Mashtrimi më i madh për Kosovën ishte ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Mars të vitit 2018!

Opinione

Mashtrimi më i madh për Kosovën ishte ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Mars të vitit 2018!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 28 korrik 2021 Në ora: 20:02
Ramush Haradinaj

Nuk ka më asnjë dilemë, se Marrëveshja për demarkimin e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Ministrinë e jashtme të Austrisë në Vjenë me 26 gusht 2015, për palën kosovare nga Hashim Thaçi, zv/kryeministër/ministër i jashtëm, për palën malazeze, Igor Lukšić, ministër i jashtëm, Skënder Hyseni, ministër për punë të brendshme, kurse nga pala malazeze ministri i punëve të jashtme, Raško Konjević, në praninë e presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanovic dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, e që ishte akti më i shëmtuar i një tradhtie kombëtare, ngase me nënshkrimin e saj nga ish dy udhëheqësit shtetëror të Kosovës, fqinjit tonë perëndimor, MZ, iu falën pa asnjë detyrim mbi 8300 hektarë toka të trevës së Rugovës, gjegjësisht të Kosovës..!?

Ata të cilët e kanë përcjellë me kujdes punën në teren të Komisionit “Meha”, i themeluar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2011 dhe Komisionit të Malit të Zi deri në vitin 2017, sidomos rreth përgatitjes së marrëveshjes së përbashkët, e dinë fare mirë se komisioni “Meha” nuk i ka ofruar pothuajse asnjë dokument valid komisionit malazez, si dëshmi që vija kufitare mes dy vendeve në gjatësi prej 70 km ka qenë e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974 dhe e tillë duhet të mbetet, e jo që ta përcaktojnë kufirin e ri, meqë asnjëri komision nuk ka pasur të drejt kushtetuese që të përcaktojnë vija të reja kufitare, përveç se ta verifikojnë dhe shënojnë atë ekzistues.

Po ashtu, opinionit tonë i kujtohet sjellja bizare dhe presioni brutal të cilin H. Thaçi dhe Isa Mustafa e kanë ushtruar për tri vite rresht ndaj deputetëve të partive të tyre, që sapo të sjellët në Kuvend marrëveshja në fjalë, ta votojnë atë pa hezitim. Siç dihet po ashtu fakti se në anën tjetër ishte opozita në krye me LVV-je dhe AAK-në ajo e cila e kundërshtonte me këmbëngulësi sjelljen e asaj marrëveshjeje  në Kuvend për ratifikim, deputetët e të cilave parti çdo tentim që ajo të votohej në Kuvend e kanë kundërshtuar dhe penguar duke hudhë gaz lotsjellës disa herë në sallën e Kuvendit, duke e shtyrë ratifikimin e saj për gati tri vite rresht, deri në momentin kur në krye të qeverisë do vije Ramush Haradinaj në fund të vitit 2017.

Image

Ishte pikërisht Ramush Haradinaj, ai i cili e kundërshtonte sjelljen dhe ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvend, dhe iu kujtohet, kur për shkak se Murat Meha i kishte pranuar kushtet (ofertat) e komisionit malazez për t’i ndryshuar kufijtë, duke hyrë madje thellë në territorin e Kosovës, ia kishte hudhur në fytyrë hartën e falsifikuar të Kosovës, duke e quajtur tradhtar, mbase pas pak ditësh e quajti “peder” për shkak të dëmit që ia kishte sjellë territorit të Kosovës.

Pra, marrëveshja e përgatitur nga komisioni “Meha” dhe e nënshkruar në Vjenë në gusht 2015, për tri vite rresht nuk kishte mundur të sjellët në Kuvend për shkak të kundërshtimit të fuqishëm të vetë liderëve të LVV-je dhe AAK-së, Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt.

Mirëpo, siç dihet për habinë e të gjithëve, me ta marrë postin e kryeministrit në fund të vitit 2017, Ramush Haradinaj, qëndrimin e tij kundër, pas vetëm pak muajve do ta ndryshon për 180 shkallë, duke e sjellë me insistimin e tij në Kuvend të njëjtën Marrëveshje të cilën e kishte kundërshtuar me aq ngulm. Madje, duke i detyruar deputetët e partisë së vetë që ta ngrisin dorën kurdo që ajo të vihet në votim në Kuvend. Por, se çfarë e shtyri Ramushin, nga posti i kryeministrit, që ta ndryshonte qëndrimin e tij ndaj marrëveshjes së përgatitur nga Komisioni “Meha”, të cilën më shumë se dy vite e kundërshtoi me ashpërsi, dhe këtë e dëshmojnë edhe fjalimet e tij të zjarrta gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, kur në çdo takim me qytetarët e Pejës dhe Rrafshit të Dukagjinit, po e përsëriste sloganin e tij të njohur, se “kufiri me MZ është dhe gjithmonë do mbetet në Çakorr dhe Kullë të Zhlebit..”, që asokohe edhe unë si banor i fshatit Haxhaj në Rugovë, i shtrirë buzë kufirit me MZ, fshat që është dëmtuar më së shumti me marrëveshjen e komisionit “Meha”, kam qëndruar afër Ramushit, duke e përkrahur fuqishëm me shkrime të përditshme në gazeta ditore si dhe me reportazhe të shumta nga tubimet e mbajtura me përkrahësit e tij, për faktin e vetëm se shumica e banorëve të trevës së Rugovës i kemi besuar fjalëve dhe premtimeve të tij, të cilat siç dihet, i shkeli pa ndonjë presion nga faktorët ndërkombëtar, veçse me vullnetin e tij personal, duke e sjellë dhe ratifikuar në Kuvend me 80 vota “Pro” (të imponuara) marrëveshjen më antikombëtare që është nënshkruar në dëm të Kosovës në gjithë historinë e saj të përgjakshme!

Image

Arsyetimi i Ramushit, siç ishte ai i mbrëmshmi në emisionin “Debat-Plus” pranë TV-Dukagjini, se asaj marrëveshjeje ia ka bashkëngjitur Raportin e Komisionit “Bulliqi” i cili ka gjetur shkelje flagrante kushtetuese në punën e komisionit “Meha” si dhe në tekstin e marrëveshjes në fjalë, si dhe Deklaratën e dy presidentëve, Thaçi-Filipoviç, për korrigjim të mundshëm të kufirit në drejtim të Çakorrit dhe Kullës, nuk është asgjë tjetër veçse një kamuflim i pastër politiko-juridik “sa për ta larë gojën”, sepse nuk ka marrëveshje ndërshtetërore në botë e cila kur ratifikohet midis dy shteteve si aneks të përmban ndonjë dokument shtesë. Meqë, marrëveshjet me karakter ndërshtetëror dhe ndërkombëtar nuk pranojnë dhe as që mund të ratifikohen nga Kuvendet gjegjëse, duke ua bashkëngjitur ndonjë dokument shtesë, por as pa pajtueshmërinë e dy palëve me përmbajtjen e njëjtë të tyre, të harmonizuara deri në detajin më të vogël, si dhe pa qenë ato identike në tekst dhe germë, në njërën nga gjuhët botërore për të cilën pajtohen dy palët, siç ishte me këtë rast gjuha angleze bazë për përkthimin dhe ratifikimin e marrëveshjes në fjalë me Malin e Zi me 21 mars 2018 nga Kuvendi i Kosovës..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat