Ku mbeti çështje e lobimit në botë për rritjen e numrit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, pse heshtë MPJD-së...!?

Opinione

Ku mbeti çështje e lobimit në botë për rritjen e numrit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, pse heshtë MPJD-së...!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 12 korrik 2021 Në ora: 13:28
Flamuri i Kosovës

Ndryshimi politik që ka ndodhur në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit me votën e sovranit, erdhi si shpresa e fundit për qytetarët e Kosovës, se do bëhen kthesa rrënjësore, si në mendësinë politike, ashtu edhe në jetësimin e normave të reja juridike, ekonomike dhe sociale në shtet-bërjen e mëtutjeshme të Kosovës.

Mirëpo, çfarë po ndodhë në praktikë në realizimi e këtij Ndryshimi të ri politik, konform premtimeve elektorale, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, kjo çështje mbetet për t’u pa në muajt e ardhshëm, por nëse bazohemi në të arriturat e para gjatë katër muajve të qeverisjes së re, treguesit e parë lënë shumë për t’u dëshiruar, në veçanti kur është fjala për njërën ndër katër shtyllat më kryesore të çdo shteti, siç është politika e jashtme nacionale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës me botën e jashtme!

Me shumë keqardhje duhet pranuar faktin, se ky resor kyç për shtetin tonë, gjegjësisht se Ministria për Punë të Jashtme dhe diasporë (MPJD), qëkur Kosova është pavarësuar me 17 shkurt 2008, ka qenë hallka më e dobët e shtet-ndërtimit, duke filluar nga mungesa e pajustifikueshme e një Platforme dhe një Programi nacional në planin e politikës së jashtme të Kosovës, të aprovuara nga organi më i lartë legjislativ i shtetit, siç është Kuvendi i Kosovës. Madje, kaptinë e veçantë e mossukseseve në këtë plan ka qenë, pa asnjë dyshim, emërimi i gjithë ish ministrave sipas vijës partiake, njerëz fare të papërvojë në politikën e jashtme dhe diplomaci, po ashtu, emërimi i ambasadorëve, konsujve dhe stafit diplomatik, njerëz të papërvojë në një fushë kaq komplekse siç është diplomacia, kryesisht militant partiak e deri tek zhvatja pa asnjë rezultat konkret të miliona eurove nga buxheti edhe ashtu i varfër i shtetit të posa lindur të Kosovës..!?

Ndërlidhur me këtë që u tha më lartë, jam më se i bindur, se asnjëri nga ish ministrat për punë të jashtme, por edhe politikanët tjerë, nuk e kanë pasur të qartë faktin, se pavarësia e Kosovës ka qenë akt “Sui-generis”, e jo proces i rregullt i cili ka kaluar përmes KS të OKB-së, siç ka ndodhur me Slloveninë, Kroacinë, Maqedoninë, etj., dihet, për shkak të përdorimit të vetos nga Rusia dhe Kina, duke kaluar në  solucion “B” përmes aprovimit të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, kryekëput falë qëndrimit të miqve tanë amerikan.

Pra, çështje e njohjes së pavarësisë së Kosovës u la në vullnetin e shteteve, anëtare të OKB-së, që secila në mënyrë individuale ta njohin, apo mos ta njohin pavarësinë e Kosovës, proces të cilin e dimë të gjithë se si ka rrjedhur deri më sot, kryesisht ende jo i favorshëm për ne, ngase për t’u anëtarësuar në OKB si anëtare e barabartë, Kosovës i nevojitën për anëtarësim së paku 2/3 (143 shtete) nga numri i përgjithshëm prej 192 shteteve anëtare të OKB-së.

Nisur pra nga ky fakt, shtrohet pyetja, ku mbeti lobimi i MPJD-së për t’i bindur sa më shumë shtete të botës që ta njohin pavarësinë e Kosovës, ku që nga dita e parë pas 17 shkurtit 2008, lobimi është dashur të jetë detyrë dhe obligim primarë kombëtar dhe diplomatik i çdo ministri të jashtëm të Kosovës, i secilit ambasador, konsull, këshilltar, sekretar, punëtor teknik etj., pra një angazhim i përditshëm kudo dhe në çdo kohë, me qëllim që të arrihet sa më shpejt numri i nevojshëm i shteteve njohëse të pavarësisë së Kosovës.

Duhet cekur këtu faktin absurd, se lobimi duke blerë me të holla njohjet nga disa vende afrikane, siç bënte një ish ministër në një kohë, ka qenë akti më qesharak i mundshëm, kur dihet se çështja e njohjeve bie ekskluzivisht në kompetencat dhe domenin e detyrave të shtetit, pra e MPJ-me, e jo individëve, pa marrë parasysh forcën financiare që mund ta kishte ndonjëri prej tyre, ngase akti i njohjes së pavarësisë të një shteti nga një shtet tjetër, është çështje puro politike, diplomatike dhe gjeopolitike, e jo çështje e individit apo vetëm e një ministri..!?

Andaj, shtrohet pyetja, ku mbeti angazhimi dhe përpjekjet e MPJD-së në planin e lobimit tek vendet e botës për ta rritur numrin e njohjeve, pse heshtë MPJD-së, pse nuk ka asnjë veprim në intensifikimin e përpjekjeve për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare siç janë, OESB-ja, UNDP-ja, WHO, FAO, UNHCR, etj., në agjencitë e specializuara të OKB-së, siç është Fondi ndërkombëtar për zhvillim të bujqësisë, IFAD, Organizata ndërkombëtare e punës, ILO, Unioni ndërkombëtar i telekomunikacionit, ITU, UNESCO, UNIDO, Organizata ndërkombëtare për zhvillim, IDA, Organizata botërore e meteorologjisë, WMO, Organizata për ndalimin e armëve kimike, OPCW, Organizata botërore e turizmit, UNWTO, Organizata botërore e tregtisë, WTO, etj., po ashtu anëtarësim në organizata rajonale si, Liga arabe, Konferenca islamike, Bashkësia e shteteve të pavarura, CIS, Organizatat sindikale ndërkombëtare dhe evropiane, ITUC dhe ETUC, etj. etj..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat