Dekreti presidencial i Bush-Biden si rikthim i SHBA-ve në Ballkan

Opinione

Dekreti presidencial i Bush-Biden si rikthim i SHBA-ve në Ballkan

PROF. DR. ASOC. ENVER BYTYÇI Nga PROF. DR. ASOC. ENVER BYTYÇI Më 10 qershor 2021 Në ora: 13:19
Joe Biden

Presidenti amerikan Joe Biden riaktivizoi me disa ndryshime dekretin e ish-Presidentit Georg W. Bush të vitit 2001 për stabilizimin e situatës politike e gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Ndryshimi qëndron në faktin se ndryshe nga dekreti i zotit Bush, ky i fundit fut në skemë edhe Shqipërinë dhe Slloveninë. Në dekret, të cilin kreu i Shtëpisë së Bardhë ia ka dërguar për miratim Kongresit, thuhet se "Garantimi i sigurisë dhe i stabilitetit politik të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në përputhje me angazhimin e administratës Biden për avancimin e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare të SHBA, përfshirë mbrojtjen e institucioneve demokratike”.

Gjithashtu, aty përmendet se autoritetet e rajonit mund të trajtohen "si përgjegjës apo bashkëpunëtorë, që ka qenë i angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë, në shkelje, apo vepra që cenojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zone apo shteti në Ballkanin Perëndimor; si përgjegjës apo bashkëpunëtor, që ka qenë i angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë në veprime apo politika që cenojnë proceset ose institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor".

Përmenda vetëm këto pjesë të dekretit, pjesën më të rëndësishme të tij, sepse këto dy pjesë po interpretohen sipas dëshirave dhe apetiteve të palëve politike në Shqipëri, Kosovë e rajon. E vërteta është se dekreti presidencial ndëshkon ata politikanë të rajonit, të cilët deformojnë demokracinë. Madje mbrojtja e demokracisë konsiderohet interes thelbësor i sigurisë kombëtare të SHBA-ve. Kjo do të thotë se regjimeve autoritare e gati totalitare njëpartiake në Ballkanin Perëndimor u ka ardhur fundi. Për këtë duhet të përgatiten sidomos Shqipëria dhe Serbia, përkatësisht, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq.

E vërteta tjetër e pakontestueshme është se në dekret është vënë theksi te personat përgjegjës në rajon, të cilët punojnë për të cenuar paqen, sigurinë, stabilitetin integritetin territorial në çdo zonë apo shtet të Ballkanit Perëndimor! Lexojeni saktë: "Integritetin territorial në çdo zonë apo shtet të Ballkanit Perëndimor"! Një deklaratë e tillë e dekretuar dhe e projektuar për t'u bërë ligj në SHBA është thelbësore për stabilitetin dhe paqen e rajonit. Kjo do të thotë se ata që punuan për ndryshimin e kufijve e ndarje territoresh, qoftë dhe në zona, jo vetëm në shtetet e rajonit tonë, do të ndëshkohen nëse vijojnë ta bëjnë këtë lojë gjeopolitike në favor të Serbisë dhe Rusisë. Kjo do të thotë se Aleksandër Vuçiq, Edi Rama, Jansa i Sllovenisë, Dodik i Republikës Srpska dhe të tjerë predikues të ndarjeve dhe ndryshimit të kufijve duhet të tërhiqen nga projektet për krijimin e Serbisë së Madhe.

Por jo vetëm kaq: Kjo do të thotë se ata që u përkushtuan për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor përmes ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë duhet t'u kërkojnë ndjesë atyre që e mbrojtën këtë kauzë, para së gjithash ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, e pse jo edhe presidentit të Shqipërisë, zotit Ilir Meta! Çdo interpretim tjetër është i qëllimtë dhe adreson faktin se ende do të bëhen përpjekje për destabilizimin e rajonit përmes non-paper-ve, të cilët parashohin dhe predikojnë ndryshimin e kufijve në Ballkan. SHBA-të po bëjnë ligj për ta ndaluar këtë lojë të rrezikshme. Kjo është fitore historike e Kosovës dhe e kombit shqiptar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat