Edi Rama t'i kërkojë falje Kosovës, ose të jap dorëheqje!

Opinione

Edi Rama t'i kërkojë falje Kosovës, ose të jap dorëheqje!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 2 gusht 2021 Në ora: 16:01
Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev

“Serbët ishin të parët që na ndihmuan“. Kjo është fraza me të cilën Edi Rama iu drejtua shokut të tij të ngushtë, Aleksandër Vuçiq, derisa ky i fundit mundohej të fshihte modestinë e lëvdatave. Pikërisht kjo gjë i duhet presidentit serb, të fsheh sa më shumë fytyrën e vërtetë të një krimineli. Këtë favor ia bëri Edi Rama, hiq më pak a më shumë se kryeministri i Shqipërisë. Me apo pa dashje Edi Rama harroi se ishin të parët shqiptarët e Kosovës që i erdhën në ndihmë Shqipërisë, në nëntorin e vitit të kaluar, flasim për tërmetin.

Kosova nuk flinte e qetë derisa Shqipëria dridhej, pa përjashtim, të gjithë hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre për të pritur vëllezërit nga Shqipëria. I hapën kuletat të gjithë, edhe ai që i kishte vetëm 5 euro në xhep nuk kurseu, FSK shkoi në kohë rekord në Thumanë dhe zonat e prekura, të gjithë u bëmë një.

Gjithsesi, kjo nuk i mjaftoi kryeministrit shqiptar që të anashkalonte kontributin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët nuk dua të besoj se nuk i do. Dhe nëse është e vërtetë, këtë gjë s'dua ta besoj, vazhdoj të besoj se Edi Rama bëri një lapsus, këtë gjë mundohem ta besoj edhe pse nuk është e vërtetë. Kjo duke pasur parasysh momentin në të cilin e tha një gjë të tillë, në samitin në Shkup aty ku bashkë me Zaevin dhe Vuçiqin vazhdojnë të besojnë tek ëndrra e “Open Balkan”, për të cilin vetëm emri ndryshon nga projekti famëkeq serb për Serbinë e madhe.

E gjithë kjo veshur nën petkun “Mini Shengeni” nuk sjell asgjë pozitive për shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Nga ky projekt përfitues është vetëm Serbia, duke përfituar daljen në det dhe shfrytëzim të rrugëve të Kosovës dhe Shqipërisë, pas të cilës fshihet Rusia. Rusia gjithnjë ka tentuar që përmes këtij projekti të depërtojë në Adriatik në ujërat për gazin, në luftën e hapur me SHBA-të për dominim në Ballkan. Financuesi kryesor i këtij projekti është Sorosi, një mik i njohur i Serbisë dhe Rusisë ka gjetur Ramën për të bërë të mundur realizimin e ëndrrës së vjetër serbe.

Edi Rama me veprimet e tija ka dëshmuar afërsi me Serbinë dhe lagësi me Kosovën. Derisa për shqiptarët e Kosovës e bën me pagesë Rrugën e Kombit 10 euro vajtje ardhje, për Serbinë dhe Vuçiqin premton se s'do të ketë asnjë pengesë nga Beogradi e deri në çdo cep të Shqipërisë. Samiti në Shkup është kundër orientimit të shqiptarëve për miqësi të përjetshme me SHBA-të, me orientim pro amerikan. Ky projekt serbo-rus është kundër SHBA-ve, dhe si i tillë nuk e gëzon mbështetjen e Kosovës, por as të qytetarëve të Shqipërisë. Edi Rama nuk përfaqëson interesat e shqiptarëve, por të tijat dhe Sorosit, një mik i vjetër serb.

Edi Rama duhet të kërkojë falje për fyerjen që u bëri shqiptarëve të Kosovës, në kohën kur Kosova vuan ende plagët e regjimit të Serbisë, të cilit edhe Vuçiqi i ka kontribuuar shumë, përqafohet me xhelatin, duke fyer dhe anashkaluar ndjenjat e shqiptarëve të Kosovës.

Duhet respektuar plagët, dhimbjet e Kosovës, këtë gjë e ka obligim kombëtar kryeministri i Shqipërisë, kushdo qoftë ai, Rama apo dikush tjetër. Edi Rama duhet të kuptojë këto gjëra, duhet të jetë i kujdesshëm shumë. S'kam besuar se vjen një moment që një kryeministër i Shqipërisë ka anashkaluar Kosovën për të lartësuar Serbinë, duke fshehur një të vërtetë tashmë të njohur: Kosova iu gjend e para Shqipërisë, sepse i takonte, sepse jemi NJË.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat