Mos më pyet kur kam me shkue

Opinione

Mos më pyet kur kam me shkue

Nga: Bleron Baraliu Më: 25 korrik 2021 Në ora: 22:16
Bleron Baraliu

(in memoriam për 10 gurbetqarët e vrarë rrugës për Kosovë)

Gurbetqari jeton për ditë me frikë se mos po vdes pa u kthy n'shpi. Çdo aksident i shmangur, çdo rastësi, çdo shteg rreziku që mund të përfundoj më së keqi, llafin e parë gurbetqari gjithmonë e ka reflektim me ndërgjegjen e vet: "gati shkova pa u kthy n'Kosovë!".

Para se me ju lut Zotit, para se me ju dhimtë jeta, para se me thirrë nanën e vet me za të dridhun, i shkreti ma së pari ndjen mallëngjimin dhe fajin e të shperngulurit nga aty ku përket, aty ku ndihet se balta është ar e skamja lumturi. Gurbetqari është rrënja e paradoksit - ka ikur për tu kthyer, lëngon nga malli, nuk e ndal askush ta lë vendin e huaj e të vij në shtëpi, por ai kundër dëshirës detyron shpirtin e vet të kalojë të nëntë rrethet e Dantes.

Gjatë rrugës për atdhe, mërgimtari tërë kohën bënë be se sapo të zbres nga aeroplani do të ulet, puth tokën dhe marr dy grushta dheu në duar që me to të shpërlaj trupin nga faji e melankolia, që të kënaqet me far e fis sa të jetë në shpi, e të harrojë vitet e largimit dhe vuajtjes. Por, porsa të kaloj dyertë e kufirit, gurbetqari harron amanetin e vet, e rrokin ethet e largimit dhe ndarjes së pashmangshme, fillon menjëherë të numërojë sa ditë i ka krejt dhe të nxitoj t'a zë qysh ditën e parë, sikur të ngarend pas diellit që të mos e le të perëndojë, që kurrë mos të filloj countdown (numërimi te poshtë) deri në ditën e thyer të largimit të sërishëm.

Prandaj gurbetqarit i mbetet hatri nëse e pyet "kur ke me shku?!" Ai dëshiron të të përgjigjet "kurrën e kurrës!!!", dhe kur mendja e tradhëton dhe të dëfton ditën e saktë të 'ekzekutimit', ai ndjehet sikur po e therë me thikë shpirtin e vet. Nëse e dvet mërgimtarin "kur ke ardhë", nuk ke nevojë të presësh përgjigje! çehrja e tij të tregon menjëherë: nëse ka ardhur sot a dje, në fytyrë e përcjell një ngazëllim fëmijëror, sikur të shpjegojë se veç sa ka filluar ditët e shenjta. Por, po ti jetë afruar fundi, para se të të përgjigjet "valla k'tu jam qe dy javë!", para se të nxjerrë përgjigjen e obligueshme kundër vullnetit të vet, atij i ngryset balli, i varen sytë, ul kokën dhe gërsheton gishtat me frustrim për të ngushëlluar vehten se prapë do të vijë, ani pse në sedër mban frikën e përhershme të syrgjynosjes deri në vdekje.

E, po ta pyesësh gurbetqarin "kur ke me shku?", është si ne therë mas shpine. S'ka rëndësi sa kohë i ka mbetur, ai menjëherë tkurret, e kap mllefi -- më së shumti me vehten -- dhe shtrëngon muskujt e fytyrës. Para se të të përgjigjet, kalon nëpër një ulje-ngritje dëshirash e emocionesh, së pari duke përshpëritur nën buzë "s'kam nr shku hiq", pastaj "çka po t'intereson pash Zotin, ulu çëtu bajmë muhabet e mos m'përmallo", dhe në fund nxjerr fjalët me kujdes e me përkulje ndjenjash të tregon datën.

Dhe gjithë rrugës për Kosovë këto ka në mendje gurbetqari. Si të çmallet e të takojë të gjithë me shpejtësi drite, që mos t'i ik koha e pushimit dhe të vazhdojë çmalljen. Në këtë periudhë gurbetqari ndjen përzierjen e thellë të ndjenjave të ankthit, lumturisë, e mallëngjimit. Me ia pre frymën atij gjatë këtij rrugëtimi është sikur me e shkëput nga gjiri i nanës një bebë të tharë prej urisë një çast para se të shijonte qumshtin - njëmijë fish më rëndë se kaq.

Prandaj sot, dhjetë shpirtëra gurbetqarësh që ikën në qiell gjatë rrugës për shtëpi e nuk do të arrijnë kurrë në cak, na mallëngjejnë përtej durimit, sidomos ne bashkëndjerësve të tyre në mërgim. Dhembja e tyre do ti shtohet prerjeve të shpirtit gurbetqarë, e sa herë të shkelim sërish në tokën tonë do të festojmë fatin që patëm dhe kujtojmë tragjedinë e tyre dhjetëfish të rëndë. ...gjithmonë me frikë se kjo edhe mund të jetë vizita e fundit, sepse jeta dhe vdekja jashtë tokës amë përbëjnë ankthin më të papërballueshëm të shpirtit, tash e prej se na njeh historia

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat