Ballkani i “hapur” – rruga drejt integrimeve evropiane

Opinione

Ballkani i “hapur” – rruga drejt integrimeve evropiane

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 31 korrik 2021 Në ora: 13:15
Nexhmedin Saqipi

Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, në Shkup, këto ditë të nxehta vere, solli një freski me nismën, që Mini Shengeni, të merr emërtimin e ri: Komuniteti Ekonomik Rajonal.

Shefat e tre shteteve më të fuqishme në Ballkan: Serbia, Shqipëria dhe Maqedoni e Veriut, të prirë nga burrështetasit vizionarë si: presidenti Vuçiq dhe kryeministrat Rama dhe Zaev, nënshkruan një Marrëveshje, për të qenë një model i mirë për bashkëpunim ndërkufitar.

Kësaj nisme nuk iu bashkuan Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, duke e vlerësuan një nismë të tillë kontraverze, të rrezikshme dhe pa perspektivë.

Drejtuesit e këtyre shteteve të kontestuara kishin vërejtje edhe më herët lidhur me Mini Shengenin, kinse të frikësuar nga kthimi i ish Jugosllavisë, sa për të mbuluar arsyen e mosprezencës së tyre.

Llogaria

Disa analistë politikë të momentit marrin guxim të thonë se për një Marrëveshje të tillë duhet konsultime, bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve për t’u bërë Marrëveshja si procesi i dialogut, si një tren pa stacion.

Të gjitha rrugët gjithmonë nuk të qojnë nga Roma! Në këtë drejtim projektuesit e kësaj vepre madhore me karakter rajonal, nuk është e thënë të pyesin e të bllokohen po qe se Rama nuk e pyet Kurtin, apo Vuçiqi Dodikun.

Llogaria pa hanxhiun, më shumë vlen për ata që jetojnë me iluzione ose me frikë permanente, duke e izoluar veten dhe duke bllokuar të tjerët.

Evropa nuk na do këtu të ndarë e të katandisur, me një ekonomi në rrënim dhe me një politikë pa vizion. Si të kërkojmë bashkim me Evropën, kur jemi të ndarë në Ballkan si lëkura e leopardit me disa kufij, që akoma kundërmojnë erë komunizmi e me disa administrata të ngarkuara me pluhurin e urrejtjes ndërnacionale.

Bojkoti i një projekti të tillë jetik për popujt e Ballkanit, është një veprim i çmendur politikë i disa politikanë, të cilët mundohen të jenë më shumë se sa janë ata në të vërtetë.

Ballkani duhet të fuqizohet, në mënyrë që të faktorizohet. Ndryshe me idetë e ndarjes, inateve, përçarjeve nuk mund të ecë përpara dhe një hapërim i tillë çalaman i shkon për shtati Evropës e cila i përngjajnë një “sahatxhiu, që nuk e rregullon orën sagllamë”, në mënyrë që ti gjithmonë ta lutësh e ta quash zotëri!

Po kjo Evropë, ka qenë dikur ajo që Shqipërinë e ka llogaritur si një spirë që kullon gjak në Ballkan, ndaj duhet ndryshuar mendjet e qasjet për një rajon me kufij liberal, që ofrojnë zonë të lirë tregtare e qarkullim të papenguar të njerëzve, mallrave dhe ideve.

Demagogjia

Sa cinike dhe demagogjike janë veprimet e disa politikanë provincialë, të cilët deri dje kanë derdh lot krokodili për një zonë të lirë doganore, për një rivitalizim të kufijve, për integrime evroatlantike etj.

Po të njëjtët politikanë tani edhe përgjegjës të institucioneve, vetëm se nuk janë bartës të një projekti të tillë rajonal, mundohen të fusin pyka dhe të bllokojnë proceset.

Shtetet e këtyre politikanëve kompleks lëre që kanë problem në organizimin shtetëror, ata mundohen edhe t’u krijojnë problem shteteve fqinje, në mënyrë që gjendja e status kuos të zgjas sa më shumë, për qëndruar në pushtet me problem artificiale.

Evropa na do të integruar, nëse në njëherë vetë integrohemi dhe krijojmë lidhje të mira politike dhe ekonomike. Lufta me kriminelë nuk do të pushojë kurrë. Ata që kanë bërë krime një ditë do të japin llogari. Këto procese nuk duhet të presin vendimet gjyqësore të cilat zgjasin me vite e kufijtë të na mbeten po ato, që për ditë u nxjerrin probleme qytetarëve, të cilët janë lodhur dhe mërzitur me pritje të gjata nëpër kufij.

Demagogjia dhe hipokrizia janë vese ballkanike, të mentaliteteve të mbrapshta, që mjerisht na kanë shoqëruar gjatë dhe po na ndjekin vazhdimisht për shkak tekeve dhe huqeve të papara.

Vizioni

Ballkani dhe ballkanasit duhet të lirohen nga komplekset, inatet, teket dhe përçarjet, të cilat na kanë kushtuar me jetë.

Politikanë vizionarë si Edi Rama, duhet të mbështeten dhe të inkurajohen për punën që bëjnë në dobi të qytetarëve mes kufijve të ndarë në shumë shtete.

Pavarësisht bindjeve politike, ndarjeve të pushteteve, të cilat na kanë lënë shpesh në qorrsokak, nëse s’ke mundësi të ofrosh ndonjë ndihmë të paktën të mos i pengosh, ngase nga këto veprime të çakorduara po pësojnë qytetarët ballkanikë.

Marrëveshja e Komunitetit Ekonomik Rajonal e firmosur nga tre luanët e Ballkanit, nuk duhet të pengohet, ngase është një projekt rajonalë, që ka bekimin edhe të ndërkombëtarëve, si një hap i sigurt për ardhmërinë e ballkanasve pa dallime krahinore, racore, politike e fetare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat