AAK, NISMA dhe PSD do të shuhen

Opinione

AAK, NISMA dhe PSD do të shuhen

Nga: Faton Mehmeti Më: 16 shtator 2021 Në ora: 17:29
Faton Mehmeti

S’ka si të ndodh ndryshe, përveç se forcimit të taborreve të partive të mëdha, çka do të  ndikonte automatikisht në shuarjen e disa partive të  tjera, e të cilat s`kanë bazë të fortë për t’u rezistuar sfidave të kohës. Ka shumë parti të cilat janë shuar, flas jo vetëm në vendet me shumicë shqiptare, por në tërësi në Ballkan. Lidhja vetëm me një figurë politike, mungesa e hapjes për të rinjtë, mungesa e një baze të fortë, janë vetëm disa nga arsyet që shumë parti janë shuar.

Njerëzit janë të prirë të besojnë dhe të jenë pjesë e një partie që ka histori të lavdishme, që është produkt i një ndryshimi me të cilën identifikohen, mëshirohen me të. LDK është parti e ndryshimit të thellë nga sistemi komunist në atë liberal, demokratik, partia e parë anti komuniste në ish Jugosllavi. Kjo e shndërroi këtë parti në ikonë të ndryshimit.

Pavarësisht sfidave që kalon, LDK i reziston kohës, ka themele të forta. Edhe PDK është produkt i luftës së fundit, pavarësisht se ka abuzuar me luftën dhe gjatë rrugës së saj ka bërë shumë gabime (për të cilat kemi shkruar në vazhdimësi)  gjithsesi ka një histori, ka themele, ka bazë. Në këtë kuptim gjasat për tu shuar PDK janë shumë të vogla në krahasim me atë të të qëndruarit në skenën politike, vetëm nëse kjo parti nuk reformohet fare. Dhe së fundit kemi Vetëvendosjen, si parti që është produkt i dëshpërimit të qytetarëve, produkt i zhgënjimit 20 vjeçar të qytetarëve.

Kjo pra e shndërroi këtë parti në më të madhën aktualisht. VV gëzon mbështetje të madha, ka bazë, ka histori të përpjekjeve të saja, gjasat janë shumë të vogla që një parti e tillë të shuhet, natyrisht me kohë duhet bërë reforma, përmes të cilave freskohet anëtarësia dhe vihen në jetë modele të kohës.

Mirëpo, AAK s`ka histori, është parti private e Ramush Haradinajt, e cila edhe pse i ra bingo që të kishte postin e kryeministrit nuk bëri punë të mira që do të ndikonte në rritje të saj. 

Ngriti kauza të rreme për pushtet, krahas mungesës së historisë dhe abuzimit me pushtetin, kjo parti është drejt shuarjes, gjë që u konfirmua edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit.  

Pastaj NISMA, po ashtu parti lokale e Malishevës, konkretisht e Fatmir Limajt dhe kushërinjve të tij, pati fatin historik të ishte pjesë e qeverisë, ajo  çfarë prodhoi ishte krejtësisht e pritshme, abuzime me pushtetin, familjarizëm, me pak fjalë e dinte se është hera fundit që i jepej kjo mundësi dhe përfitoi. Qytetarët këtë gjë nuk e lanë pa e ndëshkuar, me Nismën që nuk mori më shumë se 2 % të votave, praktikisht ajo po mbahet në jetë me “aparat oksigjeni”. Dhe së fundi është PSD, dështim total i ca puçistëve që bënë plan për t’i bërë gropën Albin Kurtit dhe vet ranë në te. Konkurroi një herë dhe pësoi debakël, andaj më s`po guxon as të kandidojë.

Ka mbetur vetëm Dardani me katër-pesë jarana të tij dhe praktikisht PSD s’meriton të quhet as parti. Këta kanë dhënë shpirt që moti politikisht, po e gënjejnë vetën kot. Vetëm vonim se s`ka shpëtim, bashkë me AAK dhe Nismën do të shuhen edhe zyrtarisht, çështje kohe kur do të ndodh, jo larg, sigurisht. 

... 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat