Deri kur do jetojmë me sindromin përçarës me mëri dhe urrejtje

Opinione

Deri kur do jetojmë me sindromin përçarës me mëri dhe urrejtje

Nga: Ruzhdi Peçani Më: 21 qershor 2021 Në ora: 09:21
Ruzhdi Peçani

Rrethanat e sotme politike në Kosovë janë tejet të tendosura, si kurrë njëherë. Kjo, në veçanti nga fushata parazgjedhore në 2020, që do të eskalojë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021. Me humbjen që pësuan partitë politike, tani në opozitë, që ishte një debakël për to, do përjetonin një frustrim të skajshëm. Dhe me konstituimin e kësaj legjistrature treguan me veprimet e tyre se do jenë një opozitë agresive - jo parimore dhe jo konstruktive. Këtë do e tregojnë në veçanti PDK dhe AAK, me zgjedhjen e Presidentes znj.Vjosa Osmani – Sadriu dhe Kryeministrit z. Albin Kurti, me sjellje denigrimi dhe do vazhdojnë me po të njëjtin avaz.

Leksiku i fjalëve të shëmtuara, që po hasim në mediat vizive, portalet dhe rrjetet sociale me fyerje deri në përshkallëzim me kacafytje në parlament, në legjislaturën e kaluar, në studio gjatë debateve, në Facebook, se ky komunikim i shëmtuar vjen dhe nga politikanë, analistë gazetarë, nuk munguan dhe fytyra publike, të cilat me leksikun e tyre të ndyrë përdorin sharje, fyerje dhe shprehje denigrimi si tradhtarë, për fytyrat historike, politikanë.

Nga e gjithë kjo, strumbullar i gjithë kësaj janë politikanët, deputetët, zyrtarë, pra janë partitë politike opozitare, që me veprimet e tyre në parlament, mediat vizive dhe rrjetet sociale kanë polarizuar dhe fragmentuar masën e shoqërisë në skajshmëri. Dy raste, kur mungon kultura e komunikimit dhe shkathtësia intrapersonale, kur krerët e opozitës nga averzioni që kanë ndaj U.D së Presidentit të shtetit i deklaron se “nuk është e mençur”. Kjo, jo vetëm si inkompatibile me kodin e sjelljes së politikanëve, po kalon edhe iracionalen?! “O tempora! O mores!”,ekzakt O kohë e mjerë! O njerëz të mjerë! Nga ta dëgjojmë, në parlament “jemi bërë si cirk”, po të ishte ashtu bile do argëtoheshim, por jo, seancat plenare po sjellin gërdi!

Po këta politikanë,kanë futur në vokabularin e tyre dhe fjalët më të ulëta fyese dhe denigruese, ndaj njëri -tjetrit, grupit dhe oponentëve dhe rivalëve të tyre politik si “budalla”, ”banda politike”, ”rrugaç”, ”tradhtar”, e çka jo tjetër. Të gjtha këto thuhen publikisht, në seanca parlamentare dhe në medie, duke acaruar mesin në parlament me fyerje dhe denigrim. Kjo një herë duhet flakur dhe të marr fund!

Paraqitjet dhe deklarimet e disa liderëve partiak dhe deputetëve, ndër ta edhe personalitete që mbajnë pozita të larta intelektuale deri në akademi, akoma ushqehen me vese dhe pasione naive, si ç janë egoizmi, xhelozia, karrierizmi dhe bajraktarizmi, por që shkojnë gjerë në urrejtje të skajshme. Kjo na bënë të kujtojmë se nuk kemi mësuar asgjë nga historia e jonë e hidhur dhe sillemi me të vjetrën, duke u përçarë. Kjo tregon shkurtpamësinë që kemi dhe kështu dhe në ditët e sotme mundësojmë hyrjen e djallëzive të Serbisë, kjo e cila në kontinuitet ka atakuar qenien tonë kombëtare.

Komunikimi agresiv në Kosovë, në vitin 2021, shënon rritjen alarmante në skenën politike dhe atë mediatike, ngase mediat dhe portalet kanë lëvizur kufirin e agresivitetit, janë bërë edhe më brutale dhe shumë nga to, defakto janë përshëndetur nga principet profesionale, kodeksit etik dhe gjuhës së tolerancës. Se komunikimi agresiv me urrejtje, ndaj pozitës, në veçanti drejtë kryeministrit Albin Kurti, Presidentes Vjosa Osmani - Sadriu, Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ministres Donika Gërvalla, të cilët janë “bombarduar” me afro 18 tekste mesatarisht brenda ditës me përmbajtje të ndryshme. Padyshim se këto portale dhe medie vizive janë të instrumentalizuar nga opozita, po dhe nga jashtë.

Mund të shtrohet pyetja, se informacionet që shfaqen në portalet mund të jenë të koordinuara nga ndonjë byro, ngase fitohet përshtypja se nuk u intereson e vërteta, por propaganda. Në to, nuk hasim një dimension politik kritik, por vetëm shprehje mllefi dhe urrejtje, t´i shkeli dhe asgjësoi. Në këso rrethana nuk ,kemi mendim kritik të opinionit. Mendimi i opinionit nënkupton pluralizëm,n dryshim mendimi, tolerancë, mirëkuptim ku dëgjohen të gjithë zërat. Por, aktualisht tek ne në Kosovë, urrejtja është bërë alfa dhe omega e opozitës.

Kështu tani morali është shkelur, si kategori inekzistente, nga ana tjetër politikanët që nuk mbajnë urrejtje, sipas tyre, janë të papërdorshëm. Kjo mendësi politike është padyshim patolologji.

Opozita, duhet veçuar LDK, me simulimet, manipulimet, gënjeshtrat dhe mashtrimet mundohet të krijojë të vërtetën e rreme, jo ashtu si është, por ashtu si kërkon propaganda që të duket në sytë e atyre që bien “viktima”. Ngase aty ku mbillet urrejtja dhe përqafohet logjika, mendja dhe logjika nuk ndihmojnë. Këtu empatia dhe altruizmi ndaj të tjerëve nuk ekziston, nuk ekziston inteligjenca morale. Nobelisti Kaneti, kishte thënë se njerëzit më të zëshëm i shkojnë pas liderit paranoik.

Kritikat ndaj rezultateve të Kryeministrit Kurti, nuk u lënë përshtypje, ngase i le pa argument. U pengon fakti se Kryeministri çdo ditë e më shumë merr mbështetje nga qytetarët dhe analistë politik kredibil në Kosovë po dhe nga Shqipëria.

Megjithatë, kundërshtarëve të Albin Kurtit nuk u intereson rezultati i veprimeve të tij, as edhe të arriturat e Kosovës. Opozita ka vetëm një qëllim – denigrimi dhe shkarkimi dhe rrëzimi i Qeverisë me çdo kusht, por kjo që kryeministri po bënë për Kosovën ua vështirëson punën. Kështu kanë zgjedhur mënyrën dhe formën më të ulët të atakojnë kryeministrin Kurti me bashkëpunëtorët dhe Presidenten Vjosa Osmani, në mënyrën më brutale të linçimit, që kurrë asnjëherë asnjë kryeministër dhe President vendi nuk është atakuar kështu. Sipas logjikës së tyre çdo metodë kundër Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit është e lejuar “qëllimi e arsyeton mjetin”. Dhe kjo, jo vetëm ndaj tyre po edhe familjarëve të tyre.

Një pjesë e gazetarisë hulumtuese, që promovohen, gjitha këto i injorojnë, ngase nuk kanë të bëjnë me gazetari hulumtuese, por me një propagandë të dukshme, që u shkon në llogari atyre që për qëllim kanë goditjen e pushtetit dhe çfarëdo ecje të Kosovës, e cila falë politikës së Albin Kurtit pandalshëm po lëviz tatëpjetës. Dhe për këtë Kryeministri dhe kjo Qeveri urrehet. Urrehet aqë shumë sa në disa shkrime portalesh do e krahasonin, si shkatërrues, me Neronin.

Në mendësinë e opozitës qëndron “urrejtja si politikë”, po fituan, do thotë se të tjerët janë të mundur. Sa më shumë që prodhohet dhe rritet urrejtja, fitorja për ta do ishte më e ëmbël, e humbja më e madhe. Ky është kuptimi i politikës që sot bënë opozita, ta mundësh pozitën duke e urryer. Kjo është fusha e urrejtjes, përçarjes dhe animozitetit kolektiv të cilit do lloj, me dinakëri ,ndaj pushtetit.

Kur merret parasysh dialogu me Serbinë në Bruksel, si dialog shumë kompleks, Kosova gjendet në pikën infleksive, e që pritet që me prezencën edhe të SHBA, lakorja nga kjo pikë të shënoj ngritjen. Ky dialog mban edhe peshën kombëtare. Me që pajtohemi për këtë atëherë opozita të lej djallëzitë dhe t´i qëndroj pranë kryeministrit. Po, dhe “Shqipëria nuk mund të guxojë t’i japë frymëmarrje diplomatike dhe alibi Serbisë duke qarkulluar tezat serbe të “pamundësisë së njohjes”. Dashuria e qeverisë së Shqipërisë për Amerikën nuk ka asnjë kuptim pa dashurinë e qeverisë së Shqipërisë për Kosovën.”

Dhe që të ia dalim, nga që ende jemi në gjumë dhe nuk po shohim kobin brenda nesh. Që të mund ta heqim kobin, duhet të kemi sytë dhe mendjen e kthjellët, fuqi dhe vullnet ta shkulim nga vetvetja. Pra të kujtohemi se fatkeqësitë më të mëdha na i sollën mërit, përçarjet, zënkat, inatet, pasionet e sëmuara për pushtet dhe individualizmi i nemur. Pra mungesa e ndjenjës kolektive.

Thënë shkurt, përsa në mes nesh ekziston sindromi i përçarjes, ne vetëm sa vërtetojmë konstatimet që na ishin bërë: “Dhjetë shqiptarë dymbëdhjetë mendime”- Gelbart, “Kosova po digjet ju po grindeni”- Gruber, “Të gjithë shqiptarët duhet të flasin me një zë”- Solana dhe shumë konstatime tjera të ngjashme. Athua këto konstatime dhe sugjerime të te huajve dëshmojnë se më mirë na njihnin të tjerët se ne vetveten. Dhe athua ,dhe sot, më mirë po e njohin të tjerët peshën e çështjes sonë se sa ne vet?!

Dua të besohet thellë, se asnjëra palë ndërshqiptare nuk ka të bëjë fare me tradhtinë e interesat të Kosovës, por e keqja qëndron tek mentaliteti dhe shpirtngushtësia, që u jep peshë më tepër interesave individuale dhe partiake, sesa çështjeve madhore, siç janë liria, pavarësia, shtetësia , dhe sovraniteti i vendit.

Sot, në çastet më dramatike të historisë sonë të re, po duam vërtet të mbijetojmë si komb dhe të bëhemi shtet, duhet shëruar të gjitha mërit dhe përkrah Kryeministrit dhe besimin me gjithë forcën në aleancë me miqësinë, me aleatin tonë të njëmendtë. E aleat i yni, në këto ditë të vështira, s´mund të jetë askush pos Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Presidentin Joe Biden.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat