

Flitet se e kanë liruar nga burgu dhe menjëherë përsëri e kanë arrestuar. Dreq o punë, ta mbash në burg e ta malltretosh Mr. Ukshin Hotin  është njëlloj sikur të burgosesh  dhe të malltretosh një engjëll të vërtetë.

Unë si më i moshuari i Dibrës, Ju lutem të gjithëve për gjetjen dhe lirimin e Mr. Ukshin Hotit dhe të burgosurve tjerë shqiptarë, që këtë mijëvjeçar të ri ta fillojmë  me një hov e angazhim të ri e të gjithanshëm, dhe të bëni ç’mos për gjetjen dhe lirimin e Mr. Ukshin Hotit dhe të burgosurve tjerë shqiptarë.

Le ta fillojmë Vitin 2000 me suksese konkrete në këtë drejtim, suksese që mund t’i arrini vetëm Juve me pozitën dhe autoritetin që keni.

Zoti Ju bekoftë dhe ju ruajt nga të këqijat, paçi shëndet dhe suksese në punë”, thuhet në fund të kësaj letre  publike, e cila edhe pse u botua në shumë media nuk pati rezultat.

Haki Torte ndërroi jetë në janar të vitit 2001  me brengën shpirtërore për zbardhen e fatit të Mr. Ukshin Hotit.

Tani jemi në shekullin e 21-të. Mundësi   për zbardhjen e të vërtetës për Mr.Ukshin Hotin  dhe për personat e tjerë të pagjetur shqiptarë nga Kosova ka shumë, sepse Serbia kriminale të gjitha aksionet në Kosovë i kryente mbi bazën e planeve dhe skenarëve të parapërgatitur.

Për zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit dhe të të pagjeturve të tjerë shqiptarë nga Kosova, lypset  interesim e këmbëngulje më e madhe nga Qeveria e Kosovës dhe nga  faktorët ndërkombëtarë që ta detyrojnë  Serbinë  ta zbardhën  të vërtetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat