Faik Fazliu, a të vjen turp që dje e dogje flamurin dardan, sot sulmon policinë e Kosovës?

Opinione

Faik Fazliu, a të vjen turp që dje e dogje flamurin dardan, sot sulmon policinë e Kosovës?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 8 qershor 2021 Në ora: 14:05
Fazliu në vitin 2005, kishte organizuar djegien e flamurit të presidencës së Kosovës, flamur ky i propozuar nga Ibrahim Rugova

Kush lufton me hakikat për shtet, s’ka si ta nënçmoj zyrtarin e shtetit, policinë që mbron rendin dhe zbaton ligjet e shtetit. Të gjithë mund të jemi nihilist ndaj shtetit edhe t’i bishtnojmë ndonjëherë rregullave të tij, më tepër se “në të zakonshmit”, ata që kanë luftuar për këtë shtet e kanë obligimin më të madh për ta respektuar, mbrojtur dhe zbatuar ligjet e këtij shteti. Nëse vërtet kanë luftuar për shtet të së drejtës, me patjetër duhet të bëjnë çmos që të jenë zëri i vërtetë i saj. Shteti pa rregulla, shteti më bërryla nuk mbahet, as nuk ecën përpara, e të tillë shtet duket se dashkan ata që thirrën në emër të saj.

Së fundi, një zyrtar i veteranëve të luftës në mënyrën më shëmtuar u përlesh me një polic, i cili në krye të detyrës po kryente punën e tij të zakonshme. Duke iu përmbajtur rregullave të punës, polici u mundua të vendoste rend, e që fatkeqësisht dikush që mendon se është mbi ligjin e sulmoi policin me fjalë, e që pasoi me arrestimin e Faik Fazliut, njeriut që mendon se shteti është vet. Sikur të ishte një polic serb, Faiku do ikte si prej dreqit, trima në shteti, frikacak me fqinjët.

Është po ky Faik Fazliu që dikur dogji flamurin e propozuar nga Ibrahim Rugova, një turp i madh në historinë e tij, si njeriu që kurrë s’ka kuptuar se çfarë është shteti, e si bëhet ai. Në vend të flamurit dardan, erdhi një flamur që nuk ka as histori, as nuk e lidh asgjë Kosovën me të, krejt e kundërta me atë dardan që ishte sinonim i rrugëtimit të Kosovës në historinë e saj. Nuk mund të presësh asgjë të mirë nga ata që e dogjën flamurin e dr.Rugovës, dhe pranuan me kokën ulur një flamur lara lara, me të cilin askush nuk identifikohet. Faik Fazliu nuk përfaqëson vetëm veten, por edhe një organizatë të nderuar të veteranëve të luftës për të cilët respekti është maksimal ndaj tyre, po ashtu edhe ata duhet të jenë të parët që respektojnë ligjet, institucionet, policinë dhe të gjithë akterët e shtetit.

Për këtë shtet ata kanë luftuar që sot të kemi policë që flasin shqip, institucionet që respektohen nga ata dhe të gjithë qytetarët tjerë. Nuk arsyetohet me asgjë sjellja e Faikut ndaj zyrtarit policor, që edhe në video shihet se në gjestikulacionet e tija shpreh mllef, mosbindje dhe mbi të gjitha mos respekt ndaj uniformës së policit. Përpara ligjit të gjithë duhet të jemi njësoj, askush nuk është mbi ligjin dhe as i shenjtë.

Është për t’u dhimbsur polici i shkret që edhe u ofendua me sjellje banditeske dhe ndaj tij u tha se do të iniciohet procedurë disiplinore, e kjo është e tmerrshme. Një polici që zbaton ligjin të përballet me procedura, në vend se të nderohet për punën e tij. Kështu nuk ecën tutje, policia duhet të zbatojë vetëm ligjin dhe të inkurajohet për një gjë të tillë, ndryshe vazhdojmë të demotivojmë të gjithë ata që me ndershmëri punojnë dhe kryejnë punën e tyre me nder dhe përgjegjësi.

Faik Fazliu është shembull i keq i një njeriu që në vend se të respektojë institucionet i sulmon ato, e të tillëve duhet tu vijë fundi. I vetmi “i fortë” në Kosovë duhet të jetë shteti i Kosovës, të tjerët, kushdo që janë, duhet të jenë të nënshtruar përballë ligjit, si e vetmja rrugë për të quar tutje këtë shtet. Faik Fazliu duhet të shkarkohet nga posti që mban, nuk meriton ai të përfaqësojë luftëtarët e ndershëm të vendit, atyre që kanë luftuar për shtet të së drejtës dhe jo ku sulmohet polici, uniforma e shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat