Qytetari për 10 euro ryshfet dënohet me 6 muaj burg me kusht, politikanët kush guxon t’i dënojë?

Opinione

Qytetari për 10 euro ryshfet dënohet me 6 muaj burg me kusht, politikanët kush guxon t’i dënojë?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 15 gusht 2021 Në ora: 10:47
Foto ilustrim

Drejtësia e pavarur është parametër bazë për shtet të së drejtës, nga ku  të gjithë qytetarët janë dhe trajtohen të barabartë.

Një drejtësi e tillë fatkeqësisht vazhdon të mungojë në vendin tonë, nga ku prodhohen pastaj të gjithë të këqijat që vijnë pas: ryshfeti, haraçi, korrupsioni, mito, etj.

Fatmirësisht kemi policinë shumë të disiplinuar, të aftë dhe mjaft të përgatitur për të arrestuar keqbërësit, fatkeqësisht është drejtësia ajo që pastaj nën ndikim të favoreve të ndryshme edhe rastet më të rënda i ledhaton me dënimet shpesh edhe qesharake.

Një drejtësi e tilla ka nevojë për tu shkundur mirë, për reforma të forta dhe të thella. E kemi thënë disa herë dhe prapë po e përsërisim, drejtësia ka nevojë për vetting.

Janë me qindra raste ku prokurorët krimineleve të drogës, njerëz edhe që vrasin, u shqiptojnë dënime nga më qesharake, të formave: dënime me kusht, me gjoba, por asnjëherë dënim meritore.

Rasti “Pronto”, dëshmon më së miri se askush nuk shkoi në burg, dënime me kusht, me gjoba dhe forma të tjera e të cilat janë krejtësisht të papërfillshme për  tipa që bëjnë veprime të tilla.

Kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë edhe Prokuroria e shtetit bën më qëllim përkufizime të termave përmes të cilave parashikohet dënim më i butë. Në katër raste ndaj zyrtarëve të lartë publikë, Prokurori i Shteti ka shkelur dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.

Veprimet e të akuzuarave nuk janë kualifikuar si deklarim jo i saktë dhe i rrejshëm i pasurisë për të cilën parashihet dënim më i ashpër, por janë kualifikuar si mosdeklarim i pasurisë apo refuzim i deklarimit për të cilët parashihet dënim më i butë.

Në shumë raste të tjera me qëllim janë vonuar shqyrtimi i rasteve brenda afateve kohore, pastaj ndryshimet e qëllimshme të gjykatësve, kthimi në shqyrtim i rasteve, krejt këto zvarritje me qëllim që të arrihet deri tek një dënim sa më i butë me arsyetimet se janë provuar të gjitha shkallët e sistemit të drejtësisë për të përforcuar edhe më shumë dënimin, edhe pse krejt qesharak.

Në të gjitha rastet e aferave korruptive, kur bëhet fjalë për zyrtarët e lartë, asnjëherë nuk është shqiptuar dënim me burg efektiv, në 90% të rasteve dënime kusht, në 10 % dënim me gjobë, e të cilat dënime edhe me gjobë janë të papërfillshme për një zyrtarë të lartë të shtetit.

Këto veprime dhe shumë te tjera janë ato që e bëjnë të domosdoshme që të ketë reforma të mëdha, të thella në sistemin e drejtësisë së vendit tonë. Derisa në qytetarë i zakonshëm dënohet me një vjet burg se ka dashur të korruptojë një punonjës në komunë, asnjë politikanë nuk dënohet edhe nëse zihet me “ pelë për dore”, sepse prokurorin sigurisht e ka dost.

Kjo ndasi e thellë në mes të qytetarë të zakonshëm dhe pushtetarëve prodhon të gjitha pabarazitë dhe si pasojë edhe dëshpërimin e madh të qytetarëve me shtetin, me jetën dhe çdo gjë që lidhet me këtë vend.

Nga kjo pastaj edhe lind natyrshëm nevoja për të ikur nga ky vend, me shkakun tashmë të njohur se këto s’ka drejtësi, se këtu të ndershmit shkelen dhe trajtohen keq. Këtu qeveria e re duhet të investoje për të kthyer shpresën, me reformat ë thella dhe të shpejta mund të kthehet shpresa e qytetarëve për një jetë më të mirë këtu.

Derisa ky sistem i drejtësisë është i tillë do të shohim edhe më shumë raste nga ku dënimet me kusht dhe gjobë do të vazhdojnë të shpërndahen në formë lëmoshe për kriminelët, për njerëzit me të këqij të vendit.

Drejtësia e vërtetë është bazamenti kryesor i vënies së shteti në binare të saj të duhura.

Asnjëherë më nuk guxon të ndodh që rasti “Pronto”, “ Vizat”, “Veteranët” etj zvarritën me vite të tëra dhe në fund askush mos të dënohet, askush mos të shkoi në burg pavarësisht dëmit të madh që i është bërë shtetit.

Dënimet me kusht dhe gjoba për kriminelët që janë shkatërruesit e shteti duhet të marrin fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat