Mos ia përmend vrasjen e 1.133 fëmijëve

Opinione

Mos ia përmend vrasjen e 1.133 fëmijëve

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 21 korrik 2021 Në ora: 21:42
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Gjenocidet duhet përmendur gjithmonë Serbisë, derisa të kërkojë ndjesë, por edhe pastaj. Kush guxon t'u thotë hebrenjve mos i përmendni plojat që u janë shkaktuar, sepse ka kaluar shumë kohë!? 

Përmendja e gjenocideve pengon kërkesa maksimaliste serbe. Ai që ballafaqohet me krimet e shtetit të vet, nuk mund të presë shpërblime! Për ato gjenocide shumica e shqiptarëve di pak, e aq më pak di Vuçiqi apo politikanët europianë!!!

Shteti serb kërkon republikë për serbet, por nuk ofron asgjë për Luginën. Ata besojnë në epërsinë racore serbe! Pse duhet të besojmë edhe ne dhe të themi:„Mos ia përmendi se i di ai!“ 

E ku di ti se çfarë di Vuçiqi? Ose, prej nga e di ti se ai di për gjenocidet sa di libri, që nuk e pranoi?

Të thuhet mos ia përmend Vuçiqit tragjeditë e shkaktuara nga shteti serb, d.m.th. mos ia merr ftyrën jashtë vendit. Kjo është mënyra më e mirë për ta shndërruar Serbinë në viktimë. Albini nuk është profet, as i pagabueshëm, por për inat të tij, nuk duhet mbështetur Serbinë! Albin Kurti nuk është zot, por është më i miri që kemi! 

Edhe pse asnjë serb nuk shqetësohet në Kosovë, politikanët serb vazhdimisht flasin për serbët e rrezikuar. E çfarë thonë tanët? Mos ia përmend tragjeditë që na ka shkaktuar, se pengohet zgjidhja!

Shqiptarët e Luginës nuk kanë shkuar të jetojnë në Serbi, por i ka pushtuar Serbia!

Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë emigruar në Maqedoni, por i ka pushtuar dhe shkëputur Serbia nga Shqipëria duke i masakruar dhe duke vrarë edhe fëmijë.

Kosova nuk është në këtë gjendje pse e zgjodhi vetë, por pse e pat pushtuar dhe shkëputur Serbia!

Asnjë shtet nuk ka dëmtuar kombin shqiptar sa shteti serb. Kjo duhet të përmendet në çdo takim duk i rikujtuar fragmentet shqiptare: shqiptarët në Mali të Zi, në Maqedoni, Lugina, Kosova, diaspora, shqiptarët në Turqi, të gjithë ata janë pasoja tragjike të shkaktuar nga shteti serb! Dhe, nuk ka kërkuar kurrë ndjesë. E ti thua, mos ia përmend! TURP! Dhe armatoset ende dhe po të guxonte, do ta sulmonte sot Kosovën! E ti? Mos e nervozo Serbinë!

Mos ia përmend vrasjet e1.133  fëmijëve, se kështu pengohet zgjidhja! Mos i përmendi se ai i di! Sa poshtë kemi rënë! Jemi fundosur moralisht e intelektualisht, por mendojmë se dimë tepër shumë sa mund ta mësojmë Kryeministrin se çfarë duhet të flasë, çfarë jo! Apo ndoshta po e bëjmë se prisnim shpërblim prej tij dhe tani hakmerremi?!

A thua si do të reagonin sikur t'ishin vrarë fëmijët e tyre? A do të kërkonin heshtjen?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat