Koha dhe Patrioti

Opinione

Koha dhe Patrioti

Nga: Nasho Bakalli Më: 15 qershor 2021 Në ora: 08:54
Nasho Bakalli

Prej disa ditësh shkruhet e flitet në të gjitha qarqet publike për ndryshime eventuale në fatin politik të disa ishshtetarëve më të lartë të vendit për shkak të disa punëve që ata kanë bërë, të cilat, sipas Departamentit Amerikan të SHtetit janë kundër demokracisë, popullit shqiptar, dhe stabilitetit në Ballkan. Hë për hë, fati i tyre ka mbetur pezull në kohë. Asnjeri nuk di të thotë me siguri nëse koha do të ecë përpara përmes belbëzimeve groteske të ishkryepolitikanëve, apo, përmes akteve tragjike të një epoke të re.

Kjo gjëndje e dëshpëron Patriotin shqiptar. Aq sa ai gjykon se ndoshta përleshja e tij 30 vjeçare - me kryepushtetarët e denoncuar konkretisht, dhe në parim nga DASH - do përfundojë me disfatë, dhe për këtë të fundit prova më e parë janë kujtimet e hidhura.

Pse pat shkuar jo pak herë në Tiranë? Për ti gjetur punë nipit…? Po edhe vetë Patrioti e kuptonte se kjo arësye nuk qëndronte në këmbë… Pse qe takuar më se një herë me presidentët dhe kryeministrat; pse kishte shkuar me ndonjë prej tyre deri në Uashington, Bruksel; pse kishte marë pjesë në banketet e shtruara në Pallatin e Brigadave në Tiranë, dhe në disa restorante, në Paris, Amsterdam, Vjenë…, që mbanin emëra kafshësh të frikëshme? Pse...? Me qëllim që ti njihte pushtetarët sa më afër që të ishte e mundur; që të dëgjonte me veshët e tij ato gjëra që më parë i pat dëgjuar nga të tjerët; dhe, që ti kuptonte në këtë mënyrë edhe të huajt më mirë… Por, të gjitha këto sjellje nuk i kishin prurë asnjë dobi.

Sigurisht atij nuk i kishte vajtur ndonjëherë ndërmend që të hiqte dorë nga bindjet e tij, dhe në asnjë mënyrë nuk do ti shitej as pushtetit që vetquhet demokratik. Pushtetarët ishin hedhur edhe që ta blinin! Duke sjellë ndërmend se më çfarë vendosmërie i kishte rrëzuar propozimin e tyre - dhe qe kthyer pastaj në vatrën e vet - Patrioti ndjente një kënaqësi të thellë.

Por, meqë ai kishte guxuar të afrohej me pushtetarët, dhe i kishte lënë ata që të kapeshin pas tij, mos donte të thoshte kjo se kishte bërë lëshime, se i kishte lejuar pushtetarët të vepronin sipas qejfit? Duke i ardhur turp për petkat e trupit që i kishte ndotur me “pluhurin” e zyrave të kryeqytetit dhe të prapaskenave … Patrioti nuk pushonte së rënkuari në shpirt për pasuksesin e tij.

Patrioti nuk mërzitej vetëm për dështimin që pati nga takimet, sherret, përqafimet, protestat… me ishkrerët e shtetit të vet.

Po qyshse shkoi sefte në kryeqytet atij iu duk vetja më i përparuar në jetë. Ndoshta kjo ndjenjë i kishte lindur për shkak të vlerësimit të tij jo të drejtë të kohës në të cilën jetonte? Patrioti e hodhi poshtë me zemërim një hipotzë të tillë, dhe i vlerësoi përsëri lart ndjenjat e tij. Po këto të fundit i sillnin nga prapa edhe ca mendime të tjera. Duke shtjelluar e shtjelluar në mendje bisedat e nxehta që kishte zhvilluar atje në kryeqytet; duke krahasuar pozitën e pushtetarëve të lartë me pozitën e vet; duke… Patrioti arrinte në përfundimin se nuk kishte mundur t’iu thoshte as presidentëve dhe as kryeministrave të vendit atë që duhej; se nuk i kishte demaskuar sjelljet e tyre hipokrite ashtu si duhej.

Dhe tani që peshonte me gjakftohtësi dhe më nge cështjen se nga cila Palë anonte e vërteta, Patrioti për pak sa nuk u hutua. Sepse, i rezultoi se ata ishin të kalbur fund e krye. Se ata, sa kishin pushtetin në dorë mendonin si të përfitonin dhe si të maskonin lakminë e tyre të panginjur me pretekste të kota. Ky ishte një fakt i pakundërshtueshëm. Me çfarëdo lloj bojrash ta ngjyrosin pozitën materiale dhe politike, palea e tyre e kalbur se e kalbur mbetet.

Po atëhere, çfarë? Mos e kishte korrur fitoren ai, Patrioti, dhe kundërshtarët e tij ishpresidentë, kryeministra, ministra… kishin pësuar humbje? Po të arsyetoje konform parimeve të demokracisë lufta duhej të merte fund pikërisht kështu, por, në të vërtetë triumfi kishte qënë aleat i pushtetarëve në fjalë, kurse Patrioti ishte dërmuar krejt…

Vallë, pse u mund Patrioti? C’gjësend i shkaktoi atij disfatën? Në fakt ata, ishpresidentët dhe kryeministrat, i thonin paprerë se - ke mbetur prapa kohës…

Të ketë vërtetë një greminë të pakapërcyeshme midis pikpamjeve të tij patriotike, dhe kohës së sotme? Po mirë, le ta zemë se ka me të vërtetë një greminë të tillë. Po a duhet vallë që edhe patriotët t’iu nënshtrohet me patjetër kërkesave të kësaj “kohe të sotme”, pra, ideve dhe qëndrimeve të ishshtetarëve të lartë? A është e vërtetë se fryma e tyre, se fryma e kësaj “kohe të sotme” është kriteri i të vërtetës?

Shpirtin e Patriotit e bren dyshimi. Deri kur?

Derisa patriotët të mos përulen përpara vulës të artë të shtetarëve; derisa të mos e përbuzin fatziun që kthehet në strehën familjare i handakosur nga fati; dhe, derisa të mësojnë ta nderojnë sinqerisht mikun që u ka ndenjur pranë në të keq e në të mirë… Përndryshe, zotërinj patriotë harrojeni epokën e re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat