Hashimi dhe Isa ia lanë “këmbët e arushës në duar” Albinit për Asociacionin

Opinione

Hashimi dhe Isa ia lanë “këmbët e arushës në duar” Albinit për Asociacionin

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 19 qershor 2021 Në ora: 10:47
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Kohët e fundit po përflitet shumë për asociacionin, një marrëveshje e arritur në Bruksel në prill të viti 2013, por e nënshkruar në gusht të vitit 2015.

Asociacioni ishte themeluar në kuadër të 4 marrëveshjeve të diskutuara shumë: Marrëveshjen për Telekomunikacionin, Marrëveshjen për Energjinë, për lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë si dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova s’ka pse të brengoset për këto marrëveshje, sidomos për atë të Asociacioni i Komunave me shumë serbe, sepse këtë gjë e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese.

Konkretisht se disa pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni LDK-PDK konkretisht Isa Mustafa kryeministër, i cili edhe pse kishte pohuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive" dhe se "Marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës atë kohë, Hashim Thaçi pohonte se marrëveshjet "janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës". Por, doli se të dy kishin shkelur Kushtetutën, asnjëherë s’kishte dhënë dorëheqje si akt moral, vazhduan t’ia linin Kosovën këtë barrë që po e vuan edhe sot. Kosova s’ka pse mos të ketë asociacione, të cilat ndodhin gjithkund në botë, mirëpo jo në bazë etnike, për më tepër duke ditur synimet e Serbisë mbi Kosovën.

Këtë gjë duhet t’i bëhet e qartë edhe ambasadorit amerikan, se Kosova s’ka garancione që përmes asociacionit Serbia nuk do të tentojë të bëj shkëputjen e territoreve të banuara nga serbet.

Pra, duhet parë rreziku, të kërkohet garancione direkte nga SHBA, përndryshe ky asociacion në themel të saj cenon pavarësinë e Kosovës, e cila para se gjithash është meritë e vet SHBA. Shto këtu pastaj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin vet SHBA ka bërë thirrje që të respektohet.

Andaj, Kosova nuk guxon assesi të bie pre e lojërave serbe, të cilët shumë qartë po shihet se kanë synime ndarjen e Kosovës. Megjithatë, para se gjithash pesha e fajit iu bie Hashimit dhe Isës, të cilët nuk arritën të sjellin asgjë të mirë Kosovës me këto marrëveshje, shkonin me duar në xhepa, derisa pala serbe me qindra dokumente.

Kështu ndodh kur ke njerëz që shkojnë sa për sy e faqe, dhe kanë qëllim fatin e tyre personal dhe jo të shtetit, të ardhmes. Asociacioni është cenim direkt i pavarësisë, integritetit dhe sovraniteti të Kosovës, dhe si i tillë s’duhet lejuar të ndodhi, në formën dhe mënyrën që është nënshkruar në Bruksel.

Për qeverinë e re do të jetë sfidë e madhe që të rezistojë presionit të BE dhe SHBA për këtë gjë, mirëpo duhet që kjo gjë së paku të modifikohet, mos të mbetet kështu.

Nëse kështu pranohet asociacioni, siç është nënshkruar nga Isa dhe Hashimi, ky asociacion është dëm i pariparueshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Andaj , qeveria e Kosovës duhet të hartojë një strategji që të tejkalojë këtë të keqe për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat