Leksioni nga Finlanda

Opinione

Leksioni nga Finlanda

Nga: Dr. Sadri Ramabaja Më: 21 qershor 2021 Në ora: 16:49
Dr. Sadri Ramabaja

Finlanda e sukseseve dhe ngjitjeve në piramidën e Shkollës-model, gjatë periudhës së pandemisë shënoi edhe një sukses të madh. Ai e bën Finlandën sërish model në rrafshin global për mbështetjen në procesin e të nxënit në distancë.

Pse inovacioni ka sukses në Finlandë?

Të dhënat shkencore që vështirë se njihen në shkallë të gjerë, kur përvetësohen në masë të gjerë, japin rezultate vendimtare. Në këtë rrafsh rol të madh luan edhe administrata shkollore e dimensionuar dhe e përqëndruar. Finlanda ka vetëm dy nivele të qeverisjes në sistemin e saj politik: qeverinë qendrore dhe bashkitë. Në këtë plan, sistemi ynë politik e arsimor, është krejtësisht kompatibël me atë të Finlandës. Por, diferenca është në prioritetin që i jep qeveria qendore sistemit të arsimit. “Çanta shpine tradicionale” finlandeze është shumë më e lehtë se e jona; atë ne e kemi mbushur duke përvetësuar sisteme arsimi të shteteve që kanë traditë tejet të gjatë, ndërkaq Finlanda e ka dizajnuar sipas koncepteve moderne pa ngarkesa të tepruara nga shkolla pedagogjike e shek. 19-të.

Në Skandinavi, njerëzit merren me të dhëna personale në një mënyrë liberale edhe në raport me shtetin; të dhënat elektronike të shëndetit, për shembull, nuk shkaktojnë debate atje, konstaton Ernst Smole ish këshilltar i Ministrave Federal të Arsimit në Austri, Fred Sinowatz, Herbert Moritz und Helmut Zilk.
Testimi transparent i performancës së studentëve, shkollave dhe mësuesve është jo vetëm i mundur në Finlandë – por edhe fare i vetëkuptueshëm. Liria e të dhënave finlandeze bazohet në faktin se ka më shumë besim në shtet dhe ka arsye historike për këtë.

Ernst Smole merr në konsideratë edhe rolin e ndjeshmërisë që kanë shoqëritë protestante / luterane / kalviniste; ato janë nganjëherë shumë të hapura ndaj inovacionit dhe vlerësojnë konceptin e arritjeve dhe sipërmarrjen private më pozitivisht sesa zonat kulturore me karakteristika të tjera emëruese.
Në Finlandë, përgjegjësia, jo rrallë, “përqëndrohet tek individi”, përderisa në dy republikat tona (Shqipërin politike dhe Kosovë), ka tendenca tutje që përgjegjësia të mbahet në nivelin kolektiv. Si rregull, derisa në Finlandë, një person i vetëm kompetent, që gëzon besim maksimal, vendos kush pranohet në kursin e trajnimit të mësuesve, tek ne kjo kompetencë formalisht i bartet komisioneve, drejtorive komunale etj.

Finlandezët mendojnë dhe veprojnë duke u bazuar në nevojat pragmatike të ekonomisë.
Këtë frymë ekspertët e arsimit e bartin në shkolla, duke marrë në konsideratë se reforma në arsim është e përhershme dhe në ndërlidhje me nevojat e tregut. Ndërkaq fakti se fëmijët atje kanë zell të theksuar për të përvetësuar jo vetëm dijet teorike, por edhe ato praktike, flet në të mirë të tiparit sistematik të praktikës shkollore finlandeze.

Ky qëndrim i ka dhënë mundësi të shkëlqyera shkollës finlandeze të ndërlidhet me ekonominë, duke i përmbushur nevojat për punëtorë të kualifikuar.
Shkolla jonë, me fare pak ndërhyrje nga politika në lëmin e arsimit, këtë ndërlidhje do të mund ta bënte në kohë rekord. Sektorët e ekonomisë sonë si: ai i minerareve, i turizmit, i bujqësisë dhe sidomos ai i shërbimeve dhe tekniko-teknologjisë informative, qysh tashti e ndjejnë ungesën e kuadrit të kualifikuar. Në këtë sferë mundësitë tanimë janë reale.

Ne duhet të imitojmë Finlandën – por duhet të jemi të vetëdijshëm për nevojat urgjente që ka për ndërhyrje në reformimin e sistemit tonë të arsimit. Ministritë tona të arsimit tani i kanë gjasat reale ta marrin më të mirën të mundshme nga sistemi finlandez. Ndërlidhja e vullnetit politik, e dashurisë për shkollën dhe arsimin përgjithësisht – që thënë realisht ka një traditë të mirë në të dy republikat tona që nga epoka e Rilindjes, e bën hedhjen e hapit drejt modernizimit të arsimit edhe më shpresëdhënës. Ndërkaq nevojat për thellimin e dijeve në lëmin e teknologjisë informative në shkallë të gejrë, shfrytëzimit të platformave të nxënies nga distanca tutje edhe pas mundjes së pandemisë së Virusit Covid 19, e bëjnë reformën edhe më imediate.
Reforma nënkupton krijimin e parakushteve për pensionimin të parakohëshëm të të gjithë personelit me moshë mbi 55 vjeç, si hap i parë, siç është bërë me minatorët e Trepçës vite më parë.

Prandaj politikat arsimore duhet trajtuar si sferë e interesit jetik, jashtë politikës së përditshmërisë, përtej vijave të partisë, me qëllime të përbashkëta.
Na duhen nisma ekselence në të gjitha nivelet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat