Serbia dhe shqiptarët e zhdukur nga forcat ushtarako-policore, pse në diplomaci çështjet humane s’janë vetëm humane

Opinione

Serbia dhe shqiptarët e zhdukur nga forcat ushtarako-policore, pse në diplomaci çështjet humane s’janë vetëm humane

Nga: Shaban Murati Më: 15 shtator 2021 Në ora: 12:09
Shaban Murati

Imagjinoni për një moment absurdin sikur qeveritë e koalicionit të madh antifashist pas Luftës së Dytë Botërore t’i kërkonin ndihmë dhe marrëveshje dypalëshe qeverisë hitleriane për të gjetur sëbashku eshtrat e të zhdukurve nga nazizmi gjatë luftës. Ndaj duket mision i pamundur që qeveria e Serbisë, me president Vuçiçin, ish-ministrin e qeverisë hitleriane të Millosheviçit, të realizojë premtimin apo marrrëveshjen, që thuhet se kanë arritur kryetarët e delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe drejtori në qeverinë e Beogradit, Petar Petkoviç, në bisedimet e tyre në 7-8 shtator në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE, Lajçak. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në datën 9 shtator, sipas “Dojçe Weles”, deklaroi se “në një moment z.Petar Petkoviç ështe pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake të Beogradit, si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK”. Qysh në raportimet e rezultatit të bisedimeve për këtë çështje humanitare nis diplomacia. Delegacioni i Kosovës flet për “pajtim”, pra rënie dakord, kurse delegacioni i Serbisë flet për “marrëveshje”, ndonëse asnjëra palë nuk publikon faksimilen e ndonjë dokumenti me firmat e tyre zyrtare. Sepse Serbia ka strategji tjetër diplomatike dhe politike nga Kosova në dialogun dhe në çështjen e të zhdukurve të luftës dhe nuk ka fare interesin e gjetjes vërtetë të të zhdukurve gjatë agresionit serb në Kosovë në vitet 1998-1999.

Strategjia e Serbisë është që Kosova të pranojë në dialogun me të statusin e provincës së varur nga Beogradi dhe jo statusin e shtetit të pavarur. Strategjia e Serbisë është që në dialog të futen njera pas tjetrës çeshtje teknike dhe ai të zgjatet pafund, pa hyrë në thelbin e duhur politik. Natyrisht pranimi i një bashkëpunimi me fjalë si palë në një pajtim apo në një marrëveshje për çështjen e të zhdukurve të luftës në Kosovë, i bën një favor të madh Serbisë, sepse i jep statusin e njëjtë agresorit dhe viktimës. Bëhen palë virtuale për “pajtim” shteti, që i ka vrarë dhe zhdukur shqiptarët dhe nuk e njeh Kosovën, dhe shteti të cilit i janë vrarë dhe zhdukur qytetarët nga forcat ushtarako-policore serbe. Çështja e të zhdukurve është një nga impaktet e agresionit serb në Kosovë dhe këto impakte janë të shumta. Siç shkruante dhe analisti Peter Jones në revistën e njohur “Harvardpolitics.com” në 11 gusht 2021: “Më shumë se dy dekada pas fushatës së Sllobodan Millosheviçit të spastrimit etnik dhe të gjenocidit, që përfshiu gadishullin ballkanik, efektet e luftës së Kosovës janë më prezente se kurrë”.

Nuk dihet se mbi çfarë baze është gjykuar që t’i kërkohet Serbisë bashkëpunimi, pajtimi dhe marrëveshja, që ajo të ndihmojë me dëshirë për të gjetur eshtrat e të zhdukurve shqiptarë, që forcat ushtarako-policore serbe vranë dhe i zhdukën gjatë agresionit të tyre në Kosovë. Nuk e di se si është vlerësuar se Serbia do të ishte kaq gjeneroze sa të tregonte se sa, se si dhe ku i ka vrarë dhe ku ndodhen varret apo lokacionet e eshtrave të të zhdukurve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Nuk e di se si është  vlerësuar se Serbia do të kishte vullnetin t’i bindej kërkesës së Kosovës dhe t’i vinte në dispozicion dokumentacionin dhe hartat e vrasjes dhe të zhdukjes së shqiptarëve nga forcat ushtarako-policore serbe.

Qeveritë serbe që nga 1999 e deri më sot nuk kanë pranuar kurrë se kanë kryer agresion ushtarak, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Udhëheqësit serbë pas mbarimit të luftës në vitin 1999, nga presidenti Koshtunica e deri te presidenti i sotëm Vuçiç, nuk kanë kërkuar kurrë falje për krimet e shtetit serb në Kosovë. Serbia mohon se ajo ka ndërmarrë operacione të rrëmbimit dhe të zhdukjes me grupe të qytetarëve shqiptarë në Kosovë. Serbia nuk ka pranuar asnjëherë që ka vrarë në agresionin e saj në vitet 1998-1999 mbi 20 mijë shqiptarë, që forcat e saj ushtarako-policore kanë përdhunuar 20 mijë gra e vajza në Kosovë, që ka zbuar me dhunë një milion shqiptarë të Kosovës nga tokat dhe shtëpitë e tyre. Ahere si mendohet se kjo Serbi e pakorigjueshme, që drejtohet nga një president, që ka qenë ministër i qeverisë kriminale që kreu agresionin në Kosovë, një Serbi që ka sot një zëvendëskryeministre, e cila ka qenë ministre e qeverinë që kreu agresionin në Kosovë, një Serbi që ka sot një kryetar parlamenti që ka qenë ministër i qeverisë që kreu agresionin, mund të pranojë kërkesën e nxjerrjes së fakteve të reja të krimit të saj shtetëror, që ka prodhuar zhdukjen e mbi 1600 shqiptarëve, që nuk janë gjetur ende. A mund të besohet se pas kaq vitesh qeveria serbe që rrëmbeu, vrau dhe zhduku në vitin 1999 filozofin dhe intelektualin e madh Ukshin Hoti do të rrëfejë tani se si e vrau dhe e zhduku atë?

Mendoj se në Prishtinë e dinë se që nga viti 2000 i largimit nga pushteti i kriminelit ndërkombëtar të luftës Milosheviç janë zbuluar në Serbi 5 varre masive me eshtrat e mbi 900 shqiptarëve të vrarë dhe të zhdukur nga forcat serbe. Por asnjëherë nuk është shpallur nga Serbia ndonjëri fajtor dhe as është dënuar ndonjë ushtarak, shef policie apo zyrtar serb për këto makabritete. Shtetit serb i duken normale dhe akte trimërie serbe varret masive të mbushura me trupat e shqiptarëve të vrarë nga ushtria dhe policia serbe. Madje qeveria serbe nderon zyrtarisht kriminelët e lartë me uniforma serbe, që ndërmorën spastrimin etnik në Kosovë në vitet 1998-1999.

Le të imagjinojmë për një moment sikur Serbia ka rënë dakord dhe ka deklaruar në bisedimet e Brukselit se do të vërë në dispozicion të autoriteteve të Prishtinës arkivat e ushtrisë, policisë dhe shërbimit të saj sekret, të cilët u implikuan në spastrimin etnik dhe në gjenocidin serb në Kosovë. Nuk mendoj se ka shqiptar që beson se vërtet Serbia do t’u hapë arkivat e krimeve dhe operacione të saj ndëshkimore kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve dhe të tregojë se kush dhe si i vranë forcat serbe ata 20 mijë shqiptarë, se kush i përdhunoi ato 20 mijë gra shqiptare, se kush dhe si e organizoi deportimin fashist të një milion shqiptarëve nga Kosova. Nuk mendoj se ka shqiptar që beson se Serbia do të tregojë dokumentet e UDB apo BIA-s, që zbulojnë se kush janë rrjetet e saj agjenturore dhe spiunët shqiptarë, që ndihmuan Serbinë në agresionin dhe në operacionet e saj ndëshkimore në Kosovë në vitet 1998-1999.

Padyshim çështja e të zhdukurve shqiptarë gjatë agresionit serb në Kosovë është një çështje e ndjeshme humane dhe një detyrë e rëndësishme shtetërore për të gjitha qeveritë në Prishtinë. Por realiteti zyrtar, politik, diplomatik, juridik, etj., ka treguar gjatë 22 viteve të mbarimit të agresionit serb dhe çlirimit të Kosovës nga ndërhyrja e NATO-s se Serbia ka të njëjtin qëndrim diskriminues ndaj Kosovës dhe e konsideron provincë të saj dhe shqiptarët si qytetarë të kategorisë së dytë dhe “njerëz të dalë nga pylli” siç i cilësoi publikisht kryeministrja e sotme serbe Ana Bernabiç. Jo larg, por para pak kohësh presidenti Serb Vuçiç u tall publikisht me çështjen e të zhdukurve shqiptarë dhe deklaroi se po pret që shqiptarët t’i tregojnë atij se ku i kanë ata varret në Serbi.

Përderisa Kosova nuk është njohur nga Serbia si shtet do të thotë se Kosovës i mungojnë instrumentet juridike ndërkombëtarë t’ia kërkojë asaj çështjen e të zhdukurve në OKB, në Interpol, në Këshillin e Europës, në OSBE, etj. Kushti i parë serioz për arritjen e trajtimit të problemeve dypalëshe është njohja reciproke si shtet, që të vendoset dialogu si raport midis dy shteteve të barabarta.

Serbinë mund ta detyronte BE që ta tregonte dokumentacionin dhe hartat e operacioneve të vrasjes dhe të zhdukjes së shqiptarëve, të cilëve nuk u dihet varri. Por burokracia diplomatike e BE me përfaqësues filoserbë si diplomati sllovak Lajçak, nuk e kanë pasur dhe as nuk e kanë predispozicionin për të vënë në lëvizje instrumentet e duhura ndërkombëtare juridike për presion ndaj Serbisë.

Çështja e të zhdukurve shqiptarë të luftës në Kosovë është një çështje e madhe humanitare. Por Serbia e ka pranuar diskutimin e saj në tryezën e Brukselit, e nisur nga qëllime diplomatike e politike dhe aspak humanitare. Serbia e ka pranuar diskutimin e saj si një çështje e brendshme serbe midis metropolit dhe provincës, e jo si çështje midis dy shteteve. Pikërisht kjo strategji serbe e sanksionimit të raportit midis metropolit dhe provincës konsiderohej nga media ruse “neëdayneës.ru” në 10 shtator si konkluzion i bisedimeve të fundit në Bruksel për çështjen e të zhdukurve të luftës. Serbia bën diplomaci në dialog në funksion të strategjisë së saj të mosnjohjes së Kosovës si shtet, dhe të sanksionimit të varësisë juridike dhe politike të Kosovës nga Serbia.

Nuk e di përse nuk kullohen në Prishtinë për këtë strategji diplomatike bizantine të Serbisë dhe pranohet statusi i papranueshëm diskriminues i imponuar nga Beogradi që zëvendëskryeministri i Kosovës zhvillon bisedime në Bruksel me drejtorin e të ashtuquajturës “Zyrë e Kosovës” në qeverinë e Serbisë, pra me njeriun që Beogradi e ka emëruar në mënyrë provokuese governator të Kosovës. Në 14 gusht 2020 kam tërhequr vëmendjen për këtë gabim diplomatik të Kosovës në dialogun e Brukselit. Kam shkruar se Kosova po bën gabim të rëndë diplomatik, duke pranuar të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë në Bruksel me përfaqësuesin serb të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, sepse ligjëron statusin e saj si krahinë, që po bisedon me governatorin e caktuar serb të Kosovës. Ajo mund të ulet me çdo ministër të qeverisë serbe për bisedime në Bruksel, por kurrsesi me një përfaqësues të “Zyrës” provokative koloniale serbe për Kosovën. Kjo nuk është vetëm simbolikë, por mbrojtje e shtetësisë së Kosovës.

Aspekt tjetër i rëndësishëm është terminologjia e përdorur, sepse në tratativat ndërkombëtare midis dy shteteve nuk mund të flitet për “pajtim apo rënie dakord në parim”, por flitet për marrëveshje. Sepse “pajtim apo rënie dakord” është fjala e dhënë në tavolinë, e cila mund të shkelet pa dalë nga dera e bisedimeve. Nuk mendoj se ka bazë të përdoret kodi i “fjalës së dhënë” me Serbinë, e cila ka shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel në nivel kryeministrash dhe presidentësh si marrëveshja e 19 prillit 2013, që kishte detyrimin e Serbisë për të mos penguar Kosovën në BE dhe në organizatat ndërkombëtare.

Çështja e gjetjes së personave të vrarë dhe të zhdukur nga forcat ushtarako-policore të shtetit agresor Serbi është e rëndësishme, por në fazën e tanishme ajo i duhet besuar Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe organizatave si BE dhe NATO. Kështu ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore. Kosova nuk ka as forcën, as instrumentet dhe as përfilljen zyrtare si shtet nga Serbia për të gjetur forma të presionit për të zbuluar të vërtetën.

Në Kosovë duhet të ndërgjegjësohen se nuk mund të vazhdohet më gjatë me bisedime teknike dhe për çështje teknike, sado sensitive qofshin, si kjo e të zhdukurve. Kosova duhet të ndërgjegjësohet dhe të vërë në qendër të bisedimeve me Serbinë në Bruksel porosinë dhe kushtin e madh të vendosur zyrtarisht nga presidenti i SHBA Biden për qendërzimin e dialogut në njohjen reciproke. Njohja reciproke si shtete të pavarura mund të hapë rrugën e diskutimit të çdo çështje, që dy shtetet kanë të hapura midis tyre.

Për t’u bërë më realiste Kosova do të bënte mirë të shihte praktikën e Kroacisë në marrëdhëniet me Serbinë lidhur me çështjen e të zhdukurve. Agresioni i Serbisë në Kroaci përfundoi katër vjet para mbarimit të agresionit serb në Kosovë. Kroacia është njohur si shtet i pavarur nga Serbia. Kroacia është anëtare e OKB, e OSBE, e Këshillit të Europës, e NATO-s dhe e BE. Por edhe sot e kësaj dite Serbia ka zvarritur dhe nuk e ka zgjidhur çështjen e të zhdukurve kroatë gjatë agresionit serb, të cilët arrijnë në 1869 vetë. Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, në një takim me organizatat kroate të veteranëve shpalli kushtin që Serbia të zgjidhë çështjen e të zhdukurve kroatë të viteve 1991-1995 para se të bashkohet me BE. Pra Kroacia, pas një pritje të stërgjatë dhe duke parë mungesën e gatishmërisë së qeverisë serbe, vendos kushtin e vetos së saj në BE, nëse Serbia nuk zgjidh çështjen e të zhdukurve kroatë. Presidenti kroat deklaroi se “Ne e dimë që fqinji ynë e di dhe duhet të dijë shumë më tepër rreth personave të zhdukur nga sa po bën tani për këtë çështje”. Pra Serbia nuk po shpreh gatishmëri për të zgjidhur çështjen e të zhdukurve me Kroacinë, e cila ka në dorë veton për hyrjen e Serbisë në BE. Dhe a mund të shpresohet se kjo lloj Serbie do të tregohet më tolerante me Kosovën, që nuk e njeh për shtet?

Realizmi diplomatik përcakton prioritetet dhe prioriteti urgjent është vendosja sa më parë e dialogut Kosovë – Serbi në qendërzimin e njohjes reciproke. Telenovela brukseliane e çështjeve teknike të dialogut pas 10 vjet bisedimesh teknike, i shërben vetëm Serbisë./DITA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat