Më mirë të tërhiqesh me kohë se sa të shkarkohesh pa dinjitet

Opinione

Më mirë të tërhiqesh me kohë se sa të shkarkohesh pa dinjitet

Nga: Xhavit Çitaku Më: 20 qershor 2021 Në ora: 15:25
Xhavit Çitaku

Siç dukët nga reagimi, Agim Veliu e ka marrë shumë afër zemrës shkarkimin e tij nga kryetari i Degës së LDK- së në Podujevë. Po i dukët se u “ kall” dynjaja. Po kërkon shokë e koleg që ta shpetojnë nga ai makth i madh. Por, siç edhe është pritur, ai më nuk po gjenë përkrahje, nuk po gjenë mbështetje. Nuk po i beson syve e as mendjes së tij se kjo mund të ngjanë dhe se në të vërtetë ka ndodhur. Hidhërimi i tij ka arritur shkallën më të lartë, ndërsa fajin për këtë “ tragjedi” politike po ia hedhë Kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhikut, por edhe tërë Kresisë së kësaj partie politike. Se sa është statutore shkarkimi i Agim Veliut kjo tashmë nuk është më rëndësi, me rëndësi është se këtë politikan me pervojë të gjatë ka qenë vështirë për ta larguar nga skena e udhëheqjes politike, mirëpo, siç dukët, Lumir Abdixhiku është i vendosur që të bëj ndryshime të mëdha në LDK dhe aq sa është e mundur t’ia kthej namin që dikur kishte ky subjekt politik, sidomos gjatë kohës së Dr. Ibrahim Rugovës. Në këtë ecje reformative ai po gjenë mbështetje edhe nga Kryesia e Partisë dhe po të vazhdoi me këtë ritëm, rezultatet sigurisht se nuk do të mungojnë.

Pozitën udhëheqëse askush nuk e ka me tapi

Në skenën politike shqiptare, në përgjithësi, sikur është vendosur një ligj i pashkruar se të gjithë udhëheqësitë e partive politike, qofshin në degë apo në nivel qendror, duhet të mbajnë atë pozitë përjetësisht pa marrë parasysh rezultatet e arritura gjatë punës e aktivitetit politik që zhvillojnë. Ka raste të shumta që flasin në favor të këtij konstatimi, të cilat i di e i njeh opiioni i gjerë. Njëri prej tyre është Isa Mustafa, i cili edhe pse kishte humbur tre palë zgjedhje në nivel nacional , fronin e të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës as që mendonte ta braktisë e lëre më që të jap dorëheqje si një akt, së paku, moral për disfatat e pësuara. Pas një presioni të madh që iu bë atij dhe Kryesisë, Isa Mustafa , por edhe krejt Kryesia dhanë dorëheqje tek pas humbjes së katërt. Këmbëngulësia e Mustafës për të mbetur kaq gjatë e me rezultate negative në krye të LDK-së la pasoja të rënda në këtë parti më të vjetrën në vend dhe kjo më së miri u pa në zgjedhjet e fundit, e cila u rendit në vendin e tretë dhe atë me rënien e numrit shumë të madh votuesve në Republikën e Kosovës. Të njëjtën gjë po e përseritë Kryetari i AAK- së Ramush Haradinaj, i cili jo që nuk i fitoi ndonjëherë zgjedhjet e përgjithshme në nivel vendi, por gjithnjë renditej partia e katërt përkah numri i votave të fituara. Pa marrë parasysh këtë rezultat të dobët, ai kurrë nuk e pa të arsyeshme që të dorëhiqet nga kryetarllaku dhe t’ia lëshoi postin kuadrove të tjera që i ka ka ky subjekt politik. Megjithatë, do theksuar faktin se Haradinaj personalisht ka fituar mjaft, sepse duke lidhur koalicione me partitë tjera, ka arritur të bëhet edhe Kryeminister, mirëpo, kur populli nuk ta jap atë mandat me votën e tij, ushtrimi i atij posti është goxha i padinjitetshëm. Bazuar në rezultatet shumë të dobëta të Partisë Socildemokrate, as Kryetari i saj aktual, Fatmir Limaj, nuk do të duhej të udhëhiqte këtë subjekt politik. Por edhe ai si të tjerët vazhdon ta drejtoj këtë parti sikurse nuk ka ndodhur gjë dhe bazuar në fjalët e tij të mëdha ta merrë mendja se në zgjedhjet e ardhshme ka me ba “ bum” nga rezultatet e mira që do të korr.

Kjo kryeneqësi karrieriste e lidërve politik në të gjitha nivelet është për të ardhur keq; ndaj edhe është e udhës që këta të reflektojnë njëherë e përgjithmonë se atë pozitë nuke kanë me tapi dhe shumë më mirë është që të tërhiqen me kohë se sa që të shkarkohen në mënyrën më të ulët të mundshme.

Hakmarrja ndaj votuesve

Secila parti i ka të përkdheluritë e vetë dhe pa marrë parasysh a kanë apo nuk kanë legjitimitet intelektual për ndonjë fushë të caktuar ata së paku propozohen për deputet të Kuvenit të Republikës së Kosovës. Fillon fushata zgjedhore dhe në tubime aq madhërohen ata simpatik partiak sa që me ato fjalë të tepërta e jashtë çdo mase të kufirit të së vërtetës, as ata vetë nuk e njohin vetveten. Pasi të përfundojnë zgjedhjet shumë prej tyre nuk e fitojnë numrin e domosdoshëm të votave për të qenë pjesë e organit më të lartë legjislativ të vendit. Mirëpo, kjo nuk ka rëndësi për ta sepse ata e kanë të sigurt një post në Qeveri, bile, së paku minister apo zëvëndësminister.Kjo sjellje në kundërshtim me verdiktin e popullit nuk është asgjë tjetër pos një hakmarrje e pastër ndaj votuesve, një injorim i besimit që ka populli ndaj kandidatëve të propozuar për t’u zgjedh deputet të Kuvendit të Kosovës. Kjo lojë e forcave politike të vendit në zgjedhjet e fundit u ndëshkua në masë të madhe nga votuesit dhe më ato subjekte poliike që vepruan kësisoj gjatë këtij mandati katërvjeçar nuk do të kenë rastin që t’i rehatojnë pa një bazë solide intelektuale të përkdhelurit t tyre. Ndaj kujdes për të ardhmen se durimi i popullit nuk zgjat pakufi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat