Lumiri i nënshtrohet Lutës!

Opinione

Lumiri i nënshtrohet Lutës!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 20 korrik 2021 Në ora: 13:44
Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri

Duhet të jenë të dëshpëruar dhe me të drejtë, të gjithë ata që mendonin se me Lumir Abdixhikun kryetar të LDK-së merr fund garda e vjetër në këtë parti. Konfirmimi nga ana e LDK-së në Gjilan që Luta të jetë kandidat edhe për një mandat tjetër, shpalos më së miri mungesën e Lumirit për të bërë reformat e thella në LDK. Luta i takon gardës së vjetër e cila u ndëshkua në mënyrën më të keqe të mundshme nga elektorati, me LDK-në që mori rezultatin më të dobët në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit të këtij viti.

Një individ, kushdo qoftë ai, konsumohet duke qenë katër mandate kryetar komune, për më tepër duke synuar edhe të pestin. LDK, me këtë dëshmoi se s'ka guxim të bëjë reforma, s'ka guxim të largojë ata që kanë sjellë dëshpërim dhe zhgënjim të madh. Mos të harrojmë se në zgjedhjet e 14 shkurtit, Luta pësoi debakël në Gjilan, me VV-në që mori mbi 50 % të votave në këtë komunë.

Ndonëse zgjedhjet lokale ndryshojnë, gjithsesi Luta së bashku me Isën, Agimin, Skenderin dhe disa të tjerë janë fajtorët kryesorë të debaklit të 14 shkurtit. Këtë gjë është dashur ta ketë parasysh Lumiri, i cili ka ardhur në krye të LDK-në në emër të reformave, reforma të cilat s'po i bën. Nuk është reformë të rikandidosh njerëzit e njëjtë që i ka kandiduar Isa, ose me saktë kanë qenë njerëz të afërt të tij. Shto këtu që Luta njihet edhe si kumbara i koalicioneve me PDK-në, koalicion që ka thyer zemrat e votuesve besnik të LDK-së dhe dr.Rugovës.

Luta ishte mbështetësi kryesor i idesë së Hashimit për shkëmbim territoresh, një ide serbo-ruse që synonte favore për Serbinë në dëm të Kosovës dhe interesave shqiptare. Vetëm për këtë gjë Luta nuk është dashur të kandidohet, duhet të izolohet nga ndikimi i tij në LDK. Lumiri është dashur të mos kandidojë Lutën, kështu do të jepte një mesazh të fortë për reformat që e proklamuara si të nevojshme, dhe të cilat sjellin frymë të re, energji të reja dhe mbi të gjitha japin hapësirë të rinjve për të qenë promoterë të zhvillimeve. Lumiri që vazhdimisht thirret tek të rinjtë, me kandidaturën e Lutës çfarë mesazhi u ka dërguar të rinjve: nuk i lëshojmë të vjetrit, sado të përgatitur që të jeni (të rinj), janë vetëm fushatë ato që flasim, të rinjtë i duam vetëm për vota por jo për tu dhënë përgjegjësi. Me këtë veprim Lumiri ka dëshmuar se nuk është lider që ka guxim, një mashtrues që s'ka as guxim, as ide dhe as vizion për të ecur tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat