Shteti nuk është lodër argëtimi

Opinione

Shteti nuk është lodër argëtimi

Nga: Skënder Mulliqi Më: 21 qershor 2021 Në ora: 09:17
Skënder Mulliqi

Është shumë jo morale dhe antikombëtare për të gjithë ata, të cilët nuk e mbrojnë shtetin e ri te Kosovës! Rrënimi i shtetit është i dënueshëm më kushtetutë. Ligjet nuk bëhen vetëm për të qenë në letër, ato duhet të zbatohen.

Me paraqitjet dy fytyrëshe para mediave publike, nuk mbrohet reputacioni i shtetit dhe nuk mbrohet as kauza kombëtare. Ata që nuk e mbrojnë shtetin duhet të ndërrohen nga pushteti. Grupet politike që u krijuan pas luftës, bashkëpunuan ndërmjet veti, vetëm kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kauzës së përfitimeve personale , e jo sa duhet edhe për mbrojtjen e kauzës kombëtare.

Duhet të mësohemi gjithashtu se për gabimet edhe të vogla duhet të bëhen ndryshimet në pushtet. Të shkojnë nga postet ministra dhe mbarë struktura qeveritare. Vetëm në këtë formë mund të bëjmë shtet ligjor dhe shtet funksional. Vendimet që merren duhet të jenë konform Kushtetutës së Kosovës, e jo ndryshe.

Të largohen nga foltoret ata që po i nëpërkëmbin vlerat kombëtare. Nuk mbrohet Republika me matrapazë dhe diletantë politikë. Nuk ka pardon kur rrezikohet shteti dhe interesat kombëtare. Nuk vdiqën shumë martirë, dëshmorë dhe heronj të kombit, që të rrëzohet e ardhmja jonë.

Me metodat e shantazhit, pafytyrësive, ndërskamcave, dyfytyrësive apo edhe më shumë, nuk arrihen objektivat e shtetndërtimit dhe të mirëqenies. Politikanët, të cilët nuk ju përmbahen parimeve morale dhe kombëtare, nuk meritojnë të drejtojnë as një BT, e jo më shtetin.

Pasojat e politikave të mbrapshta tashmë po i shohim të gjithë. Nuk guxojmë të bëhemi shembull për të keq. Nuk guxojmë të mbesim në pozicionet e ngurta politike. Vendi ka nevojë për reforma përmbajtjesore, ka nevojë për personalitete të kompletuara të cilat, gjejnë rrugën e prosperitetit dhe të zhvillimit të gjithmbarshëm. Kosova ka nevojë për njerëzit, të cilët na inkuadrojnë në strukturën e BE-së. Shteti nuk është lodër argëtimi. Kosova më në fund me pushtetin e ri plebishitar, e ka rastin dhe mundësinë të zgjidhë të gjitha problemet, edhe pse për këtë duhet pasur durim dhe kohë, sepse grupet e deritashme përfituese në pushtet, na i kanë bërë llugë punët…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat