Marrëveshja Kornizë e Ohrit do të mbetet vetëm manifest politik

Opinione

Marrëveshja Kornizë e Ohrit do të mbetet vetëm manifest politik

Nga: Arbër Çeliku Më: 13 gusht 2021 Në ora: 16:31
Autori

Në këto çaste duhej të isha në konferencën për Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, ngaqë para 1 jave kam marrë ftesë nga zyra e zv-kryeministrit të parë të Qeverisë së RMV-së, por nuk e pashë të udhës të jem pjesëmarrës aty. Thjesht, nuk dua të marrë pjesë askund, ku më shumë ka formë se sa përmbajtje. Megjithatë, mendimin dhe qasjen time profesionale, të bazuar në shumë hulumtime tashmë mbi 1 dekadë lidhur me këtë Marrëveshje, për faktin se kam qenë shumë i preokupuar me të drejtat tona si popull në RMV, do t’i shtjelloj përmes këtij shkrimi, me synimin që të kontribuoj në kuptimin sa më të mirë të problematikës në fjalë.

Pajtohem plotësisht se Marrëveshja Kornizë e Ohrit ishte një marrëveshje kompromisi, por kompromis ky që u desh të bjerë mbi supet tona si popull. Ç’është e drejta pati disa ndryshime kushtetuese, por që janë formale dhe aspak nuk e pasqyrojnë realitetin e Maqedonisë së Veriut as si njësi shumetnike, dhe as si njësi juridike-politike. Aparteidi gjysmë-shekullor, fatkeqësisht, nuk arriti të zhbëhet as me arritjen e kësaj marrëveshjeje paqeje, por i riformatua përmes një dekori politik dhe assesi të ketë ndryshime substanciale në rrafshin kushtetues-juridik. 

Mua nuk merr kurrë mendja se SHBA-të do të lejonin një riformatim të këtillë, po të mos ishte lëshimi pe nga ana e faktorit tonë politik atëkohë, sepse nuk ka vend tjetër në botë si SHBA-të, që edhe me kushtetutë garantojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ato etnike, fetare, kulturore dhe gjuhësore, gjë që shprehet në mënyrë eksplicite edhe me frazën e parë të Kushtetutës së SHBA-ve: “We the people of the United States of America” (Ne popujt e SHBA-ve dhe jo ne amerikanët, siç është në preambulën e Kushtetutës së RMV-së, e cila qysh në fillim vë hendekun midis “popullit maqedonas” dhe “kombësive” tjera siç janë: shqiptarët, turqit, vllahët, romët, etj.). 

Në Maqedoninë e Veriut juridikisht ka një popull (maqedonas) dhe më shumë kombësi (shqiptarët, turqit, vllahët, romët, bullgarët, serbët, etj.), kurse politikisht, kur kërkohet vota qytetare, atëherë të gjithë shihen si qytetarë të barabartë. Kësisoj, Marrëveshja Kornizë e Ohrit më shumë përbën një manifest politik, se sa një dokument që do të garantonte mirëqenie etnike, kulturore dhe gjuhësore. 

Marrëveshja Kornizë e Ohrit për bazë ka pasur parimet e Badinterit (kryesisht për avancimin e të drejtave të pakicave), të cilat janë përmbledhur në këto pika: 

1. autoritet i fuqishëm në nivel lokal siç është arsimi, gjuha, kultura, ndarja e financave, mbrojtja e ambientit dhe urbanizimi;

2. një votë të kualifikuar shumice në rrafshin nacional të autoritetit lokal (një shumicë e kualifikuar është procedurë evropiane, e cila e bën më të lehtë për pakicat për të bllokuar legjislacionin apo ndryshimet kushtetuese në fusha të ndryshme të interesit të tyre);

3. përdorim të zgjeruar të gjuhëve jo-maqedonase në arsim dhe në administratën publike;

4. autoritet në përdorimin e emblemave etnike në rrafshin lokal;

5. parametra në reduktimin e diskriminimit dhe qasje të pakicave në punësim në qeveri; dhe

6. zgjerim të përfaqësimit të pakicave në Gjykatën Kushtetuese.

Kushdo që do të trumbetojë edhe më tej se është arritur diçka më tepër, se shqiptarët kanë përfituar më shumë sa i përket avancimit të çështjes kombëtare, thjesht po përdor propagandë të pastër politike dhe asgjë më shumë. Mbase, në shikim të parë, bie në sy se shqiptarët kanë përfituar më shumë, por kjo ndodh si rrjedhojë e përfaqësimit më të madh numerik (zyrtarisht 25.4%), por përfaqësimi ende nuk e ka arritur 20% në nivel të përgjithshëm, madje në disa sektorë nuk e kalon as 10% si në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në Ministrinë e Financave (vetëm 11%), kurse në disa sektorë tjerë që ende vlejnë ekskluzive maqedonase nuk e kalon as 1%, si në Forcat Speciale, Shërbimin e Sigurisë, etj. 

Sa i përket diskriminimit dhe decentralizimit, të parapara me këtë Marrëveshje, as që ia vlen barra qiranë të diskutohet, sepse të gjithë jemi dëshmitarë se sa pushteti qendror investon te pjesët shqiptare dhe ato maqedonase, ose favorizimin e komunave me drejtues të partive në pushtet dhe atyre që i menaxhojnë partitë opozitare. 

Vetë fakti se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk u përmbyll brenda afatit të paraparë kohor (4-vjeçar) flet shumë për një aparteid të ngulitur thellë në vetëdijen politike maqedonase dhe për mosaftësinë tonë politike, për të çuar përpara të drejtat tona “komunitare”. Është paksa e pahijshme, që sot pas 20-vjetësh ende të glorifikojmë një Marrëveshje, e cila duhej të ishte përmbaruar në vitin 2005. Sot, pas 20-vjetësh do të duhej të flisnim për avancimin e të drejtave tona kombëtare: shtetformësuese, decentralizuese, kulturore, gjuhësore. 

Është e vërtetë se Marrëveshja Kornizë e Ohrit parandaloi një “tragjedi”, e cila mund ta vinte në flakë mbarë rajonin e Ballkanit, duke marrë parasysh faktorët e jashtëm, por ajo hapi tragjedi të reja sa i përket rrafshit të brendshëm. Ne sikur jemi të prirë, që për të mbyllur një tragjedi, medoemos të hapim tragjedi të tjera. 

Sot është tragjike që ne brenda vetes kemi krijuar aparteid politik, i cili tjetrin, i cili nuk i përket partisë politike e përjashtojmë dhe stigmatizojmë, pavarësisht vlerës dhe meritokracisë që mund të ketë ai. Po aq tragjike është, që kemi degraduar arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, kulturën, sportin dhe gjithçka tjetër. Dhe më tragjikja është, që të rinjtë vazhdojmë t’i stimulojmë të dynden jashtë vendit për një të ardhme më të mirë, e cila do të duhej të ishte bërë këtu në bazë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. 

Duhet ndryshuar qasja, duhet kërkuar ndryshimet e domosdoshme kushtetuese-juridike, duhet një angazhim gjithëpërfshirës, i njëmendtë dhe parimor, përndryshe Marrëveshje Kornizë e Ohrit do të mbetet vetëm se një manifest politik, i fryrë në formë, por i zbrazët përmbajtësisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat