Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës (18 mars 2018), është e pazbatueshme..!?

Opinione

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës (18 mars 2018), është e pazbatueshme..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 13 korrik 2021 Në ora: 15:22
Rexhep Elezaj

Shkak i këtij reagimi është titulli i shkrimit të sotshëm në “Koha Ditore” online me titull: Mali i Zi i përgjigjet Kosovës: “Marrëveshja për demarkacionin duhet të respektohet” (13 korrik 2021) në të cilin, ndër të tjera thuhet, po citojmë; “Duke komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se do të bëjë çmos që “të korrigjojë” marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të vitit 2018, kryeministri malazias, Zdravko Krivokapiq, ka thënë se marrëveshja është valide dhe se ajo duhet të respektohet. Dy grupet e ekspertëve kanë konstatuar gjendjen dhe është ndërkombëtarisht e verifikuar dhe s’shoh arsye pse të ngrihet kjo çështje”, ka thënë Krivokapiq.

Ndërsa e vërteta e kësaj marrëveshjeje është krejtësisht ndryshe nga ajo që e ka thënë kryeministri malazez, Krivokapiç, ashtu siç mendojnë njëjtë si Krivokapiçi edhe shumë politikanë shqiptar në Prishtinë, ngase sikur në tekstin e Projektligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Nr.: 06/L-060, ashtu edhe në Notën zyrtare dërguar qeverisë së MZ, në mënyrë decidive thuhet; “Në bazë të neneve 18 dhe 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në bazë të Deklaratës së përbashkët të Presidentit të Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, Sh. T. Z. Filip Vujanoviq të datës 16.02.2018, Kuvendi i Kosovës, Miraton:

LIGJIN PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES PËR KUFIRIN SHTETËROR NË MES TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE MALIT TË ZI, ku në Nenin 2. shkruan: “Dispozitat e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë me datën 26 gusht 2015, nëse ka fakte të reja ligjore, mund të ndryshohen dhe plotësohen me pëlqimin e palëve. Dispozitat e kësaj marrëveshjeje mund të ndryshohen sipas procedurës së njëjtë të paraparë për miratim. Me pajtimin e palëve, për ndryshimin e dispozitave të marrëveshjes mund të kërkohet edhe Arbitrazh ndërkombëtar”, gjë që siç dihet pjesë e këtij ligji është pikërisht Deklarata e përbashkët e dy presidentëve, atij të MZ, Filip Vujanoviç dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçit, në të cilën thuhet, se me rastin e demarkimit të kufirit do bëhen korrigjime në drejtim të Çakorrit dhe Kullës, për të cilin qëllim qeveritë e dy vendeve do formojnë komisionet përkatëse ndërkufitare për korrigjimin dhe shënimin e kufijve të ri..!?

Pra, kanë kaluar tri vite e gjysmë nga dita kur është ratifikuar kjo marrëveshje në Kuvendin e Kosovës (18 mars 2018), por deri më sot dy komisionet në fjalë nuk janë formuar ende, asnjëherë nuk kanë dalë në teren, siç nuk janë vendosur ende as shenjat e reja kufitare midis Kosovës dhe MZ, e që nënkupton se Marrëveshja në fjalë në asnjë variant të mundshëm juridik nuk ka mundur të hynë në fuqi pa u bërë korrigjimi dhe përcaktimi i ri i kufijve shtetëror. Prandaj, një konstatim dhe deklaratë e tillë e KM të MZ, Krivokapiç si dhe e atyre që mendojnë sikur ai, nuk qëndrojnë as juridikisht dhe as praktikisht në teren, ngase ende nuk është vendosur asnjë gurë i këtij kufiri.

Dhe kjo flet shumë qartë, se ish qeveria “Haradinaj” dhe ajo “Hoti”, as nuk e kanë formuar komisionin ndërkufitar me MZ për korrigjimin e kufijve drejt Çakorrit dhe Kullës në Zhleb, siç shkruan në Deklaratën e dy presidentëve, dhe as nuk është bërë shënjimi i kufijve shtetëror midis dy vendeve me asnjë shenjë dalluese. Madje, për të qenë tragjikomedia më e madhe e gjithë këtij dështimi, ish kryeministri Hoti, derisa ishte në detyrë e ka shkarkuar Komisionin “Bulliqi”, duke e lënë kështu Kosovën pa këtë Komision të rëndësishëm qeveritar, i cili ka obligim kushtetues që të kujdeset për mirëmbajtjen dhe menaxhimin ligjor të kufijve shtetëror të Republikës së Kosovës, i cili ende nuk është formuar..!?

Rruga e vetme kushtetuese dhe ligjore për “kthimin” e 8300 hektarëve toka të trevës së Rugovës nën sovranitetin e Kosovës, është abrogimi i Ligjit Nr.: 06/L-060 si dhe DERATIFIKIMI i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë me 26 gusht 2015, nga Kuvendi i Kosovës sipas procedurës së paraparë me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, duke e kthyer kufirin aty ku ishte me Kushtetutën e vitit 1974.

Përndryshe, mos definimi dhe zgjidhja e çështjes së kufirit me MZ, në vijën kufitare 70 km nga Çakorri deri në Kullë, paraqet rrezik permanent për banorët e kësaj zone kufitare, sepse kjo paqartësi mund të çon në konflikte ndërkufitare me pasoja të rënda në raportet ndër fqinjësore Kosovë-Mali i Zi..!

P.S. Autori i këtij shkrimi, vije nga fshati Haxhaj, Rugovë, i cili shtrihet mu në kufirin me Malin e Zi.      

Image
Kështu dukej atë ditë salla e Kuvendit kur u ratifikuar marrëveshje për demarkacionin me MZ, ishte vetëm LVV-je ajo e cila e kundërshtonte miratimin e asaj marëveshjeje antikombëtare! 
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat