Njerëzit e Hashimit më kërcënojnë, gazetën “Bota sot” e urrejnë pse themi të vërtetën!

Opinione

Njerëzit e Hashimit më kërcënojnë, gazetën “Bota sot” e urrejnë pse themi të vërtetën!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 10 shtator 2021 Në ora: 14:00
Hashim Thaçi

Tanimë 26 vjet gazeta “Bota Sot” nuk është ndalë së thëni të vërtetën, për këtë gjë edhe ka paguar edhe me jetë njerëzish.

Duke pasur fatin që të jem pjesë e kësaj gazete të madhe kombëtare, kam pasur gjithnjë një synim të vetëm: të them vetëm të vërtetën.

Kështu, në linjë me politikën e gazetës “Bota Sot” jam mundur t’i qëndroj këtij parimi me fuqinë e fjalës së vërtetë.

Gazetën “Bota sot” e urrejnë, e kanë krip në sy ata që nuk janë të pastër, ata që i kanë duart me gjak dhe xhepat me para të pista.

Më ka ndodhur në disa shkrime, që kryesisht kanë pasur në qendër ata, që në emër të luftës arritën majën e pushtetit, përmes të cilit u pasuruan brenda natës, pastaj për të mbrojtur këtë pasuri ishin në gjendje të bënin çdo gjë, me kërcënime, vrasje e çfarë jo.

Janë munduar shumë herë të ndalojnë gazetën “Bota Sot” nga rruga e saj e drejtë për të thënë të vërtetën, kanë provuar të gjitha format por nuk ia dolën.

Ndonëse shumë herë kam marrë dhe vazhdimisht marr mesazhe kërcënimi nga ata që Hashimin dhe klanin “Pronto” i quajnë heroj, asgjë s’më ka ndal nga qëllimi dhe synimi im për të vërtetën.

Kjo edhe është, dhe duhet të jetë moto e secilit gazetar, mos të bëhet pjesë e asnjë klani, asnjë rryme, të jetë vetme me të vërtetën.

Gazetari ka fjalën, asgjë tjetër, ajo është forca e tij e vetëm. Një gazetar nëse humbet nga rruga e fjalës së lirë, atëherë shndërrohet në servil të pushtetit duke u zhveshur nga të gjitha obligimit që ka në këtë mision të shenjtë.

Në shkrimin tim të para ca ditëve me titull “Endrit, mos shih ëndrra, Hashimi do të rrij gjatë në Hagë”, kam marrë shumë kërcënime, forma ndryshme të presionit nga ata që cenojnë fjalën e lirë, mbrojnë me verbëri dike që i ka bërë dëme të mëdha këtij vendit.

Për më tepër janë po ata që po u preke Hashimin të vërshohen si të tërbuar. Gazetari e humb rolin e tij të shenjtë nëse nënshtrohet ndaj një grupi të caktuar të njerëzve, çfarëdo që të shkruash çdo herë do të ketë njerëz të ndryshëm që do të të kundërshtojnë, nuk mund t’ua bësh qejfin të gjithëve.

Tek e fundit nuk jam as unë dhe as “Bota Sot” për të plotësuar teket dhe qejfet e të tjerëve, apo për të rënë nën ndikim të dikujt. E vërteta dhemb, por duhet të thuhet, ajo është baza mbi të cilën një gazetari e mirëfilltë zhvillohet, kultivohet dhe mbijeton.

Ata që shajnë ditë e natë dhe mallkojnë pse “Bota Sot” ua nxjerr të palarat, janë e keqja më e madhe e këtij vendit që nga paslufta, janë po ata që kanë përfituar mbi të pavërtetën, mashtrimet, dallaveret dhe të gjitha format tjera jo të ndershme.

Këtu edhe qëndron madhështia e “Bota Sot” që asnjëherë nuk është bërë pjesë e të keqes, përkundrazi e ka luftuar atë, andaj mbetet gazeta më e madhe në trojet shqiptare dhe si e tillë do të jetojë gjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat