A ka Coronë në Kosovë?

Opinione

A ka Coronë në Kosovë?

Nga: Bahri Cani Më: 28 korrik 2021 Në ora: 08:41
Bahri Cani

Në Kosovë "nuk kishte Corona", konstatova gjatë një udhëtimi të shkurtër në këtë vend kaq të dashur për mua. Të paktën ky ishte perceptimi në shoqëri atje.

Në Prishtinë nuk shihja gati asnjë njeri me maskë, në rrugë, në dyqane apo restorane. Me Adrinian u futëm me maska mbrojtëse në një bankë në Prishtinë. ASKUSH tjetër nuk kishte maskë as në bankë. Më shikonin sikur të kisha rënë prej Marsi. U frikësova mos po mendon kush që u futa ta plaçkis bankën...

Në sportel zonja më thoshte "hiqe maskën se nuk po të kuptoj çfarë po thua". Në një dyqan shitësi kur më pa me maskë tha - "hiqe maskën se tek ne nuk ka më virusë!" Në rrugë e restorante të mos flasim... Maskat vërtet ishin një marr i rrallë, në rastin më të mirë shërbenin si dekor nën mjekërr apo në dorë.

Mu afrua një njeri në Prishtinë me maskë mbi gojë të më pyeste diçka. U befasova kur e pash me maskë. Sorry, can I ask you something... nuk ishte shqiptar.

Ajo që dua të them: Në Kosovë kishte një atmosferë të relaksuar, sa i përket maskave dhe masave. Madje edhe në avion për Gjermani, shumëkush mbante maskën "sa për sy e faqe". Personi i ulur pranë meje e hoqi menjëherë maskën. Kur i thash a mund ta vendosni maskën, ju lutem, më shikoi pak me habi, por e vuri pa fjalë.

Vetëm kur zbrita në aeroportin e Dyseldorfit e kuptova se Corona nuk paska kaluar. Radha e gjatë, kontrolle policore, të gjithë e mbanin maskën mbi gojë e hundë... Ata me certifikata për vaksinim apo shërim kalonin pa problem, udhëtarët e tjerë me avion kishin nevojë për teste. Për fat të keq, e kuptova menjëherë se Corona nuk paska kaluar. Me të mbërritur në shtëpi bëra testin - rezultati ishte negativ ...

Sot në mëngjes në radio dëgjova se disa politikanë gjermanë po kërkojnë futjen e testeve me detyrim për të gjithë që udhëtojnë jashtë vendit, pavarësisht a udhëton me avion, makinë, tren apo autobusë... (Me këtë temën e testeve do të merrem këto ditë më gjërësisht, edhe pse ndoshta nuk ju/na pëlqen). Mirë se vini në Gjermani!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat