Autokracia në pseudodemokracinë shqiptare

Opinione

Autokracia në pseudodemokracinë shqiptare

Nga: Kolindo Vjerdha Më: 12 shtator 2021 Në ora: 18:12
Foto ilustrim

Demokracia hesht kur mbizotëron autokracia. Ky fenomen merr shtrirje më të gjerë, kur nuk prek vetëm qeverisjen, por kthehet në një sistem drejtimi duke përfshirë të gjitha hallkat. Brishtësia mbi të cilën ngrihet sistemi e kthen atë të kërcënueshëm nga rrymat që marrin drejtimin e tij. Kjo shkëputje nga themelet mbi të cilat ngrihet ndikon pozitivisht për klientelizmin vendimmarrës, por cënon thellësisht demokracinë.

Zhvillimet e fundit politike po na pasqyrojnë panoramën e një vendimmarrje vertikale që buron nga lart-poshtë dhe vendimet janë gjithmonë individuale. Partitë politike kanë prerë rrënjët nga ku buron vullneti politik duke deligjitimuar demokracinë e brendshme. “Uni” është transformuar në një mekanizëm drejtues “normal” dhe të gjithëpranuar në heshtje e ku nga ana tjetër baza është veçse një formalitet ekzistencial që shfrytëzohet dhe vetëm sakrifikon.

Ky model autokratik drejtimi përkrahet dhe zhvillohet jo vetëm nga aktorë të brendshëm, por edhe nga ndërkombëtarët. Këto të fundit nga ana tjetër e shfrytëzojnë këtë pseudosistem për të rritur ndikimin e tyre. Verdiktet që deri dje kalonin në kanalet e nëndheshme, sot kanë dalë në skenë duke perifrazuar në kornizat më të papranueshme një realitet, në të cilin shembujt po shpërfytyrohen para opinionit publik. Pagabueshmëria është abstraksion që i mveshet perëndive nëse do merrnim një këndvështrim filozofik e për sa kohë të gjithë veprojmë në këtë realitet jemi të gabueshëm.

Frika për të kundërshtuar, për t’u shprehur e mbajtur qëndrim tregon frikë ndaj vetes, ndaj kërcënimeve dhe ndaj të kaluarës. Dosjet që qarkullojnë ambasadave tregojnë marrjen peng të politikës, ku të gjithë luajnë rolin e “pupacave” të drejtuar nga një dorë përsipri. Esencialiteti qëndron në faktin se kohët e fundit, ku qëllimisht apo si pasojë e paaftësisë, “dora” po del në skenë.

Shqipëria është një shtet sovran dhe si i tillë vendimmarrja është sovrane. Interesat e popullit tonë mund të përkojnë me të një shteti tjetër ama në asnjë moment duke u kthyer në vasal të tij. Duke u ndalur këtu do kisha dashur të perifrazoj një mesazh të dhënë nga Znj. Yuri Kim në një takim të afërt me të në të cilin kam qënë pjësëmarrës, "Mos i lejoni ambasadorët të ndërhyjnë në vendin tuaj, ne në SHBA nuk e bëjmë diçka të tillë. Vendosni vetë për të ardhmen e vendit tuaj".

Partitë duhet t'i kthehen bazës dhe shteti shqiptarëve. Kur populli nuk shprehet askush nuk mund të flasë në emër tij. Ato kohë i kemi lënë pas njëherë e përgjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat