Ne prapë i rrëmbejmë armët, se për ne nuk ka gjë me të shtrenjtë se liria

Opinione

Ne prapë i rrëmbejmë armët, se për ne nuk ka gjë me të shtrenjtë se liria

Nga: Gjon Marku Më: 28 korrik 2021 Në ora: 17:51
Gjon Marku

Ra një mjegull e madhe nga maja e Malit të Shenjtë e deri poshtë në bashkim rrjedhën e Fanit të Vogël e Fanit të Madh që kryqëzohen si dy heshta përballë ku dallgë të përtërimë përplasen shkëmbinjve e thërrmohen e bëhen valë e shkumë. Atje në bjeshkët e Malit të Shenjtë e deri te Bjeshkët e Namuna ku jeta qysh herët mori fytyrën e legjendës ishte suferinë, binte borë. Në lartësinë e bjeshkëve të tua, një ulërimë ndihet mot për mot. E njerëzit e këtyre anëve qysh në barkun e nënës e kanë dëgjuar legjendën e Kostandinit dhe Doruntinës a legjendën e Zojës së Shkodrës që rendi mbi valë në anën tjetër të detit, ku dy romakë vëllezër binjakë ushqyer prej qumështit të një ulkonje kishin themeluar Romën e lashtë, e zu vend tej detit atje në Gjenocan. Këtyre anëve përmbi kështjella, kulla e qytete rronin arbërit që me fuqinë e zotit për ta jeta është e shenjtë. Shumë dallgë sulmuan herë përballë e herë pas shpine këtyre anëve kisha menduar teksa shihja retë e skuqura si të zëna në faj që shtegtonin në rrugën e tyre si copa fashosh të përgjakura djemsh frikëshpërfillës shtatëlisa kapuçbardhë e xhamadaqëndisur që jeta i ka kërkuar jo në një loj aktorësh po i do vdekja e njëmendtë. Luftëtarët morën udhën pashteg drejt malit. Drurët flasin, arkëmorti me emblema fisesh mbështjellë me flamur zbresin udhës pakthim në skëterrë të frikshme pa qiell e hënën. Nën kupolën vetëm të pjesës së tij të qiellit shqiptarët lindin që vdekja të ketë ç’ka të kositë e ku nënat e motrat dardane kanë blerë pëlhurë për të mbajtur zi e ku ndër lëndina dhembshëm rënkojnë eshtrat e ku baba e ruan lopatën me të cilën e varrosi të birin. Sa pak mëshirë për ta. Heshtë mëkati në jetë e në varre. Kockën pa mish e varrosën. E përmbi varre a thua shelgu merdhih. Ngjethëse klithmë e fundit. Piskamat therën qiellin. Vdekja dorën s’po e ndal, vajmedet klithin kukuvajkat nëpër çati. Natën nga varret dilnin hije të çuditshme e nëpër terr lëvizin. Fjalë të vdekurve u shkruajnë. Natën ajo erdhi nga zgavrat në thellësi të territ e rendi këtyre anëve.

Baladat e vrara në shtëpinë e përbashkët stërgjyshore. Gjyshërit që tashmë janë bërë pleq urtakë, s’dinë kush është gjallë ata apo hija e tyre ruajnë nipërit në gjumin e natës të mos kemi frikë. E ky truall e ky vend ka nëntëdhjetë e nëntë vjet pagjumësi. Ky është çmimi më i shtrenjtë që paguajmë. Rënkimi njerëzor dëgjohet ngado.

 Qiriu ndriste në një dhomë në një shandan e pranë tij një nënë shamizezë lutej për shenjtërimin e të birit. U këput një lot prej syrit të saj po sonte s’ka hënë qiellit, as yje, ato janë strukur fshehur. Shiu natën jashtë sikur derdhet në lot teksa një nënë thekshëm vajit nis me ja thënë. Vaji i saj është i moçëm sa vetë dhembja e loti i rëndë, i rëndë. Brenda saj jeton një dhimbje që nuk u sos. Në pragun e derës e përcolli xhamadan boj përgjaktin bash atëherë kur përvidhej e i zgjatej natës shtati e pa tue u zhduk si hije para nate e ai trkoi drejt bjeshkëve zemërshqiponjë të sillte lirinë po tash gjendet nënë dhe në qetësinë e të vdekurve. Pengun e fundit që nuk ikën si era që gjethet shkundë e mori me vete.

Gjithnjë këtyre anëve dëgjohen këngët dhe vajet që nuk i dalloj dot edhe pse gjuha e tyre është e kulluar. Ndër mëngjese këndon qyqja e trishtuar. Shpresa ime është thinjur bir. Oh fatkobi yt u ban za lisave. Kullat kënduan këngëheshtjen. Pragjet thyer e konaqet mbyllur. Kosova e përgjakur unshëm pret lirinë.

Prej përtej në horizontin e lindjes ku era fërshëllen ndër brinja gjenden udhëkryqet e fatkeqësive tona kobndjellëse, britmat, gjëmat, thirrjet.

Tinëzisht, në terrin e zi të natës pa hanë, pa yje, drejt këtyre anëve turren si zogj mishngrënës paramilitarë ardhacak që të përgjaket heshtja e nis angullima e qenve. 

Mëngjeset gdhin të mugët… idhnak. Si një shkretëtirë vetmie fati tinëzak i njerëzve të këtyre anëve.

Zot, bërtita papritmas në muzg.

*   *

Kur viziton kompleksin e Jasharëve, kullën që është bombarduar pa mëshirshëm prej hordhive serbe, varret e fëmijëve e të rriturve, menjëherë ndër mend të vjen pyetja: A ka kund tjetër një qëndresë më legjendare, e më të përgjakshme ndër gjithë popujt e botës se kjo e jona?

Zgërdhihet koha shtrigë e ngarkuar plot retë me rropama. Stuhia gjithnjë e më e egër vinte drejt teje tokë e bekuar dardane.

Përditë shkruhen legjenda për ne. Gjamë e namë nëdër bjeshkët e Namuna lëshojnë zanat. Në ç’kode legjendash u gdhend historia jote Kosovë tash njëqind vjet pyes?

Më shfaqet hija e Adem Jasharit me një shark të bardhë legjende kudo këtyre anëve. Shtigjeve të legjendave rend nëpër kohë ky simbol i lirisë së Kosovës. Kullat këndojnë këngën e furtunave të egra. Eh tokë, rreth saj eshkë unur e strall. E ti e legjenda jote trokon nëpër histori. Zërin vajtimor të drerit e dëgjuan ai grumbull shpirtrash të fëmijëve të pafajshëm që u masakruan pabesisht e barbarisht.

Në shtratin e vdekjes me bardhësi të trishuar, në mes gjithë ayre xhenazeve është dhe varri yt Bac. E pash kullën tënde e shpirti krejt mu drodh teksa mendova furtunën e pamëshirshme që natën e tërbuar ulërinte si bishë e egërsuar e që u lëshua mbi të barbarisht. Në muret tuaja janë thyer mijra rrufe e atë natë a thua dhe bjeshkët në gjunjë ranë. Por ti qëndroje e nuk epeshe aty ku këputet jeta me vdejkjen.

Si turma të përndezura dhe mizëri idhnakësh brofën turrevrapi atë natë hënëhumbur paramilitarët si zogj mishngrënës me krrokamat e tyre të lemeritshme u sulën ajrit për ta helmuar e varre për të hapur Bac. Po ti e ke një varr po sa bij të Kosovës në zemër të ulkonjës i varrosën.  

 Bota u zgjua ani se ai është zgjim i idhët. E ra ai mort i madh. Kur hëna nga bjeshkët ja behu e krejt u përgjak në atë aromë trishtimi.

Gjithnjë në këto anë, kësaj cope toke në brigjet e Adriatikut e quajtur Shqipëri i është dashur të luftojë në vazhdën e kohës për jetë a vdekje me armiq të të gjitha llojeve, barbarë e të egër sa s’thuhet. Aq e egër është barbaria, sa duket si një legjendë e largët, që ka ndodhur në kohë kryqëzatash të egra tej Mesjetës, por në fakt nuk është legjendë as tej shekujsh. Nuk ka ndodhur as në fiset ku janë shfaqur kanibalët, atje në cepin e sipërm të Azisë, por në mesin e Evropës së qytetëruar, në shekullin e 20, mbi njerëzit më të pafajshëm në botë, në shtëpinë e tyre, në truallin e tyre.

Si nëpër film ne mendje me kalon Sarajeva, ku çdo mur ka plumba e shenja barbarie, krimi, por këtu në Kosovë, tek Jasharajt ky krim është edhe më i madh, edhe më i pa imagjinueshëm dhe më e pamëshirëshme dhe më e përgjakur, është një realitet. Kulla e vjetër e Jasharëve tash mbahet si dëshmia më tronditëse e ndodhur në kapërcyellin e shekullit që lamë pas, shekullit të përgjakur prej luftrash botërore. Kjo e jona është lufta, që bën të habitet gjithkënd që sheh dëshmitë e saj, shkaktuar prej fisesh të ardhur prej stepave të egër, vrasës foshnjash të pafajshme, vetëm se janë shqiptarë.

Vrarë njëherësh pesëdhjetë e shtatë pjesëtarë të një familje pa pyetur për asgjë, për Zot a Krisht.

 Por, “Bac u kry”.

Krejt ashtu ka ndodhur edhe në familjen e Engjëll Berishës në Gjakovë, ku vëllezërit e tij i vranë, i prenë por s`u ngopën, u hodhën sipër tyre librat e bibliotekës së tyre e prap s`u ngopën, si hije u turrën t`i djegin e zjarrin u vunë librave, njerëzit i poqën barbarët.

Por, “Bac u kry”.

Eh Kosovë, sa gjak u derdh deri në këtë ditë. Kulla e Jasharëve është një rast unikal e i papërsëritshëm, po cili cep i Kosovës nuk e ka një rast të vetin, të tmerrshëm dhe tronditës!!?

A thua nuk është një rast më vete Raçaku, apo Lëndina e Mejës, Drenica, apo Gryka e Carnalevës, Krusha e Madhe  a ajo e Vogël çdo cep e pëllëmbë e tokës së Kosovës, çdo shkëmb e gur.

*    *

Kosova e ka shënuar pavarësinë e vet që në vitin 1999, kur serbët dhe shqiptarët  u ndanë njëherë e mirë me njëri-tjetrin përmes luftës së gjatë. Por për të arritur deri në këtë ditë shumë bij e bija të Kosovës trime kanë derdhur gjakun e tyre duke njomur tokën e Kosovës. Shumë të tjerë kanë kërkuar botën e nuk kanë kursyer asgjë, mjafton që vendi i tyre të ishte një ditë i lirë dhe i pavarur.

Gjithnjë festat bëhen në muaj të veçantë të vitit, na ngushtohet vendi nëpër shtëpitë tona. Kot thonë që është kohë pushimesh. Në fakt nuk është kohë e madhe pune. Dikujt i ka ardhur vëllai nga Roma, do të rrijë pak ditë e do të kthehet atje. Dikush martohet e dasma do të jetë e madhe se është fëmija i parë. Një mik ka rrugëtuar prej Australie dhe tashmë gjendet në Gjakovë. Darkat dhe drekat ndjekin njëra - tjetrën. Kështu ritmi i zakonshëm i jetës merr një tjetër intensitet, bëhet më i vrullshëm, më i shpejtë, më i ngjeshur. Kështu ndodh pothuajse me të gjithë, e sidomos me ata që të afërmit e tyre i kanë të derdhur nëpër botë.

Afro një vit më parë ne kishim planifikuar të bënim një dasëm edhe pse nuk e kemi pasur këtë zakon që ditën e dasmës të caktojmë kaq shumë kohë me parë, por ja që duhet të vinin të ftuarit nga Italia, Roma, Firence, Venecia, Padova, por dhe nga Kreta, Athina etj, e deri nga Kanadaja  e Amerika. E si t‘ia bëjmë edhe miqtë tanë në Kosovë kanë planifikuar një darkë të madhe për nderin tonë. Leka ka ardhur nga Australia, ku banon dhe jeton. Pasi ka banuar disa ditë  në Kosovë ai ka planifikuar një ditë për ne dhe na bën një ftesë të veçantë siç e ka zakoni. Vjen vetë e na fton, do të vini se i kam ftuar njerëzit e mi të zemrës e më vijnë të gjithë.

Kështu që ne pa e mbaruar mirë dasmën, morëm udhën për në Gjakovë. Ishte buzëmbrëmje kur mbërritëm në shtëpinë e Lekës.

Kështu Leka i ka mbledhur të gjithë: studiuesin dhe shkrimtarin, mësuesin dhe gazetar, kameraman dhe fotograf. 

Prej Pallatit të Kulturës në Gjakovë e deri në shtëpinë e Lekës, ka dalë për të na shoqëruar njëri ndër djemtë më të mirë të Gjakovës, i cili mban mbi vete medaljen e „Mistër Gjakovës“, Valoni. Kështu kjo tavolinë miqsh e mbledhur në këtë mënyrë krejt të veçantë, natyrisht që bisedën kryesore të saj e lidh me librin dhe kulturën.  

Ne jemi mirditas, - pohon Gjergji, - kemi ardhur në këto troje, por kemi ruajtur të njëjtat tradita që kemi pasur edhe në Mirditë. Ne jemi Spaças, kështu që sonte do të bëjmë një natë si të ishim në Mirditë, pra mbi të gjitha do të bëjmë kuvend. Gjergj Ndoi ka punuar disa vite në Zvicër. Unë atje i kam dy djemtë Palin dhe Zefin, - pohon ai, - ndërsa Ndoi punon dhe jeton këtu, është mësues në shkollën „Engjëll Gjonaj“, por djemtë në Zvicër e kanë ndihmuar që ai të ketë dhe një  studio fotografike, e cila tash po kthehet në një studio ku fokusohen dhe janë fokusuar mjaft ngjarje historike të kohëve të fundit.

Pali dhe Zefi vërtet jetojnë në Zvicër, por zemrën dhe mendjen e kanë në Kosovën  e tyre  të dashur, ku jeton familja , babai dhe nëna e tyre.

Pali dhe Zefi janë mbledhur kokë me kokë dhe kanë biseduar gjatë me njëri -tjetrin dhe e lajmërojnë Gjergjin se nuk do të kursehen, e se ata do të botojnë një libër me ngjarjet e dhimbëshme të Kosovës. Leka qesh dhe shton po, po tash është e domosdoshme që ne të kthejmë sytë nga libri dhe dija. Ne nuk mund të matemi me të tjerët me pushkën e gjatë, as me cilësinë e telefonit, arma e vetme në duart tona është kultura dhe dija.

Gjergji dëgjon me vëmendje e mbështet kryet ndër duar dhe mendohet, pastaj thotë: Hallall gjiri i nënës, hallall lekët që jepen për njerëzit e dijes dhe kulturës në këtë kohë tranzicioni.

Pastaj Gjergji tregon një ngjarje të veçantë të tij. Ka qënë një moment i jashtëzakonshëm kur kam vajtur në Austri, ku Leka qëndroi gjashtë ditë dhe iku për në Australi. Unë vajta ta takoja. Kosova ishte vënë në shtetrrethim dhe në të katër anët venin e vinin tanket serbe. Marku djali i madh i Lekës më thotë - “Më merr axh e më dërgo në Kosovë  se më plasi zemra”.

Gjergjit i përloten sytë dhe hesht. Nuk dua të kujtoj më tej, ka qenë një gjë shumë prekëse. Ne nuk duam asgjë prej qeverisë dhe shtetit të Kosovës. Mjafton të bëhet Kosova. Ne tash i kemi kthyer sytë nga dija, nga shkollimi, nga libri.  Pali dhe Zefi duan që të shkruhen e të lihen ndër letra të pathënat e Kosoves, luftës, ditëve të vështira të së shkuarës.

 

Ne jemi një shtet i dobët e që duhet të formohet e njihet. Djemtë tanë  tashmë do t`i porositim që të mbështesin librin, dijen, kulturën për të cilën kemi më së shumti nevojë. Kalon ajo natë e gjatë, ku ne i marrim me radhë dhe Mjedën, Fishtën, Doçin, Agollin, Kadarenë, por dhe Budin, Bardhin, Bogdanin, etj.

Vendosim të kthehemi, por Leka nuk na le. Jo miqtë e mi, ju do të ktheheni nesër në darkë. Në drekë do të jemi të gjithë se bashku tek „Pishat“ , një ndër lokalet më të frekuentuara të Gjakovës. Atje do të jemi së bashku. Unë do të iki e kam dëshirë të jemi bashkë edhe nesër. Ashtu bëjmë serish, një grup intelekualësh prej Gjakove  vijnë  dhe takohemi se bashku.

Akoma nuk kishte ardhur porosia kur një djalë në klasën e pestë u afrua me një çantë me lajthi. Një euro një qese. Të gjithë e vështruam dhe secili prej nesh ndjeu një keqardhje pse ai ishte i vogël. Leka e mbajti për krahu  dhe e pyeti se në ç‘klasë ishte? I kujt ishte? Djali sypërlotur filloi të mërmëriste për të atin i cili kish mbetur në luftën e Kosovës, dhe se ai kishte lindur në Shqipëri, dhe se kur kishte ardhur nga Shqipëria, pas lufte, ai kishte qenë një foshnjë pa baba.

Leka i përlotur nxjerr portofolin e tij.

Unë e dua një pako me lajthi, i thotë djaloshit dhe i zgjat një dhjetë euroshe. Tjetri e nxjerr pakon me lajthia  dhe kërkon të kthejë kusurin. Jo, jo,-  i thotë Leka, dhe sërish sheh portofolin e tij. Jepju të gjithëve nga një pako me lajthia dhe hajde e merri lekët. Djaloshi na zgjati të gjithëve ne nga një pako me lajthia dhe kërkoi t`i  kthejë Lekës ndonjë euro, por Leka tashmë nxori një  kartëmonedhë me një prerje disa herë më të madhe,- merri, merri këto, - dhe lotët ishin në mjekrën e tij.

Djali e pa Lekën dhe pasi u përshëndet më të gjithë me sytë që i shëndrisnin nga gëzimi bëri të largohej.

-Pak i kishte tha Leka, edhe pse kishte dhënë një monedhë njëqindëshe. I ati ka spërkatur me gjakun e tij trojet e Kosovës në mbrojtje të lirisë. Ne heshtëm dhe vështruam njeri - tjetrin.

Kudo nëpër Kosovë nuk harrohen të përmenden edhe shumë prej bijve të Kosovës që kanë pritur e përcjellë delegacionet e Kosovës që rendnin drejt kancelarive të Evropës e botës.

*        *

Kosova ishte gjithnjë në bashkëbisedimin tone, atë mbasdite të vonë në Kosovë. Futemi në makinën dhe pasi lemë pas Gjakovën dhe Bishtazhgjinin futemi në një lisnajë të pastër dhe të ruajtur me kujdes, mbërrijmë tek lokali “Gurra” ku gjithçka është befasuese.

Kosova ishte kryefjalë e asaj mbrëmje. Leka rrëfen herë pas here. Ne duhet t`i vlerësojmë mendjet e ndritura të këtij vendi. Ne shpesh kemi qënë e keqja e vetvetes, kemi vrapuar dhe kemi ecur tehut të shpatës edhe kur nuk ka qenë e nevojshme edhe kur nuk është dashur dhe pastaj kemi harruar gjakun e derdhur. Sot në Kosovë ka njerëz që kërkojnë të zenë poste në emër të gjakut të dredhur edhe pse ndoshta nuk kanë pasur asnjë kontribut.

Sot ka ministra dhe zyrtarë të lartë të shtetit që privatizojnë dhe kanë fabrika dhe pasuri të pa merituar. Kjo të mërzit dhe të trondit. Unë nuk kam nevojë për asgjë, e kam siguruar jetën time, dhe nuk dua as pushtet dhe as ofiqe edhe pse si patritot kam dhënë mijra dollarë dhe euro të gjithë atyre që kanë ardhur dhe më  kanë kërkuar për luftën dhe për Kosovën.

Kur mora librat që më dhuruat unë u ndjeva disi keq, e di mirë se ne mund të matemi me kombet e tjera me kulturë dhe dije, pasi tash jam i vetëdijshëm se investimi i vetëm që duhet të bëj, është tek njerëzit e librit, tek ata që ne na bëjnë të barabartë me botën e qytetëruar. Unë e di se jam defiçitar, pasi deri më tash nuk kam dhënë para që të botohet ndonjë libër, gjithsesi unë kam dhënë për luftën dhe për njerëzit e saj.

Unë vetë kam lexuar shumë kur kam pasur mundësi. Tani detyrimisht do t`i kushtohem më shumë kësaj ane, pra librit dhe njerëzve të tij. Nëse për shekuj me radhë Mirdita në shkëmb e gurë s`u mposht kurrë, mundi t`i japë kombit tonë emra të mëdhenj të kulturës dhe dijes, që nga Gazullorët, të cilët qenë bashkëpunëtorë dhe miq të Skëndërbeut, por dhe profesor në Padova, gjer tek Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, vëllezrit Suli, vëllezërit Koleci etj. Sot në këtë trevë e cila gjendet mes malesh ka një vrull botimesh cilësore që të bëjnë të mendohesh edhe pse resurset dhe mbështetja për librin besoj se është e vogël, vijon mendimin e vet Leka.

Meqë jemi tek Mirdita, thotë Leka, unë dua të ndalem në një vështrim të shpejtë për këtë trevë, e cila në historinë e Shqipërisë ka një vend të veçantë dhe të nderuar. Treva që nuk njohu kurrë pushtim dhe asimilim. Mirdita është larë me gjak, por ka mbrojtur me dinjitet identitetin, fenë dhe gjuhën, kulturën dhe traditat.

Tokim gotat e verës dhe Pjetri i kërkon Lekës që të evidentohet dhe të thuhet më tepër ndoshta dhe të shkruhet një libër për shqiptarët e Australisë, për të cilët i kemi të pakta edhe emisionet televizive edhe librat, madje dhe informacionet. Ja bie fjala, kemi një libër për Shqiptarët e Detroidit, ashtu si kemi njohje dhe lidhje më të afërta me shqiptarët në Evropë.

Leka mendohet dhe vijon. Është mirë të ndodhë kjo dhe ne do të bëjmë të pamundurën. Por shqiptarët kudo që janë duhet t’i kthejnë sytë këtu në këtë tokë, në këtë vend, Shqipëria dhe Kosova janë bash guri i rëndë në vend të vet. Nuk e luan as topi atë që thonë të parët se “Guri i rëndë në vend të vet”.

Por unë Pjetër do të kthehem sërish në Mirditë, të cilën e kam vizituar, vijon Leka. Unë kam qënë në Rubik dhe pashë se ka një kishë që është monument i madh historik dhe kulturor, që duhet të jetë në vemendjen e shtetit. Duhej të ishte ndryshe Oroshi dhe munomentet e atjeshme të shkatërruara. Duhej të ishte ndryshe Spaçi, i cili duhej të ruhej si një muze i madh. Ka nevojë tash këtu që të dokumentohen gjerat pa mllefe, me realizëm dhe të flitet me pastërti. Të gjithë ata që kanë rënë për Kosovën të gjejnë vend në nderin dhe respektin e të gjallëve, fëmijëve tanë që do të gëzojnë lirinë e fituar me aq mund dhe sakrifica.

Në këto përsiatje dhe mendime midis Kosovës, Shqipërisë, Mirditës, Australisë me Lekën, Nduen e miqtë e tjerë po kalonim këtë natë.

 

*   *

Hyjmë në njërën ndër lagjet e Prizrenit, që njerëzit e atjeshëm e thërrasin “Lagjia e Trimave”, jo rastësisht, por pikërisht pse aty nis një bërthamë e fuqishme e luftës së UÇK. Kjo lagje e mbështetur në shtatin e një kodre të pjerrët tipike shqiptare dhe me identitet, që të afron menjëherë Prizrenin e hershëm.

Çlirimi i vogël vijon të luajë në kompjuter dhe ndeshet me Frizën njëri ndër personazhet e këqinj të filmit vizatimor “Goku”. Ai nuk kishte lindur në vitin 1999, kur i ati ndeshej maleve të Kosovës me serbët, kur i ati kishte marrë pushkën dhe kishte dalë malit. Për Çlirimin e vogël historia e luftës do të duket si loja në përrallën e Gokut.

Po, - shprehet i ati Besniku, - edhe për ne lufta ka qënë e imponuar, ne nuk jemi një racë që duam luftë, por çmojmë mbi gjithçka lirinë, jetën.

Ai ka qenë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillimin e vitit 1998 në brigadën 125, zona operative e Pashtrikut. I vetëdijshëm se jo gjithçka shkon mirë, Besniku beson se Kosova është duke u bërë më në fund, është realizuar ëndrra dhe amaneti i të rënëve për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Ai me emocion dhe me zërin që i dridhet, përmend shokët e frontit, Komandant Hoxhën, për të cilin flet me respekt, pastaj udhëheqësin trim Zafer Berishën, veçon se edhe në se ata ishin komandantët tanë në luftë, së pari ishin vëllezërit, prindërit tanë të të njëjtit ideal. Ndalon disa çaste, zëri fillon t`i dridhet, pastaj vijon.

- Kemi shumë shokë që nuk janë më, që kanë mbetur në frontin e luftës. Është amaneti i tyre sot i realizuar.

Sot kjo lagje thirret “Lagjia e Trimave”. Janë jo pak, por 30 viktima ta shkaktuara nga luftimet në këtë lagje, mbi 20 luftëtarë po të kësaj lagjeje janë dëshmorë të Kosovës, afro 100 djem kanë qenë  luftëtarë në formacionet e UÇK vetëm nga kjo lagje.

Bashkim nis të zërë disa nga emrat e ish luftëtareve; Zefer Berisha, Elbasan Shoshaj, Resat Krasniqi, Afrim Shala, Asim Shukri Pulaj etj, etj.

Eh, këtu ka pasur edhe prej Shqipërie, Tahir Sinani prej trojeve të Shqipërisë ka dhënë jetën e sot prehet në trojet e Kosovës së lirë.

Shqipëria do të bashkohet, thotë Bashkimi, unë besoj shumë se edhe tokat tona në jug do të bashkohen sepse edhe Çamëria është larë me gjak. Flamuri i kombit është një tempull për gjithë shqiptarët kudo janë. Mitrovica nuk mund të ndahet, ne prapë ngjeshim armët, shprehet i sigurt dhe me besim në vetvete dhe tek shokët.

I drejtojmë mikrofonin Afrimit, oficer i forcave të informacionit, pjesëmarrës në luftime të drejtpërdrejta, një luftëtar që respektohet prej të gjithëve. E pyes për të rënët, për shokët e tij që nuk janë.

Sypërlotur sheh thellë brenda dritares së vogël të objektivit të kameras. Në sytë e tij ndrisin dy pika loti, që sa zenë të bulojnë, pastaj më vështron miqësisht mua sikur më kërkon ndjesë. Nuk flet asnjë fjalë. Ofshanë thellë, thellë sikur do të çlirohet.

Eh ç’histori kanë trokitur në jetën e këtij njeriu, histori që duket se kapërcen  kufijtë e reales e ndoshta tash e mbrapa do të tregohet si një legjendë. Në fakt është një histori reale që Afrimi e ka jetuar vetë.

Ai atë natë u thirr të vejë në shtëpi. Atje e priste një vajzë e re, e bukur si një zanë. Besniku, ky djalë besnik i kishte dërguar fjalë Afrimit të kthehej në shtëpi. Shokët e frontit vendosën që ai të shkonte atje në zemër të “Lagjes së Trimave” ku gjendej shtëpia e tij. Të gjithë këmbëngulën që ai të shkonte

Por nuk qe e gjatë vizita në “Lagjen e Trimave”, se pushkët kërcitën dhe atë e lajmëruan për shuarjen e të gjithë shokëve. Nëntë prej tyre mundi t`i shohë së paku të vdekur, por njëmbëdhjetë të tjerë ishin zhdukur e ai nuk mundi t`i shohë as për së vdekuri.

Afrimi “fajson” veten e tij. Ai ishte njëri ndër oficerët më të zotë dhe e njihte vendin mirë. Por dhe nëse ishte e thënë, duhej të ishte atje të vdiste bashkë me ata.

Pengu i jetës mbeti aty dhe sa herë bije fjala për të renët ndër sy bulojnë dy pika loti. Shpirti flet, goja hesht. Rrëfeu tek unë shokët e humbur.

Afrimi, ky trim që të bën të emocionohesh deri në qelizën e fundit, u betua se do të merrte hak në emër të gjakut të derdhur.

Si kalorës i panjohur trokoi nëpër muzg drejt asaj kodre pa emër, ani se nata është e gjatë e bes nuk ka. Mitralozi ulërinte si ujku maje thepit. Uli kryet dhe kujtoi atdheun dhe nënën.  Kur i pashë prej ëndrrës vijmë thashë.

Lugut të qiellit fluturojnë retë hijerënda e diku shkrepnin rrufetë dhe në humnera fërfëllojnë, një za i pikëlluem, si ai i nanës mbi kufomë e birit të vetëm. Ishte nata e pagjumësisë. E ne rendem nëpër gryka shkëmbinjëve pa rrugë.

Shfaqen hijet e të vdekurve kur gjumi mi vesh sytë kam frikë të fle se në ëndrrat me dalin lugetër që marrëzisht gjak kërkojnë të derdhin.

Ashtu turbull, Rifat Krasniqin e pyes, nëse sot ka frika nga Serbia, nëse dje nuk pati frikë.

Kam frikë,- tha Rifat Krasniqi,- jo nga lufta, por nga paburrëria dhe nga politika e tyre djallëzore. Serbia ka mbështetjen e Rusisë, por ne jemi prap këtu, e prap jemi gati të marrim armët e të nisemi në luftë.

Fjala vret si rrufeja ajo e pa vërteta.  Sot me ndërgjegjen në mungëse drejtues të Serbisë e mohojnë masakrën mbi Kosovën e kosovarët. Këmbët e tyre më fusin frikën edhe kur qeshin jo më kur skërrmiten si gështenjat pikëlojnë prej degëve të pemës u pikën e vranë djemtë e Kosovës. E këtu nënat zemërplasura veshur me manetele të zezë vajtojnë thekshëm vajit tu ia thanë për djemtë që gjenden në qetësinë e të vdekurve. Vajtojnë mbi petkat e dekës ata u varrosën në shumë raste veç eshtra

 

 Unë jam i papunë, por kjo nuk ka rëndësi. Tash Kosova është e lirë. Ne si komb kemi treguar se dimë të luftojmë dhe të mbajmë njëri-tjetrin në ditë të bardhë e të vështirë.

Gjithnjë kujtoj atë kohë kur paramilitarët lëshoheshin si kukuvajkat shtëpi më shtëpi.

Ne prap i rrëmbejmë armët, se për ne nuk ka gjë me të shtrenjtë se liria.

 Natyrshëm na ftojnë që sëbashku të rrimë gjatë.

Përqafemi me njëri - tjetrin dhe makina jonë drejtohet drejt zemrës së Kosovës. E kam kokën të turbullt dhe me imazhet e një lufte. Eh më vijnë ndër mend vargjet e Fishtës :

“E ti zot gjuan me rrufe kot së koti lisat e malit”

Por ja tash Kosova është e lirë dhe e pavarur. Njerëzit tashmë pas një lufte dhe pushtimi të gjatë i janë kthyer punës dhe vështrimit drejt së ardhmes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat