Bisedimet Kosovë – Serbi dhe ndikimi i Rusisë

Opinione

Bisedimet Kosovë – Serbi dhe ndikimi i Rusisë

Nga: Daut Kelmendi Më: 14 shtator 2021 Në ora: 16:39
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq, foto ilustrim "Bota sot"

Qysh ne fillim duhet të thuhet se bisedimet e ashtuquajtura teknike ishin një gabim i pafalshëm i Kosovës . Këto bisedime filluan pa kurrfarë plani dhe strategjie dhe pa llogaritur se çfarë dobie do te ketë Kosova në fund. Rekomandimet e qarqeve politike por edhe klerofashiste serbo - ruse e kishin këshilluar kryetarin e Serbisë Boris Tadic të fillojë çfarëdo bisedimesh në mënyrë që kjo çështje të paraqitet si çështje e pa përfunduar, pavarësisht se Serbia më në Kosovë nuk kishte as polici e as ushtri dhe ndikimin tani e kishte humbur brenda në Kosove. Këto qarqe thoshin se atë që kemi humbur në lufte do ta kthejmë në paqe.

Këto bisedime me naivitet të madh u pranuan nga Kosove pa i vë Serbisë kurrfarë kushti, bile pa insistuar që Serbia të deklaron një kërkim falje ndaj popullit të Kosovës për të gjitha të zezat që iu kishte bë.

Qarqet klerofashiste dhe shtetërore të Serbisë iu gëzuan tej mase kur Kosova i pranoi këto bisedime pa i vë Serbisë kurrfarë parakushti, sepse pas nënshkrimit të kapitullimit në Kumanovë dhe dorëzimit të Milosheviqit në Hagë kishin humbur shpresën se mund te hapin çfarëdo bisedimesh për çështjen e ardhmërisë së Kosovës pasi që Kosova e kishte shpallur pavarësinë më 2008. Serbët pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës iu drejtuan Gjykatës ndërkombëtare te drejtësisë në Hagë për të gjykuar se a është shpallja e pavarësisë së Kosovës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Kryetari i Gjykatës ndërkombëtare Hisashi Ovada pas votimit deklaroi se në bazë të vendimit të kësaj Gjykate, Kosova nuk e ka shkelë të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë. Ky deklaroi se këtë vendim e kanë sjellë me kërkesën e Serbisë por edhe të këshillit të sigurimit të OKB-së.

Në vend që Kosova të marrë këtë TAPI të Kosovës me veti në të gjitha paraqitjet ndërkombëtare ajo u futë në rrugë pa fund, duke pranuar të bisedojë me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës. Përfaqësuesit e Kosovës të cilët i pranuan këto bisedime tani po duket se ishin të shantazhuar dhe të detyruar nga shërbimet e jashtme informative me të cilët kishin bashkëpunuar si spiun të tyre e në rend të pare me DGSE-në franceze, shënim (Naim Miftari). Pas fillimit të këtyre bisedimeve u harrua vendimi i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë dhe TAPIN e Kosovës e mbuloi pluhuri dhe kjo në bisedime më nuk përmendej, por pranuan fusnotën dhe me këtë u pranua se Kosova nuk është e pavarur dhe nëpër derë të vogël u fut diskutimi politik për pavarësinë e Kosovës të cilën Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë e kishte mbyllur. Pas kësaj filloj edhe rrënimi edhe me madh i pavarësisë së Kosovës duke pranuar Zajednicën nga ana e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, bile edhe duke e votuar në Kuvendin e Kosovës e duke krijuar shtet në shtet. Ata që e kundërshtuan u rrahën, u burgosën dhe u dënuan në Gjykatat e zeza të Kosovës. Vetëvendosja e kundërshtoj këtë marrëveshje me të gjitha që pati në dispozicion por ia nuk arriti që ta ndalë këtë votim. Tani këto parti që unanimisht e votuan këtë marrëveshje kërkojnë nga Albin Kurti që ta anulojë sepse qenka e dëmshme për Kosovën. Po të jetësohet Zajednica me kompetenca ekzekutive atëherë Pavarësia e Kosovës dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të ekzistonte. Këta udhëheqës të mjerë shkuan edhe më larg në rrënimin e pavarësisë së Kosovës duke i qitur në pazare edhe kufijtë e Kosovës me marrëveshje të dhimbshme që nënkuptonte faljen e pjesës më të rëndësishme të Kosovës dhe Serbisë. Për fat të Kosovës të gjithë këta TUGJARË përfunduan ashtu si merituan, pra në plehun e historisë atje edhe ku e kishin vendin.

Tani në Kosovë kemi një garniturë intelektualësh të dijshëm të ndershëm dhe të pa korruptuar të cilët janë të gatshëm të bisedojnë me Serbinë jo për rregullimin e brendshëm të Kosovës por për njohje reciproke nëse Serbia dëshiron, nëse jo atëherë ky është problem i saj.

Shpeshherë në opinion po dëgjojmë mendime se Amerika duhet të bëjë presion në Serbinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këta që deklarojnë kështu nuk i njohin raportet Serbi - Rusi. Serbia mund të tregtojë e të bëjë marrëveshje afariste e tregtare me kë të dojë, por kur janë në pyetje çështjet madhore e strategjike si është çështja e anëtarësimit në BE dhe NATO, si dhe pranimi pavarësisë së Kosovës, këtu Serbia nuk mund të vendosë pa pëlqimin e Rusisë. Rusia në Serbi i ka nën kontroll të gjitha shërbimet informative si dhe ushtarako policore. Rusia po të dojë është në gjendje që të ndërrojë çdo udhëheqje në Serbi duke përfshirë edhe kreun e shtetit. Ambasadori i Rusisë në Beograd A. Bocan Harqenko është në fakt Guvernator i Serbisë, si pjesëtar i GRU-së ruse, ai në Ballkan i koordinon të gjitha shërbimet sekrete ruse dhe është njeriu më i besueshëm i Vladimir Putinit në Ballkan. Serbia përveç pavarësisë së Kosovës, do të pranojë të gjitha marrëveshjet tjera me Kosovën siç janë tabelat, diplomat, kadastrat e të pagjeturit. Pavarësisht presionit që i bëhet Serbisë nga SHBA-të, kjo nuk do të pranojë, sepse është çështje të cilën nuk mund të vendosë vetë pa pëlqimin e Rusisë. Për të urdhëruar Serbinë që të pranojë Kosovën, Rusia nga Amerika do të kërkojë ndonjë favor të madh apo kompensim diku tjetër. Nëse ketë e arrin Rusia, atëherë do t’i urdhërojë Serbisë që të pranojë pavarësinë e Kosovës, e të njoh shtetin e Kosovës sepse Serbia është VAZAL i Rusisë dhe kështu do të mbetet.

P. S.

Albin Kurti e këshilloj që të bëjë regjistrimin e të gjithë fëmijëve të vrarë nga soldateska serbe në Kosovë dhe në bisedimet e ardhshme t’i dorëzojë nga një kopje Borrelit, Lajçakut dhe Vuçiqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat