Marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro- serbe

Opinione

Marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro- serbe

Nga: Nikë Gashaj Më: 23 korrik 2021 Në ora: 13:24
Nikë Gashaj

Shikuar historikisht, shqiptarët në bashkësinë shtetërore me Serbinë kanë kaluar periudha shumë të vështira në luftën e tyre për liri e drejtësi, për të drejtat njerëzore dhe kombëtare – kundër regjimeve borgjeze, diktaturave monarkiste, politikave nacionaliste, shoviniste dhe fashiste të Aleksadër Rankoviqit dhe Sllobodan Millosheviqit.

Pra, historia e shqiptarëve nuk është e varfër në ngjarje, por është e mbushur me luftë për mbijetesë, vuajtje të padëgjuara, ngjarje dramatike dhe tragjike. Prandaj, kur flitet për marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-Serbe në Jugosllavi, respektivisht në Serbin e Madhe, duhet të kihet parasysh tërë dramën, tërë udhtimin e shqiptarëve në bashkësinë me Serbinë.

Serbia si shtet okupues dhe agresor, ka kryer tre gjenocide mbi shqiptarët. Gjenocidi i parë u krye me 1878 në Kurshumli, Leskovac, Prokuple, Topllicë, Vranje dhe Nish. Gjenocidi i dytë u krye gjatë luftërave Ballkanike të viteve 1912-1913 dhe gjenocidi  i tret,  gjatë agresionit ushtarako-policor serb mbi popullin  shqiptar të pa mbrojtur, duar thatë, në vitet   1998/99, në Kosovë.

Ekziston një literaturë voluminoze dhe një material historik-politik për jetën e vështirë dhe të padurueshme, si dhe për pozicionin  e nënshtrimit e të shtypjes  së shqiptarëve nën sovranitetin dhe jurisprudencën serbe. Por me këtë rast do të citoj disa vlerësime dhe qëndrime të një socialdemokrati, publicisti dhe humanisti të mirënjohur serb, Dimitrije Tucoviq, i cili thotë: ”Sot është bërë shumë e rrezikshme të predikosh nevojën për të punuar së bashku me Arbanasit. Mendime të pavërteta dhe tendencioze, si dhe pulitka pushtuese e Serbisë me metodat e saj barbare duhej të mbushte Arbanasit me urrejtje të thellë ndaj nesh...”

Gjithashtu, është i njohur rasti kur deputeti Kosta Novakoviq ngriti çështjen e terrorit dhe presionit fizik ndaj popullatës së pafajshme shqiptare nga regjimi serb në Mbretërinë e Jugosllavisë, por u sulmua fizikisht dhe u rrah nga deputetët pozicionar serbë në vetë Parlamentin.

Pikërisht për shkak të pozicionit skllav, një pjesë e madhe e shqiptarëve e mirëpriti ardhjen  e trupave Italiane, me 1941, në Jugosllavi të cilët i konsideruan  si çlirimtare. Njerëzit atëherë thoshin “Le të vijë edhe djalli i Zi, thjesht le të ndryshoj kjo qeveri, sepse nuk mund të jetë më e keqe për ne”. Dhe sigurisht, ata kishin të drejtë.

Shqiptarët nën regjimin italian në Jugosllavi gëzonin të drejta të konsiderueshme civile dhe kombëtare, të cilat ishin të paimagjinueshme nën sundimin serb. Për shembull, shqiptarët ishin të lirë të përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre si gjuhë zyrtare, së bashku me italishten; lejohej përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar; ishte e lejuar përdorimi Himnit shqiptar; janë hapur një numër i madh i shkollave fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe; u krijuan mundësi që shqiptarët të punësohen në administratën shtetërore;  një numri të shqiptarëve iu kthye toka e uzurpuar nga pushteti serb, etj.

Për më tepër vendosjen e regjimit politik italian, shqiptarët e përjetuan atë si çlirim nga persekutimi, arrestimi, vrasja dhe dëbimi në botën e jashtme. Me një fjalë, si çlirim nga pozicioni kolonial, nga presioni, terrori dhe gjenocidi. Kjo është vetëm si sintezë e shkurt e historisë tragjike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, apo Serbi,  por gjithashtu më duket se është mjaftë bindëse në paraqitjen e marrëdhënieve ndëretnike shqiptaro-serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat