Miroslav Lajçak dhe gjuha e tij e drunjtë e kohës së Luftës së Ftohtë kundër Kosovës!

Opinione

Miroslav Lajçak dhe gjuha e tij e drunjtë e kohës së Luftës së Ftohtë kundër Kosovës!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 17 qershor 2021 Në ora: 16:36
Miroslav Lajçak

Samir Behariç, hulumtues në Forumin Ballkanik ka deklaruar se i dërguari special i BE-sw për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kur është pyetur për liberalizimin e vizave të BE-së me Kosovën, është përgjigjur kësisoj: “Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”. “E pyeta Lajçakun se pse liderët e Ballkanit Perëndimor duhet t’iu besojnë premtimeve të BE-së, përderisa BE-ja ka dështuar që të liberalizojë vizat për Kosovën dhe të nisë bisedimet për pranimin e Maqedonisë së Veriut. Përgjigjja e tij ishte e neveritshme: “Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”, ka shkruar Behariç në Twitter.

Nuk e di nëse ia vlen të shkruash ose jo për këtë ngjarje, sepse ndoshta i japim më shumë rëndësi, një personaliteti jo aq serioz e të rëndësishëm si Lajçak, ose rolit të tij në BE. Por është me rëndësi të thuhet se Komisioni Evropian dhe sidomos i ngarkuari për Punë të Jashtme dhe Sigurinë në Evropë, zoti Borrell, duhet të reagojë dhe madje ta shkarkojë vartësin e tij nga detyra e koordinatorit në bisedimet Kosovë-Serbi.

Deklarata e këtij diplomati evropian "Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër", është jo vetëm shprehje e arrogancës politike e diplomatike. Duket hapur që Lajçak ka fobi për shqiptarët dhe muslimanët e Bosnjë-Hercegovinës. Me këtë deklaratë ai na zbulon edhe arsyen e shërbimeve të mëdha që i bën Serbisë dhe Rusisë në rajonin tonë. E megjithatë kryen një detyrë të rëndësishme në Komisionin Evropian, detyrë të cilën e ka kompromentuar disa herë me pohimet dhe veprimet e tij të papërgjegjshme!

Deklarata është gjithashtu shprehje e dëshpërimit të tij për faktin se Kosova po ia pamundëson zbatimin e projektit pro-serb të krijimit të një Serbie të vogël brenda territorit të shtetit të Kosovës! Ai po jeton nervozizmin e dështimit të vet në këto bisedime dhe arrin deri në absurdin e shpalljes së qëndrimit armiqësor ndaj njërës prej palëve për të cilën negocion. Absurdi më i madh është se ai i bën bisht detyrimeve që ka ndaj politikave të integrimit për Kosovën, për të cilën është përgjegjës. I shmanget përgjegjësisë për mosliberalizimin e vizave dhe qëllimisht kërkon që qytetarët e Kosovës të vijojnë të ndëshkohen derisa ai të arrijë qëllimet e veta pro-serbe. Prandaj duhet që presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ta paralajmërojë Lajçak-un dhe BE-në, se nëse Brukseli nuk liberalizon vizat, atëherë qytetarët e Kosovës do të pajisen me pasaporta të shtetit shqiptar. Siç ka bërë Serbia me bashkëkombasit e vet kudo në Ballkan!

Është interesant fakti që Miroslav Lajçak është kaq miqësor e lojal me përfaqësuesit e qeverisë serbe dhe presidentin Aleksandër Vuçiq. Edhe kur presidenti i Serbisë zhvillon marrëveshje e stërvitje të përbashkëta me ushtrinë ruse, Lajçak nuk është dëgjuar t'i thotë atij njëherë të vetme "Shko në Rusi"! Edhe kur Vuçiq erdhi në Kosovë dhe lavdëroi politikat "parimore" të Milosheviçit, ndërmjetësuesi i BE-së nuk e hapi gojën. Edhe kur kreu i delegacionit të Serbisë në prani të Lajçakut e kërcënon bashkëbiseduesin e tij të Kosovës, ai hesht dhe nuk flet.

Por mezi pret që t'u përgjigjet kritikave ose kërkesave të Kosovës, gjithnjë në mënyrë negative. Në këto kushte Lajçak nuk mund të jetë ndërmjetësues në bisedimet Kosovë-Serbi. Ndërmjetësuesit në çdo kohë kanë si funksion të lehtësojnë dialogun dhe të garantojnë marrëveshjet. Ndërmjetësuesit e BE-së, përfshirë Miroslavin, luajnë rol të njëanshëm, mbrojnë interesat e njërës palë e madje të palës që ka kryer agresion, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë, pra mbrojnë Serbinë. Mogherini dëshironte që t'i jepte Serbisë pasuritë më të mëdha të Kosovës, Lajçak këmbëngul që ta sjellë Serbinë në Kosovë.

Një Asociacion serb i duhet Beogradit dhe Lajçakut, që ta bëjë jofunksional shtetin e Kosovës dhe ta çojë atë në paralizë e falimentim. Që pastaj Serbia ta kishte gojën të hapur e të thoshte se "Këta (shqiptarët) janë të paaftë të bëjnë shtet"! E defunksionalizojnë shtetin, e bllokojnë vendimmarrjen e tij, e paralizojnë atë në veprimin e zbatimin e programit të qeverisjes dhe pastaj kthehen e thonë "Ju jeni të paaftë"! Këtë parabolë ka edhe shprehja e shefit të bisedimeve të Brukselit kur thotë, "Nëse nuk besoni te BE, shkoni diku tjetër"! Shqip, "Nëse nuk ju pëlqen BE, shkoni diku tjetër"! Një dëshirë e brendshme që Kosova të mos jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Një shenjë armiqësie e hapur për Kosovën e qeverinë e saj! Një qëndrim i kohës së Luftës së Ftohtë dhe një gjuhë e drunjtë si e asaj kohe ishte kjo deklaratë e tij!

Por deklarata e Lajçak duhet të jetë një mjet dhe provë e mrekullueshme për kryeministrin, presidenten dhe institucionet e Kosovës për ta gozhduar atë në përpjekjet që bën në interes të Serbisë e të Rusisë në Kosovë e në Ballkan! Sa herë që del në mbrojtje të Serbisë gjatë dialogut atij I duhet thënë: "Mjaft më me armiqësitë tua ndaj Kosovës"!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat