"Zhurma" për faljen e gjobave, marketing politik i opozitës

Opinione

"Zhurma" për faljen e gjobave, marketing politik i opozitës

Nga: Vjollca Aliu Më: 3 qershor 2021 Në ora: 18:56
Vjollca Aliu

Nesër do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën grupi parlamentar opozitar i AAK-së ka thirrur në interpelancë ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen e faljes së gjobave bizneseve të prekura nga situata me Covid-19.

Ky grup parlamentar mendon se, një rezolutë që do të mbështeste këtë qëndrim të AAK-së do të ndihmonte ekonominë dhe gastronominë. 

Mirëpo, a është në përputhje me ligjin dhe a është e dobishme kjo nismë e ky qëndrim? 

-Duke marrë parasysh zhurmën e interpelancave dhe thirrjen në interpelancë të ministrave nga ana e opozitës, në sistemin parlamentar në Kosovë, në të VII legjislaturat, këto zhvillime gjithherë janë pa dhe kanë rezultuar vetëm si marketing politik i partive opozitare për të paraqitur punën e veprimet e tyre si mbështetëse të shoqërisë. Të gjithë ata që i kanë përcjell seancat plenare parlamentare të të gjitha legjislaturave në Kosovë, në ato seanca ku janë zhvilluar interpelanca ndaj shumë ministrave, kanë pa vetëm një spektakël debatesh e shfryerje inatesh ndërpartiake e ndërpersonale, por jo edhe efektivitet nga ato interpelanca, të cilat kanë përfunduar vetëm me kohë të harxhuar për marketing politik të partive politike, por edhe për marketing të deputetëve të caktuar, të cilët me akuzat e ndërsjella janë munduar ta ngrisin veten politikisht para qytetarëve, duke nënvlerësuar e kritikuar punën dhe veprimet e partisë ose koalicionit në pushtet.

Situata e krijuar gjatë kohës së pandemisë me COVID-19 nuk ka qenë e lehtë dhe nuk është as tani, për askënd, vështirë për popullin e vështirë për institucionet publike në nivelin qendror dhe në atë lokal. Mirëpo, masat të cilat janë ndërmarrë për parandalimin dhe për mbrojtjen nga COVID-19 vlejnë për të gjithë personat fizik dhe ata juridik, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës. Kështu, falja e gjobave bizneseve të prekura nga pandemia me COVID-19 nuk duhet të bëhet, sepse:

1. Nuk respektohet barazia para ligjit, e garantuar me aktin më të lartë juridik të shtetit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës (Kapitulli I - Dispozitat Themelore, Neni 3 - Barazia para Ligjit; si dhe, Kapitulli II - Të drejtat dhe Liritë Themelore, Neni 24 - Barazia para Ligjit);

2. Shkelet "Ligji Nr. 07/L-006 Për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Territorin e Republikës së Kosovës", me të cilin është përcaktuar fushëveprimi i tij (Neni 2.), janë përcaktuar masat për mbrojtjen nga pandemia (Neni 10.7.), janë caktuar organet kompetente për shqiptimin e masave ndëshkimore (Neni 23.1.), është definuar e caktuar destinimi i mjeteve financiare të mbledhura nga masat ndëshkimore (23.2.), si dhe shumë çështje të tjera të normuara me këtë ligj;

3. Dekurajohen personat juridik të cilët kanë vepruar në përputhshmëri me ligjin, të cilët i kanë zbatuar rregullat, por dekurajohen edhe ata persona juridik të cilët i kanë shkelur normat juridike, por i kanë paguar gjobat për shkeljet e bëra ligjore;

4. Shkelet e drejta për mosdiskriminim, e normuar me rregulla juridike në fuqi;

5. Inkurajohen ata të cilët i kanë shkelur rregullat që, edhe herave të tjera t'i shkelin normat juridike, duke besuar se do të falen përsëri;

6. Hedhet poshtë puna e mekanizmave zbatues të normave juridike të përcaktuara lidhur me çështjen e pandemisë, si: puna dhe veprimet e Policisë së Kosovës, puna dhe veprimet e ndërmarra nga ana e  inspektorateve ekzekutuese (Inspektoratit Shëndetësor, Inspektoratit Farmaceutik, Inspektoratit Sanitar dhe të gjithë inspektorateve komunale);

7. Zvogëlohet mundësia për mbushjen e buxhetit shtetëror ose thënë ndryshe, pamundësohet rritja (shtimi) e buxhetit të shtetit, pasi falja e gjobave pamundëson mbushjen e buxhetit me mjetet financiare të mbledhura nga masat ndëshkimore të cilat derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës, megjithëse opozita thotë se, të hyrat në buxhet nga këto gjoba nuk janë të parashikuara, mirëpo, me vet faktin se kemi në fuqi një ligj i cili ndëshkon shkeljet, dhe ato shkelje gjobiten, kështu: "Mjetet financiare të mbledhura nga masat ndëshkimore derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës" ( Ligji Nr. 07/L-006 Për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Territorin e Republikës së Kosovës, Neni 23.2.);

8. Shkakton pezëm tek ata të cilët i kanë paguar gjobat, e ky pezëm mund të shkaktoj protesta e të nxis lloje të tjera të shprehjes së pakënaqësive.

Marrë parasysh të gjitha këto arsye, mbetet të shihet sa konstruktive dhe sa e arsyeshme do të paraqitet interpelanca e thirrur nga ana e grupit parlamentar të partisë opozitare AAK, dhe sa i aftë do të paraqitet ministri Murati para deputetëve lidhur me qëndrimin dhe arsyetimin për falje ose për refuzim të faljes së gjobave bizneseve të prekura nga pandemia me COVID-19.

Kujtojmë se, "Ligji Nr. 07/L-006 Për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Territorin e Republikës së Kosovës" është miratuar edhe me votat e AAK-së, e cila tani po tregohet "gjyhnaqare" për bizneset e prekura me situatën pandemike.

Me shpresë se përfaqësuesit tanë do të tregohen konstruktiv në seancën e nesërme parlamentare, dhe gjatë gjithë mandatit të tyre, presim zhvillimet në të mirën e gjithmbarshme, pa qëllime paraqitjeje marketingu politik, por zhvillime me përfundime pozitive, pa shkelje kushtetuese e ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat