Urgjentisht të zbriten biletat e avionit për mërgimtarët!

Opinione

Urgjentisht të zbriten biletat e avionit për mërgimtarët!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 27 korrik 2021 Në ora: 12:47
Ilustrim

Tragjedia që ndodhi në Kroaci në mëngjesin e së dielës ku mbetën të vdekur 10 persona dhe mbi 40 të lënduar, dhimbje e madhe për të gjithë. Pavarësisht shkakut që thuhet të ketë qenë gjumi i shoferit nga lodhja, këta mërgimtarë që ishin në autobus u nisën për Kosovë jo me avion, sepse çmimet janë të kripura.

Gjithmonë mërgimtarët ballafaqohen me çmime të larta, duke qenë të detyruar që të gjejnë mjete tjera më të lira. Avioni është transporti më i sigurt, më i shpejtë, mirëpo çmimet e larta i detyrojnë mërgimtarët që edhe me autobus të nisën duke bërë rrugë të gjatë, të mundimshme dhe të rrezikshme. Kjo e lind nevojën që qeveria, shteti t’u dalë në ndihmë mërgimtarëve sa u përket çmimeve duke gjetur forma dhe mënyra të ndryshme.

Mënyra më e mirë do të ishte sikur shteti të blinte avionët e vet, kështu që edhe çmimet do të ishin më të lira, në mungesë të fondeve për të blerë mund edhe të marrë me qira, apo edhe të jetë aksionere në linjat kryesisht Gjermani dhe Zvicër, aty ku është shumica e mërgimtarëve. Ka forma dhe mënyra të shumta nga ku shteti mund të jep kontributin e tij. Kur dihet se mërgata brenda vitit dërgon mbi një miliard euro, shteti do të kishte leverdi t’ua lehtësonte ardhjen me avion, si rrugë më e shpejtë dhe më e sigurt. Nuk mjafton vetëm të flitet me fjalë të ëmbla për mërgatën, ajo duhet ndihmuar, ajo duhet mbështetur aty ku ka nevojë, jo të shihet vetëm si bankomat për nevojat tona.

Tragjedia në Kroaci duhet të jetë këmbanë alarmi, thirrje ndërgjegjes për atë se çfarë kemi mundur të bëjmë dhe s’kemi bërë. Mërgata duhet të trajtohet si pasuri kombëtare e Kosovës, pa të cilën shteti jep shpirt. Infuzionin që mërgata ia jep Kosovës gjatë verës, me dërgesat edhe gjatë tërë vitit, janë ato që e mbajnë gjallë ekonominë, mundësojnë që të ruhen mijëra vende pune, mundësojnë që paraja të qarkullojë duke bërë të mundur që mirëqenia e qytetarëve rezident të Kosovës të jetë më e mirë dhe më e lehtë.

Megjithëse është bërë Projektstrategjia për Diasporën 2019-2023 dhe Plani i Veprimit 2019-2021. Qëllimet kryesore të kësaj strategjike ishin të lidhura me avancimin e të drejtave politiko-sociale të diasporës, ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor të diasporës, shmangien e asimilimit, ndihmën për integrim në vendet ku jetojnë dhe lehtësime administrative për zhvillimin socio-ekonomik të vendit përmes katër objektivave strategjike: Promovimi dhe avancimi i të drejtave politike dhe sociale të diasporës; Ruajtja e identitetit dhe fuqizimi i lidhjeve me diasporën; Integrimi i pjesëtarëve të diasporës në shtetet ku jetojnë dhe Lehtësimi i përfshirjes së diasporës në zhvillimin socio-ekonomik.

Megjithatë, nuk është bërë sa duhet në këtë drejtim, edhe pse diaspora ka shumë nevojë që të ndjejnë ndihmën e Kosovës për tu lehtësuar atyre katër objektivat që u përmendën. Qeveria aktuale, e cila ka marrë edhe mbështetjen e mbi 90 % të diasporës, e ka më tepër se çdo qeveri e mëhershme obligim që të ndihmojë mërgatën, duke veçuar transportin më të sigurt, kryesisht me avion, nga ku edhe shteti do të përfitonte, por në anën tjetër edhe mërgimtarëve tanë do iu mundësonte atyre që të vijnë më shpejt, më sigurt në atdheun e tyre të dashur, për të cilën nuk kanë kursyer asgjë, as jetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat