Kur shteti i lë të lirë, kriminelët na vrasin!

Opinione

Kur shteti i lë të lirë, kriminelët na vrasin!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 25 gusht 2021 Në ora: 08:55
Dardan Krivaqa

S`ka asnjë dyshim, Kosova është shtet ku drejtësia nuk është drejtësi. Nga kjo pastaj krijohen të gjitha të këqijat, të gjithë krimet. Aty ku nuk vepron drejtësia vepron krimi, viktimë e radhës është 18 vjeçarja, Marigona Osmani.

Marigona u vra sepse shteti e la të lirë një gangster që ekspozonte hapur foto me armë të ndryshme, për më tepër bashkëpunëtori i tij ishte në proces për tentim vrasje. Paramendo që 2013 është ngritur aktakuza për të dyshuarin dhe pas tetë viteve ende nuk është mbajtur shqyrtimi në raport me këtë rast, duke lënë të lirë të dyshuarin, meqenëse nuk është thirrur as seancë apo shqyrtim gjyqësor. Sa herë po kemi raste të tilla të vrasje, gjithnjë po shohim një skandal të madh pas saj, duke shpërfaqur fytyrën e vërtetë të drejtësisë së kapur.

Janë derdhur miliona euro për asfalt, për rrugë nga ku kanë vjedhur ata që kanë qenë në krye të shtetit, kurrë nuk kanë marrë mundin të ndërtonin drejtësinë e pavarur, si garancë që shteti të ecën tutje. Është skandal që një rast për tentim vrasje endet që 8 vjet nëpër zyrat e gjykatës në Ferizaj, pa marrë verdiktin e saj. Nëse do të merrte dënimin, mbase vrasja e Margionës s`do të ndodhte sot. Marigona është e vdekur sepse shteti la të lirë kriminelet, të cilët i prenë ëndrrën një vajzë me të filluar jetën e saj, i prenë dëshirat, ia ndalën jetën në start.

Ndonëse qytetarët në protestë sulmuan policinë, një shfryrje e mllefit ndaj atyre që nuk kanë faj. Policia arreston kriminelet, është drejtësia ajo që është e korruptuar, korrupsioni ua mundëson kriminelëve që mos të mbajnë dënimin për veprat që kryejnë, për më tepër kjo edhe iu dhënë krahë që të jetojnë si gangsterë. Për të bërë edhe më monstruoze situatën askush nuk merr përgjegjësi për zvarritjen e procesit në rastin konkret, apo edhe në qindra e mijëra raste të tjera.

Dhënia e dënimeve të buta, atyre me kusht dhe forma të tjera i ledhaton kriminelët, e të cilët pastaj marrin në qafë vajzat, motra tona. Se drejtësia ka nevojë për pastrim këtë e kemi thënë qysh moti, mirëpo po e përsëris edhe një herë se ky sistem ka nevojë të madhe për një reformim të plotë dhe kadrovik, në mënyrë që të rishikohet se kush realisht është i përgatitur profesionalisht për ta ushtruar funksionin e tij.

Të gjithë në Kosovë e dinë se drejtësia këtu shitet dhe blihet, ky nuk është ndonjë sekret, kjo edhe ka prodhuar qindra e mijëra viktima, shteti i la të lirë sepse ishin në lidhje me politikanët, apo kishin aq para sa të paguanin për të qenë të lirë. Askujt nuk intereson pse ata mbesin të lirë, aq më pak që prodhojnë viktima të tjera. Mjafton që xhepi i tyre të jetë i mbushur me para. Të gjithë jemi përgjegjës për vrasjen e Marigonës, të gjithë pa përjashtim, që kemi votuar ata që na vodhën ëndrrat, disave edhe ua shuan ato përgjithmonë.

Dardani, vrasësi në këtë rast, është produkt i sistemit të kalbur të drejtësisë. Nuk është se Dardani ishte djalë i urtë, pa problem dhe për një moment iku truri dhe vrau Marigonën. Dardani publikisht postonte foto me armë, askush nuk mori masa, e gjitha lagjja ku jetonte ishte në hall, të gjithë heshtën, andaj të gjithë janë ( jemi) “vrasës” të Marigonës, e cila nuk është në mesin tonë sepse ne nuk e burgosëm një kriminel që ia mori jetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat