Albin Kurti para sprovës historike; “To be, or not to be” (Me qenë, ose mos me qenë)...!?

Opinione

Albin Kurti para sprovës historike; “To be, or not to be” (Me qenë, ose mos me qenë)...!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 8 qershor 2021 Në ora: 10:20
Rexhep Elezaj

Është gati e pamundur për një patriot shqiptar të kuptojë, se çfarë ka ndodhur me idealet, aspiratat, synimet dhe dëshirat shekullore të tij/tyre, që një ditë, pas gjitha atyre vuajtjeve dhe tragjedive të mëdha që kanë përjetuar për ta fituar lirinë dhe pavarësinë kombëtare, të mos e shijojë atë ditë të ëndërruar ndër shekuj, pra të mos dinë t’i gëzohet lirisë së fituar me aq shumë gjak, të mos ndjehet më në fund, i lumtur dhe i qetë në Kosovën e lirë pas dëbimit nga NATO-ja të regjimit kriminal okupues serbo-sllav..!?

Thua madje, se nuk ka ndodhur asgjë në jetën e tij/tyre të rënd ndër shekuj, meqë ai/ata, pas ardhjes së lirisë do vazhdojnë të sillen si një i humbur në errësirë, pa e bërë as mundin më të vogël që ta vlerësojnë drejt peshën e lirisë, vlerën e pavarësisë si dhe momentin historik të shkëputjes nga e kaluara tepër e rënd dhe tragjike, si një popull dhe si një shoqëri e vrarë, masakruar, e torturuar, e diskriminuar, e dëbuar dhe e zvogëluar etnikisht në dy-tre shekujt e fundit nga gjenocidet serbe..!?

Një popull dhe një shoqëri e dalë nga lufta çlirimtare, sikur që ndodhi me shqiptarët e Kosovës me 10 qershor 1999, me aq shumë viktima të luftës dhe dëshmorë, me aq shumë shkatërrime të shtëpive dhe pronave të tyre private, me aq humbje të mëdha në ekonomi, arsim dhe kulturë, etj., është për t’u çuditur, se si populli pranoi dhe lejoi që t’i nënshtrohet me aq lehtësi diktatit dhe ambicieve të sëmura për pushtet dhe pasurim të paligjshëm grupeve mafioze dhe individëve me prirje hajdutësh dhe plaçkitësve ordinerë, të cilët me dredhi arritën ta mashtrojnë popullin, se “pa luftën dhe trimërinë tonë, liria dhe pavarësia e Kosovës nuk do vinin kurrë”, kur e dijmë faktin se në botë ka pasur iks raste të burgosjes dhe dëbimit nga pushteti të “komandantëve çlirimtarë”, alias të hajnave dhe keqpërdoruesve të pushtetit dhe pasurive të popullit tonë të shumëvuajtur..!?

Siç dihet, në Kosovën e pasluftës nuk ka ndodhur asnjë revolucion i armatosur, nuk ka pasur as protesta masive për rrëzimin e qeverive të korruptuara dhe antikombëtare, por as ndonjë ndëshkimin të qeveritarëve hajdutë, të pushtetarëve vasalë të serbofilisë dhe ish udbashëve, ani pse vendi ynë kishte nevojë imediate për një revolucion (paqësor), kishte arsye të mëdha për protesta masive kundër uzurpuesve të pushtetit në Kosovë për t’u çliruar nga bandat e organizuara kriminale, etj., gjë që veprime të tilla revolucionare nuk kanë ndodhur në Kosovën e lirë, mbase për shumë shkaqe dhe arsye krejtësisht të pajustifikuara..!?

Ishte në fakt LVV-je, gati e vetmja forcë politike në Kosovë e cila e kishte kuptuar mirë rolin dhe obligimet që ka një subjekt politik me premisa nacionale për ta mbrojtur lirinë dhe sovranitetit të shtetit të pavarur të Kosovës të fituara me gjak dhe luftë, e cila pra në masë të madhe ishte e vetëdijshme, se shteti i lirë dhe i pavarur i Kosovës nën administrimin e UNMIK-ut, me planin dhe Kushtetutën e M. Ahtisaritt, nuk mund të ndërtohej sipas normave dhe ligjeve universale te të drejtës ndërkombëtare, ashtu siç janë ngritur të gjitha shtetet në Evropë. E dinte dhe e kishte kuptuar se me 2 milion shqiptarë të Kosovës të dalë nga një luftë e tmerrshme kishin filluar të bëheshin eksperimente politike dhe juridike në nivel ndërkombëtar, kryekëput në dëm të interesave nacionale të shqiptarëve dhe Kosovës, dhe për këtë kemi një mori faktesh..!?

Dhe, tani kur LVV-je pas ca viteve “lufte dhe betejave” të saja në rrugë, pas protestave, kundërshtive dhe refuzimeve të planeve ogurzeza të disa qarqeve ndërkombëtare të ndihmuara nga Rusia dhe Serbia, siç ishte projekti për ndarjen e Kosovës dhe kthimin e aktit të pavarësisë së saj në tryezën e pazareve politike Lindje-Perëndim, e cila erdhi në pushtet (LVV-je) me votat e fituara nga sovrani me mbi 50%-ind me 14 shkurt 2021, duke e realizuar kushtimisht synimin e saj (tyre) për të qeverisur me Kosovën përmes diskursit të ri politik; për Ndryshim, pa asnjë mëdyshje, ajo dhe lideri i saj sot gjenden para një sprove dhe provimi të madh historik, “To be, or not to be” (Me qenë, apo mos me qenë) faktor determinues i fatit të Kosovës dhe të ardhmes së saj..!

Pra, LVV-je, ose do e realizojë në vepër këtë Ndryshim të cilin e ka proklamuar dhe premtuar para elektoratit të vetë si dhe para gjithë popullit shqiptar gjatë fushatës (para)zgjedhore të 14 shkurtit 2021, ose do dështojë më keq se sa partitë e klanit “Pronto”, gjë të cilën në asnjë mënyrë ajo nuk duhet t’ia lejoi vetes, meqë një dështim i tillë eventual do të ishte, pa asnjë dyshim, edhe fundi i saj politik në skenën e historisë së re të Kosovës në planin e shtet-ndërtimit dhe mbijetesës si shtet i lirë dhe sovran në Ballkanin perëndimor..!

Mbase një gjë duhet cekur patjetër me këtë rast; se fillimi i mandatit të qeverisë “Kurti-2”, është duke dhënë disa shenja jo shumë inkurajuese, por as fortë optimiste, se vërtetë i ka hyrë punës me seriozitet në rrugën e realizimit të aspiratave të kombit shqiptar në Kosovë me vise, por edhe të përmbushjes së misionit kombëtar dhe politik të LVV-je, drejt korrigjimit dhe sanimit të padrejtësive dhe gabimeve të cilat faktorë negativ të brendshëm politik, si klani “Pronto” dhe ata ndërkombëtarë në krye me Francën dhe Holandën, që i kanë bërë në dëm të shtet-ndërtimit dhe përmbylljes së procesit të pavarësisë së plotë të Kosovës, siç ishte formimi i “Zajednicës” serbe në Kosovë si dhe mos liberalizimi i vizave vetëm ndaj saj, etj. !?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat