Rreth projektligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj

Opinione

Rreth projektligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj

Nga: Av. Faik Miftari Më: 21 korrik 2021 Në ora: 21:51
Faik Miftari

Me datë 22. 06. 2021 Qeveria e Republikës së Kosovës e ka aprovuar Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, dhe me 24.06.2021 e ka proceduar Projektligjin Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim të mëtutjeshëm në procedurën e rregulltë .

Projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, ka kaluar në të gjitha fazat procedurale të parashikuara me Rregulloren e Qeverisë së Kosovë, atë që dispozitat e këtij ligji janë në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocijimit, si dhe përafrimin e këtij Ligji me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Projektligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës i është bashkëngjitur edhe Memorandumi shpjegues i Qeverisë së Republikës së Kosovës, vlerësimi i ndikimit financiar dhe opinioni ligjor.

Në këtë vështrim të Projektligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës do të ndalem në 2 çështje me rëndësi të këtij Projektligji, atë të diskriminimit të shtetasve të huaj lidhur me fitimin e drejtës pronësore në Republikën e Kosovës si dhe të drejtën e shtetasve të huaj që në pronësinë e fituar në sendin e paluajtshëm në Kosovë të kenë të drejtë të menaxhojnë lirshëm në kuadër të drejtës pozitive në fuqi në Republikën e Kosovës.

E para, ka të bëjë saktësisht me nenin 9 par. 2 i cili thekson:” Personat e shteteve të BE-se mund të jenë bartës të së drejtës së pronësisë mbi sendet e paluajtshme nën kushte të njëjta me shtetasit e Kosovës, përkatësisht, në rastin e personave juridik, me kushte të njëjta si personat juridik të Kosovës, në bazë të parimit të mos diskriminimit”.

Është për t’u habitur se si përpiluesi i këtij Projektligji, Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe pse thirret në mos diskriminim të shtetasve të huaj për fitimin e drejtës së pronësisë mbi sendet e paluajtshme, pikërisht është vet ajo që bën diskriminimin e shtetasve të huaj, duke i favorizuar shtetasit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, kundrejt shtetasve të shteteve tjera të rajonit, Evropës dhe botës.

Për shtetasit e huaj të shteteve tjera të rajonit, Evropës dhe botës, përpiluesja e këtij Projektligji, Ministria e drejtësisë parasheh të drejtën e fitimit të pronësisë në sendet të paluajtshme në bazë të drejtës së reciprocitetit me kushte të njëjta me shtetin shtetasi i të cilit është, por për shtetasit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të drejtën e reciprocitetit hartuesja e Projektligjit e ka përjashtuar. Me këtë nënkuptohet, se për shembull në rast se një shtetas i shteteve të rajonit, p.sh. i Shqipërisë apo i Turqisë, apo i shteteve të Evropës apo të Amerikës, p.sh. Britanisë së Madhe apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dëshiron të fitojë të drejtën e pronësisë mbi sendet e paluajtshme në Kosovë, këtë të drejtë mund të realizojnë poçese me reciprocitet i është lejuar në legjislativin e këtyre shteteve e njëjta gjë edhe për shtetasit e Republikës së Kosovës, gjë që është praktikë e zakonshme në drejtën ndërkombëtare.

Për dallim nga ky reciprocitet i paraparë për shtetasit e shteteve të huaja të rajonit, Evropës dhe botës, reciprociteti për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk parashihet fare, që do të thotë që një shtetas i huaj i shtetit anëtar të Bashkimit Evropian, p.sh. i Gjermanisë apo Kroacisë, mund të fitojë të drejtën e pronësisë në sendet e paluajtshme në Republikën e Kosovës, ndërsa shtetasi i Kosovës nuk mund të fitojë të drejtën e pronësisë në sendet e paluajtshme në këto shtete, përpos në rast se është e rregulluar me legjislacionin e atij shteti të ketë të drejtën e fitimit të pronësisë.

Do të ishte e kuptueshme që kjo e drejtë të jetë e rregulluar në këtë mënyrë po të ishte Republika e Kosovës anëtare e Bashkimit Evropian. Por edhe sikur të ishte anëtare e Bashkimit Evropian, kjo nuk do të ishte e mundshme, pasi që në Bashkimin Evropian çështja e të drejtës së fitimit të pronësisë në sendet e paluajtshme nuk është rregulluar specifikisht me legjislacionin e Bashkimit Evropian, por kjo çështje mbetet në kompetencën e brendshme të vet legjislacioneve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

A do të thotë kjo që gjithmonë Kosova duhet të jetë rast unik, “sui generis”, dhe të dallohet nga shtete tjera, ashtu që të drejtën e fitimit të pronësisë në sendet e paluajtshme të shtetasve të huaj të rregullojë në bazë të diskriminimit dhe veçimit të shtetasve të huaj. Pa reciprocitet në dobi të shtetasve të huaj anëtar të shteteve të Bashkimit Evropian dhe në dëm të shtetasve të Kosovës.

E dyta, duhet shtuar një paragraf të ri në Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, i cili do t’ia mundësojë lirinë e plotë të veprimit të shtetasit të huaj me sendin e paluajtshëm të fituar. “Shtetasi i huaj sendin e paluajtshëm të blerë në bazë të transaksionit të vlefshëm juridik,trashëgimisë, vendimit të një organi shtetëror apo mënyrave të tjera të vlefshme të fitimit të pronësisë të përcaktuara me ligj, mund të shes, të jap me qira, me koncesion apo të lidh ndonjë marrëveshje tjetër, shtetasit të Republikës së Kosovës, apo shtetasit të huaj i cili ka drejtë të fitojë pronësi në sendin e paluajtshëm në Republikën e Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat