Deri kur do ti durojmë qenët endacak në Prishtinë?

Opinione

Deri kur do ti durojmë qenët endacak në Prishtinë?

Nga: Sali Spahiu Më: 25 korrik 2021 Në ora: 21:40
Qenët endacak

Në Prishtinë, por ndoshta edhe në qytetet e vendet tjera të Kosovës, qenët endacak po paraqesin rrezik të madh dhe permanent për fëmijët dhe të gjithë qytetarët tjerë.

Ky problem kërkon zgjidhje urgjente dhe jo shumë arsyetime, të cilat po i dëgjojmë tash e një kohë të gjatë nga organet kompetente.

Nuk e di ku qëndron puna, lidhur me këtë ka shumë arsyetime të ndryshme, por e di mirë se gjerë tani ka patur shumë raste të kafshimit të tyre e askush (nëse nuk gaboj) nuk është marrë në përgjegjësi.

Autoritetet komunale thirren në ato qendrore. A thua kujt i bjen më shumë përgjegjësia? Situata tash e një kohë të gjatë është alarmante. Vetëm ata të cilët nuk shofin ose nuk dijnë mund të sillen kështu.

Turp për komunën dhe turp për të tjerët që mirren ose duhet të mirren edhe me këtë punë. Si qytetar i Prishtinës jam shumë i zhgënjyer që akoma nuk u zgjidh definitivisht ky problem. Arsyetime ka të lloj-llojshme, por asgjë nuk po ndryshon. Këtë e konsideroj mospërgjegjësi ndaj qytetarëve.

Ditën dhe natën, qenët endacak ulurojnë në mes të qytetit e kush nuk mirret me ta. Qenët endacak vërsulen në fëmijë, vërsulen në të rritur. Siç e dijmë ka ndodhë shpesh edhe ti kafshojnë . Ka shumë argumente që flasin për këtë dukuri. Askush gjerë me sot (sa kam njohuri unë) nuk ka dhënë përgjegjësi. Gjerë kur do të vazhdoj kjo situatë?

Gati çdo natë nga ulurima e tyre nuk mund të bëhet gjumi i qetë. Kjo situatë nuk mund të arsyetohet gjerë në pakufi.

Jam shumë i vetëdijshëm se qyteti, e sidomos Prishtina ka shumë probleme, por disa prej tyre duhet zgjidhen me prioritet, pra edhe ky për qenët endacak mendoj se duhet trajtuar me shumë prioritet e të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

Ky problem së pari u takon organeve komunale të Prishtinës, por natyrisht edhe ato qendrore duhet të mirren me këtë problem, nëse kjo situatë është edhe në qytete e vendet tjera të Kosovës.

Prishtinë, 24 korrik 2021 Sali SPAHIU

Banor i Prishtinës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat