Le të luten! Trego, çka është legale këtu? Nëse filloni me rrënime të objekteve pa leje, rrafshohet Kosova!

Opinione

Le të luten! Trego, çka është legale këtu? Nëse filloni me rrënime të objekteve pa leje, rrafshohet Kosova!

Nga: Kimete Berisha Më: 10 qershor 2021 Në ora: 22:20
Kimete Berisha

Nuk ka zarar prej lutjeve!

Është absurde dhe është grackë e madhe ta akuzosh dikënd pse i lutet Zotit 'ilegalisht'!

Lutja në çdo rast është legale!

Edhe vrasësit ndërtojnë kisha e xhamia.

Sidomos vrasësit kanë nevojë të sëmurë të 'pajtohen' me Zotin!

Mëkatarët më të mëdhenj i gjen në rendin e parë të kishave e të xhamive!

Kishat dhe xhamitë te shqiptarët janë ndërtuar nga pushtuesit.

Sigurisht e dini!

Të gjitha fetë te shqiptarët i sollën pushtuesit!

E pastaj pushtuesit u mërzitën me neve, shkuan apo i përzëmë, s'jam e sigurt.

Por kryesore, fetë nuk i morën mbrapshtë me vete!

Shqiptarët nuk kanë ndërtuar asgjë historike në jetën e tyre, hiç asgjë, shqiptarët kanë ndërtuar veç kaçakë, bufe e kafene.

Sepse, Zoti ynë është kënaqësia.

Tjetër gjë që pushtuesi e ka pru' besimin me zor, derisa zanati për të qenë fetar u shndërrua në mënyrë të jetës dhe derisa zori u shndërrua në qejf! Tash ka mbetur vetëm frika nga Zoti!

Kënaqësi në frikë nuk ka!

Nëse ju mendoni se shqiptarët ndonjëherë në jetën e tyre kanë ndërtuar diçka të hairit, tregoni çka është ajo që e paskan ndërtuar shqiptarët e unë nuk e ditkam!

Qe 21 vjet shqiptarët e lirë ia kanë zënë dritën diellit, qe 21 vjet mafia shqiptare e ndërtimit s'kanë lënë gjë pa shkatërruar, e kanë asfaltuar natyrën, i kanë gërryer shkëmbinjtë, e kanë vjedhur ujin, tokën, nëntokën, kanë ndërtuar soliterë një mbi një dhe çka tjetër ka ndodhur këtu?

Të ishte ilegale veç kisha në oborrin e universitetit...

Trego, çka është legale këtu?!

Kush u tregua armik më i madh i shqiptarëve më shumë se shqiptarët?

Serbia duhet të paditet për gjenocid, për shfarosje të familjeve shqiptare, për vrasje të fëmijëve, për kalljen e mijëra shtëpive e shkollave, për shkatërrimin e xhamive, e jo pse disa popë luten në një kishë pa leje!

Le të luten!

S'janë interesant!

P.S. Lutja e legjitimon kishën, lutja e legjitimon xhaminë.

Lutja e shëron trupin se lëre më shpirtin!

Nëse filloni me rrënime të objekteve pa leje, rrafshohet Kosova!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat