Tërmetet e shpeshta sinjal edhe për ne në Kosovë!

Opinione

Tërmetet e shpeshta sinjal edhe për ne në Kosovë!

Nga: Sali SPAHIU Më: 3 gusht 2021 Në ora: 17:22
Foto ilustrim

Tërmeti është një fenomen natyror shumë i rrezikshëm për sigurinë e jetës dhe pasurisë sonë. Ai gjithnjë, në mënyrë permanente kur është me intenzitet të lartë lë pasoja afatgjate me shkatërrimet e tij, shumë njerëz mund të humbin jetën dhe asgjasohet një pjesë e pasurisë nacionale të një vendi.

Në kohët e fundit kanë ndodhur shumë tërmete në rajonin tonë dhe në vende të ndryshme të botës.

Po i përmendi vetëm disa prej tyre: në Shqipëri, Greqi, Turqi, Alaskë(SHBA) dhe së fundi në Kosovë (regjioni i Kaçanikut).

Me këtë rastë, më duhet të ju rikujtoj se tërmeti në Shqipëri me 26 nëntor 2019 la pas veti 51 viktima, më se një mijë të lënduar dhe dëme të mëdha materiale. Pasojat e këtij termeti për Shqipërinë, pa dyshim janë shumë afatgjate.

Besoj dhe shpresoj se këto tërmete për të gjithë profesionistët që merren me projektim urbanistik, arkitektonik dhe inxhenierik do të jenë sinjal serioz. Po ashtu ky sinjal është shumë i rëndësishëm edhe për organet kompetente të Kosovës.

Këto ngjarje tragjike më dhanë shkas të shpreh opinionin tim lidhur me situatën në Kosovë e posaqërisht në Prishtinë. Uroj që këso tragjedi mos të ndodhin më kurrë dhe askund.

Si qëndron puna te ne në Kosovë? Sipas bindjes sime, natyrisht duke u bazuar në përvojen dhe argumentet profesionale-mendoj se nuk është e mirë. Pse? Sepse një kohë të gjatë pas luftës në Kosovë nuk janë përfillë në masë të duhur normat, standardet, rregullat e ligjet që e kane definuar lëmin e ndërtimit. Ka shumë improvizime në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore siq janë: tërmeti, zjarri apo diçka tjetër.

Pra, institucionet përkatëse nuk kanë vepruar si duhet dhe sa duhet. Profesionistët shpesh nuk kanë reaguar, ose kur kanë bërë ndonjë reagim, zëri i tyre nuk është dëgjuar prej atyre që janë të thirrur për të vepruar sipas ligjit. Vet fakti që sot në Kosovë kemi më tepër se 300 mijë ndërtime informale (sipas të dhënave zyrtare) flet shumë për situatën ku gjendemi, natyrisht edhe për sigurinë tonë. Në Prishtinë siq dihet janë më tepër se 40 mijë ndërtime pa leje.

Ka shumë nënndërtime (bodrum, suteren e përdhesë) të objekteve si dhe mbindërtime të tyre .E gjithë kjo paraqet një situatë të rëndë, alarmante e të rrezikshme për jetën tonë.

Kolegu i nderuar Mentor Llunji e trajtoi në mënyrë shumë profesionale problemin e nën ndërtimeve në Prishtinë.

Ai në mënyrë të argumentuar u shpreh për rrezikun që vjen nga intervenimet në përdhesë të objekteve në rast tërmeti. Këso intervenime konstruktive pa analiza detaje dhe zgjidhje të duhura profesionale- inxhinierike ka pothuajse në tërë Kosovën e posaqërisht në zonën qendrore të Prishtinës. Kjo situatë duhet të trajtohet urgjentisht dhe seriozisht.

Përfitimet materiale nga legalizimi i këtyre ndërtimeve ilegale, ose më mirë me thënë shkurt i këtij kaosi urban, Kosovës një ditë mund ti kushtoi shumë shtrenjtë.

Për këtë duhet menduar mirë.

Për hirë të vërtetës, më duhet ta njoftoi opinionin e gjerë se kohë pas kohe janë bërë disa reagime nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës e disa raste edhe nga kolegët tanë, por mjerisht pa rezultate të duhura. Kjo më bënë të dyshojë se për interesa të ndryshme ka munguar ndryshimi i gjendjes dhe vendimmarrja e duhur.

Këtë që e shpreha më lartë, dëshiroj ta argumentoje me disa fakte:

Në qershor të vitit 2000 (atëherë kur filloj kaosi urban) unë dhe Kryesia e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës e lëshuam një deklaratë për opinionin publik dhe për institucionet përgjegjëse të asaj kohe, përmes të cilës bëmë apel që urgjentisht të merren masa të nevojshme në parandalimin e këtyre dukurive negative që sapo kishin filluar të marrin hov.

Është e vërtetë që në atë kohë vepronte UNMIK-u, por edhe Administrata vendore është dashtë të reagoj duke e ditur se UNMIK –u një ditë do ta lëshoj Kosovën, e pasojat do të mbesin. Kjo nuk ndodhi sepse interesat e ndryshme dolën se ishin më të fuqishme se argumentet tona profesionale.

Në shtator të vitit 2000 Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Prishtinës na ftoj të marrim pjesë në: “Shqyrtimin e stabilitetit të mbindërtimeve”. Natyrisht se reagimi jonë ishte negativ, pasi këto mbindërtime ishin bërë kryesisht pa analiza të duhura profesionale që për pasojë mund të kishin sigurinë e banorëve në këto objekte.

Po ashtu në shtator të vitit 2000, kur u mbajtë takimi: “VIZIONI PËR PRISHTINËN 2000-2005”, unë si përfaqësues i Asociacionit tonë, kërkova dhe insistova në respektimin e të gjitha Konventave Ndërkombëtare të bazuara në KARTEN E KOMBEVE TË BASHKUARA dhe në deklaratat e vendimet shumë të rëndësishme dhe eminente të arkitektëve botëror.

Në prill të vitit 2001 ASOCIACIONI i jonë reagoj edhe pranë HABITATIT me kërkesë që të vë rregull në hapesirën e Kosovës duke aplikuar ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Mendoj se edhe institucionet tona në atë kohë është dashtë të bashkëveprojnë me UNMIK-un në parandalimin e kësaj gjendje. Jam shumë i vetëdijshëm që reagimet tona që sot po i përmendi pas më shumë se dy dekada dikujt mund ti duken “qesharake”, por në atë kohë këto ishin mundësitë tona për të reaguar, të cilat mjerisht nuk dhanë rezultate.

në hapesirë sot e kemi shumë të keqe. Fatin tonë, sot kemi mundësi ta vendosim vet ne, por nuk po sillemi në mënyrë të duhur dhe racionale. Duhet menduar edhe për gjeneratat pas nesh.

Sali SPAHIU, arkitekt                                                                                                                   Prishtine, gusht-2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat