Skifterët dhe pëllumbat në Mesdhe

Opinione

Skifterët dhe pëllumbat në Mesdhe

Nga: Merxhan Jakupi Më: 17 maj 2021 Në ora: 15:00
Merxhan Jakupi

Jerusalemi (Kudusi), një qytet i lashtë ndërmjet Detit Mesdhe dhe Detit të Kuq, ka një histori shumëvjeçare përgjatë epokave. Ky qytet, në periudhën e para erës sonë, ka qenë mbretëri e profetëve të Davidit dhe Sallmonit. Ka qenë kryeqytet i mbretërisë çifute, me tri fe monoteiste: të judaizmit, krishterimit dhe islamit. Në këtë qytet të shenjtë vinin për pelegrinazh popujt e Lindjes së Mesme. Muajin e kaluar ishin festat hebraike të Shabatit, sipas testamentit të vjetër. Tara është festë, Dita e Shtatë e krijimit. Sivjet, më 9 maj ishte festa e persianëve, më 13 prill festa e të krishterëve (pashkët), ndërsa më 13 maj ishte festa e myslimanëve, Fitër Bajrami.

* * *

Të tri fetë monoteiste kanë origjinën në këtë qytet. Që nga themelimi i këtyre tri feve monoteiste, gjithnjë pranë kanë qenë tempujt e shenjtë: sinagogat, xhamitë dhe kishat, ku popuj të ndryshëm vinnin për rituale fetare dhe për adhurim të Zotit, duke fisnikëruar shpirtin e tyre. Në festën hebraike, Shabat, praktikuesit e saj po këtë ditë, pos ritualeve me meditime dhe lexim të librit të shenjtë Tara, festojnë edhe me zjarre dhe vajtime. Ultra-ortodoksët dogmatikë në këto festa shpesh janë tepër emotivë, euforikë e histerikë, duke tentuar t'i thyejnë rregullat për të dalë në pjesën tjetër, ku qëndron vija e kuqe dhe muri ndarës, si dhe vendndodhja e Xhamisë së Kudusit të myslimanëve, e dyta me rëndësi pas Gurit të Zi në Meke.

Në festën e muajit të kaluar Shabat, fanatikët dhe ultra-nacionalistët e thyen kordonin dhe tentuan të vazhdonin me ceremonitë në pjesën tjetër që është e ndarë me një mur. Sipas tyre, xhamia Al-Aksa qenkësh tempulli i profetit të tyre Sallmon dhe se myslimanët e paskëshin uzurpuar. Kështu ka filluar edhe konflikti mes palestinezëve dhe hebrenjve, tash e 70 vjet më parë, që nga shpallja e shtetit të Izraelit. Ky konflikt mbetet i pazgjidhur edhe sot e kësaj dite, duke u shndërruar në luftime të përgjakshme.

DY DEKADA PA TRAKTAT PAQEJE

Në vitet e '90-ta ka pasur një çik shpresë dhe vullnet për ndërprerjen e konflikteve dhe arritjen e paqes. Sipas një plani, palestinezët do t'i kthenin territoret e pushtuara dhe do të fitonin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e shtetit të tyre. Mirëpo, pas atentatit mbi liderin Isak Shamir, konfliktet dhe luftërat sërish u ndezën. Në dy dekadat e fundit, Izraeli nuk ka pasur traktat paqeje. Shumica e popullit hebre janë kundër paqes dhe planit të njohjes së shtetit palestinez.

Sipas analistëve dhe politologëve, populli hebre është i ndarë në dy pole, në njërën anë janë tradicionalistët ultra-nacionalistë ortodoksë e konservativë dhe, në anën tjetër, modernistët sekularë të spektrit të majtë, ku shumica janë për paqe dhe për dy shtete: shtetit izraelit dhe shtetit palestinez. Komuniteti tradicionalist ortodoks e dogmatik, i cili është shtrirë në të gjitha cepat e botës, është i zhytur në mite, trillime dhe dogma, derdhin lot krokodili dhe japin mallkime, duke shpresuar se do të vijë dita që muri të shembet dhe xhamia e Kudusit të fshihet nga faqja e dheut, në mënyrë që tempulli shenjtë i profetit, mbretit të judaizmit, të bashkohet. Sipas testamentit të vjetër, shteti Jud duhet të zgjerohet, ndërsa arabët të shpërngulen në shtetet e tyre që janë më se njëzet me numër. Mbi 50 për qind të qytetarëve janë tradicionalistë ultra-dogmatikë e ortodoksë që kalon shumicën e kohës në tempullin e shenjtë dhe në Sinagogë, duke medituar me lutje e asketizëm. Këta janë në asistencë, jetojnë nga taksapaguesit dhe nga fondet e diasporës hebraike. Ndërkaq, sekularistët janë kritikë dhe shpesh protestojnë shkaku i fanatikëve debilë që si parazitë jetojnë mbi kurrizin e tyre.

Po ashtu, edhe palestinezët janë të ndarë në dy fraksione dhe ideologji: pjesa moderniste sekulare e fraksionit FATAH, me presidentin Mamut Abaz, të cilët janë për shtet sekular palestinez dhe që kanë pranuar shtetin izraelit, ndërsa fraksioni i HAMAS-it në rripin e Gazës, ku jetojnë shumica e palestinezëve me mbi 2 milionë banorë, nuk e kanë pranuar shtetin izraelit, që sipas liderëve të tyre, populli palestinez duhet t'i çlirojë të gjitha territoret nga pushtuesi sionist.

* * *

Izraeli, shtet hebre, ka 9 milionë banorë dhe 20 mijë km. katrorë sipërfaqe, që do të thotë se është një vend më i vogël se Maqedonia dhe në këtë shtet të vogël, me histori të bujshme e me konflikte, pos hebrenjve jetojnë edhe 2 milionë arabë e minoritarë të tjerë si beduinë, druzë, kopë, çerkezë, turkmenë dhe zabahasë ose 22 për qind e popullatës. Pos tri feve kryesore: judaizmit, krishterimit dhe islamit, ka edhe sekte, konfesione e shiizma të ndryshme. Pas pushtimit të territoreve palestineze dhe formimit të shtetit izraelit më 1948, si dhe pushtimit të Jerusalemit e territoreve të tjera në luftën arabe-izraelite në vitin 1967, afër 2 milionë palestinezë mbetën në shtetin çifut. Është hera e parë që palestinezët të jenë shtetas të shtetit çifut. Palestinezët si shtetas të Izraelit, me shpërthimin dhe shkallëzimin e protestave në pjesën e Jerusalemit lindor, ato janë përhapur edhe në qytetet e tjera. Grupet radikale ekstreme palestineze dhe hebraike kanë djegur dyqane, vetura dhe kanë rrëmbyer njerëz. Afër 2 milionë palestinezë që jetojnë në Izrael janë të diskriminuar. Ata në të vërtetë kanë katër subjekte politike. Partia më relevante është ajo e Mensur Abazit, në koalicion me partitë e tjera, kanë 6 ulëse në parlament. Këto subjekte politike marrin pjesë në koalicion, me përpjekje për përmbushjen e kërkesave me interes të elektoratit. Por ndodh shpesh që partitë politike palestineze kur hynë në parlament, partitë e djathta dhe ultra ortodokse dhe ekstreme bojkotojnë punimet duke mos marrë pjesë në qeveri.

NË STILIN PËRÇAJ DHE SUNDO

Sipas analistëve dhe ekspertëve që janë njohës të mirë të situatës në Lindjen e Mesme, konflikti i fundit mes palestinezëve dhe Izraelit më së shumti i ka konvenuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahut dhe Hamas-it palestinez. Sipas planit, më 22 maj duhet të mbahen zgjedhjet e lira në tërë territoret palestineze. Dy fraksione partish, dekada me radhë janë në përplasje dhe konflikt. Fillimi i sulmeve me raketa ndaj qyteteve të Izraelit nga ana e Hamasit kishte për qëllim ngritjen e reputacionit dhe legjitimitetit në pjesën e territorit që është nën qeverisjen e FATAH-ut të presidentit palestinez, Mamut Abaz.

Duke parë situatën, Abaz ka shtyrë zgjedhjet, të cilën gjë e ka bërë edhe kryeministri Netanjahu. Fillimi i konfliktit mes palestinezëve dhe Izraelit ka pasur ndikim edhe nga protestat e palestinezëve në Izrael. Kjo i ka shkuar për shtat Netanjahut që të fitojë më shumë kredibilitet për të fituar zgjedhjet e ardhshme, thotë prof. Benjamin Sallmon nga Jerusalemi. Ai shkruan se kryeministrit Netanjahu i konvenojnë trazirat, që të qeverisë shtetin me partitë ekstreme ortodokse e primitive tashmë dy dekada. Netanjahu me 120 përfaqësues të parlamentit, nuk ka fituar shumicën, madje me partitë e spektrit të majtë dallimet kanë qenë të vogla. Në të ardhmen, po qe se pëson debakël partia e djathtë populiste e Netanjahut dhe nëse partitë e spektrit të majtë, sekulare dhe ato qytetare palestineze të Izraelit shënojnë fitore dhe formojnë një qeveri të koalicionit, pritet një stabilitet më i madh dhe fillim të bisedimeve si në vitet e 90-ta.

Në këtë konflikt dhe luftë për të dalë nga spiralja e aparteidit dhe getoizimit, liderëve radikalë nuk u mbetet gjë tjetër pos sulmeve me raketa të qyteteve të afërta të Izraelit. Kjo do të thotë nga 100 raketa, mund të qëllojnë 10 sosh, që është sikur të gjuash miza me çekan. Edhe pse nuk ka shumë viktima në Izrael, megjithatë populli jeton në ankth dhe psikozë lufte. Populli hebre është i ndarë tashmë me mijëra vite dhe jeton në shumë shtete, ku edhe ndihen të rrezikuar dhe fajtorë për pushtimin e tokave palestineze. Shprehur në mënyrë figurative, sa herë që bie shi në Tel-Aviv apo Jerusalem, izraelitët që jetojnë jashtë shtetit të tyre i hapin ombrellat.

* * *

Disa shtete në Lindjen e Afërme kanë pasur luftëra dhe ekziston frika në vazhdim nga zgjerimi në rajon. Për këtë është e shqetësuar edhe bashkësia ndërkombëtare. Deri në përmbylljen e këtij artikulli, sulmet nga ushtria izraelite dhe të atyre të Hamas-it po vazhdojnë. Ekziston skenari i mundshëm që sulmet të shkallëzohen me hyrjen e trupave izraelite në Rripin e Gazës, me afër 3 milionë banorë. Kjo do të ishte një aventurë dhe precedent i rrezikshëm, me pasoja tragjike në Lindjen e Mesme dhe në rajon. Kjo do të shndërrohej në një katastrofë humanitare e apokalips, ku në fund palestinezët do të jetonin si refugjatë nëpër kampe, për të rifilluar rezistencën me luftë guerile, me sulme kamikaz dhe terror, ku edhe bota do të ishte më pak e sigurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat