Bisedimet me Serbinë, janë si patinazhi mbi akull

Opinione

Bisedimet me Serbinë, janë si patinazhi mbi akull

Nga: Skënder Mulliqi Më: 16 qershor 2021 Në ora: 21:34
Skënder Mulliqi

Shumë pështjellime dhe kontradita po na paraqiten në skenën tonë politike. Fjalime dhe deklarime e pa matura, që po e ndezin edhe më shumë situatën politike në Kosovë. Qëndrimet e tilla shkojnë në dëm të Kosovës dhe proceseve zhvillimore. Qytetarët kanë shumë nevojë për një jetë kualitative dhe kanë nevojë për politikanë seriozë e të ndershëm.

Gjysmë të shkolluarit, dihet së si e sollën situatën e keqe politike e veçmas atë ekonomike. Ata që kanë ambicie politike, duhet të jenë njerëz me begraund të lartë profesional, moral dhe kombëtar.

Kosova pushtetet autokratike dhe grabitqare i ndërroi tek pas 21 vitesh. U hoq një pushtet që punoi keq duke u zëvendësuar me një pushtet të ri, me njerëz të ri, të cilët duhet dhënë rasti të qeverisin me Kosovën.

Për demontimin e një sistemi korruptiv dhe nepotik , i cili nuk u ndërrua për shumë kohë, duhet kohë dhe durim. Koha është treguesi më i mirë së një pushtet punon mirë apo keq. Mjaft kemi stagnuar me procese, nuk i duhet këtij vendi një stagnim i ri, apo kthim edhe prapa.

Vitet po ikin shpejt dhe ai shtet që nuk e zënë hapin me kohën, mbetet gjysmë shtet, mbetet shtet hendikep.

Garda e vjetër politike nuk dëshiron të pranojë realitetin e ri të krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit nacionale. Nuk po dëshiron ta kuptojë se koha e tyre në politikë ka përfunduar dhe atë jo bash në mënyrë të lumtur.

Kanë lënë shumë të këqija prapa, prandaj për punë të këqija nuk ekziston lavdia.

Opozita nuk po heq dorë nga ndërskamcat ndaj Qeverisë Kurti edhe aty ku më së paku duhet. Nuk po ia duan gajretin edhe në dialogun e sapo rifilluar me Serbinë e Vuçiqit. Kjo natyrisht është e pakuptueshme, thua se nuk po e dinë së në pyetje është fati i Kosovës dhe fati i shqiptarëve në Ballkan.

Shumë kemi vuajtur si popull nga pushtuesit në tokat tona dhe të luajmë bixhoz me fatin tonë në kushtet e lirisë dhe pavarësisë , kjo askujt nuk i falet.

Në Bruksel dhe kudo tjetër mbrohet Kosova. Qeveritë shkojnë e vijnë e populli mbetet. Por, është jetike se si mbetet, plotësisht i lirë apo me gjysmë lirie dhe pavarësie. E keqja mbahet në mend më shumë se e mira, dhe duhet të na prek në ndërgjegje. Bisedimet me Serbinë, janë si patinazhi mbi akull… Prandaj, ju opozitarë kujdes se si po silleni dhe si po veproni, gabimi më i vogël në këto bisedime finale me palën serbe, do të na kushtojë shumë shtrenjtë të gjithëve …!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat