Kërkesën për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duhet refuzuar kategorikisht..!

Opinione

Kërkesën për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duhet refuzuar kategorikisht..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 17 qershor 2021 Në ora: 11:59
Rexhep Elezaj

Se, fajin kryesorë që faktorët ndërkombëtarë dhe miqtë tanë perëndimorë në krye me amerikanët dhe anglezët, nuk e kanë të qartë sa duhet prapavijën dhe qëllimin ogurzi të regjimit hegjemonist të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës, e kanë ish pushtetarët dhe ish politikanët që e kanë sunduar Kosovën në dhjetë vitet e fundit në krye me PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe NISMA-në, për këtë nuk ka asnjë dyshim!

Sepse, si është e mundur që 10 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel (2011) midis përfaqësuesve të  Kosovës dhe Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që pranë vendimit të prerë të Gjykatës tonë kushtetuese, me faktin se ajo marrëveshje në 23 paragrafë bije në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, etj., pra që miqtë tanë amerikanë, anglezë si dhe përfaqësuesit e BE-së për Kosovën, Borell dhe Lajçak, të kërkojnë edhe më tutje, bile me këmbëngulje të madhe, nga qeveria e Kosovës që ta formojë asociacionin në fjalë, siç doli dje kërkesa e ambasadorit amerikan, z. Kosnett dhe atij britanik, Abbott, se “qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë obligimet e marra për formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe në Kosovë”..!?

Pra, ku qëndron problemi që pas gjithë këtyre viteve miqtë tanë amerikanë, anglezë, etj., të mos e ndryshojnë qëndrimin e tyre karshi informatave, që pa dyshim i kanë, se në rast se ky asociacion formohet do jetë “bosnizim” i Kosovës, pra copëtim i brendshëm i shtetit mbi baza etnike, derisa me këmbëngulje po insistojnë dhe vazhdojnë të kërkojnë që qeveria e Kosovës duhet t’i “përmbushë obligimet e marra” për formimin e këtij asociacioni..!?

Jam krejtësisht i bindur, se ish qeveritë e Kosovës dhe udhëheqësit e tyre që nga viti 2011 e deri tek qeveria “Hoti” (shkurt 2021), përveç se ishin komplet të dështuara në mënyrën e bërjes së dialogut me Serbinë, pa arritur ta shënojnë asnjë rezultat në favor të Kosovës, ato/ata ishin të dështuar edhe në aktivitetin politik dhe diplomatik për t’ua shpjeguar deri në detaje miqve tanë dhe faktorëve ndërkombëtarë, se cilat janë qëllimet, strategjia politike dhe prapavijat e Beogradit zyrtar të cilat ai synon t’i realizojë në Kosovë me formimin e asociacionit të komunave serbe, se çfarë dëmesh dhe rreziku i kanosën shtetit dhe pavarësisë së Kosovës me formimin e këtij asociacioni, çfarë humbë Kosova dhe çka fiton Serbia politikisht dhe juridikisht, dhe kështu me radhë, shpjegime këto të cilat nuk i janë ofruar sa dhe si duhet miqve tanë perëndimorë nga ish qeveritë e mëparshme, gjë që për këto dështime flet qartë “status-quoja” në të cilën sot gjendet Kosova në raport me dialogun me Serbinë !

Dhe, si rezultat i gjithë këtyre dështimeve, tani kemi ardhur në situatën që qeveria “Kurti-II-” na u dashka t’i marrë përsipër dështimet e ish qeverive dhe udhëheqësve të mëparshëm, duke i korrigjuar gabimet e tyre për ta formuar asociacionin një etnik serb në Kosovë, gjë që do të ishte krejtësisht jo e drejtë, por edhe gabim i rënd politik të cilin, unë jam i sigurt, se kryeministri Albin Kurti nuk do ta bënë kurrë.

Se, a do ia dalë me iu përballuar kërkesave dhe presionit të shtuar amerikan dhe anglez, z. Albin Kurti, duke mos pranuar të formojë asociacion një etnik serb, siç po deklaron edhe vetë, mbetet çdo gjë në dorën e tij dhe qeverisë që ai udhëheq aktualisht. Siç jam i bindur se kryeministri Kurti nuk do iu nënshtrohet as shantazheve që po i bëhen çdo ditë e më shumë nga qarqe pro-serbe në Evropë dhe SHBA..!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat