Dikur Bismarcku nga Berlini dhe tani Merkel nga Tirana me vlerësime të kundërta për shqiptarët

Opinione

Dikur Bismarcku nga Berlini dhe tani Merkel nga Tirana me vlerësime të kundërta për shqiptarët

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 17 shtator 2021 Në ora: 10:50
Prof. Dr. Zija Lleshi

Atë ditë në Tiranë festonin të gjithë. Kancelarja e Gjermanisë, zonja Dr. Angela Merkel, i nderoi shqiptarët dhe e vizitoi Tiranën. Ishte rast unik dhe nder e gëzim i madh për shqiptarët ta kenë për vizitë Kancelaren e Gjermanisë, zonjën Dr. Angela Merkel, e njohur edhe si “Kancelare e çeliktë”, e që ka pasë ndikim aq të madh në zhvillimet politike në botë. Ajo kishte ardhur me një mesazh jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Në fund të mandatit të vetë si Kancelare e Gjermanisë donte të jepte një mesazh REZIME për shqiptarët, nga përvoja dhe veprimtaria politike 16 vjeçare e saj si Kancelare e Gjermanisë. Dhe këtë dëshironte dhe kishte zgjedhur ta thot mu në Tiranë. Në qendër të shqiptarëve. Pavarësisht se ku ata jetojnë dhe në prezencën e Presidentit të Serbisë, A. Vuçiq, si dhe në prezencën e liderëve tjerë pjesëmarrës të Ballkanit Perendimor, përfshirë edhe ata liderë që provokonin me projektin “Open Balkan”. Kancelarja Merkel tha se “Open Balkan” nuk është alternativë e “Procesit të Berlinit”. Kancelarja Merkel poashtu tha se “Procesi i Berlinit” është një i vetëm dhe i pazëvedësueshëm, por mund të plotësohet me projekte tjera vetëm si derivat të tij, por jo ta devijojnë atë, Duke i ftuar shtetet e Ballkanit Perendimor që të angazhohen në bashkëpunimin rajonal rreth projektit “Procesi i Berlinit”, Kancelarja Merkel u bëri me dije të gjithëve se është një epokë e re dhe përpos Shqipërisë tani edhe Kosova janë dy shtete të barabarta me shtetet tjera në Ballkan dhe shprehi vlerësimin se shqiptarët poashtu duhet të jenë të barabarët me kombet tjera të Ballkanit.

Ky mesazh për shqiptarët, i kundërt me mesazhin e Bismarckut, të kujton kohën kur Kancelari i Parë i Gjermanisë, Otto von Bismarck, në madhshtinë e tij megjithatë kishte bërë gabim të madh kognitiv në vlerësimin dhe përkufizimin e kombit shqiptar në Kongresin e Berlinit (1878), dhe ashtu u kishte lërë barrë e trashigimi tepër të rëndë pasardhësve të vetë, të cilët më vonë morën përgjegjësinë historike dhe e korrigjuan. Ky gabim shumë i madh historik i barazisë nacionale u kushtoj shumë shtrenjtë shqiptarëve për një kohë të gjatë më shumë se një shekull. Edhepse Bismarcku në fakt vetë ishte plotësisht për politikë paqësore dhe rreptësisht kundër çfarëdo dominimi të pushtetit ushtarak në vendimmarrje në politikën e jashtme si dhe ashpër kundër ekspanzionizmit të shteteve me dhunë, megjithatë Serbia, atëherë si “Pashalluk i Beogradit”, filloi hegjemoninë dhe ekspansionizmin e vetë duke keqpërdor deklaratën e Bismarckut mbi shqiptarët, konsideroi se tani ajo i ka duarët e lira pas asaj deklarate, ushtroi dhunë të egër e të pa parë, dhe me vargun e gjenocideve të njëpasnjëshme ndaj shqiptarëve e vrasjeve barabare e përndjekjeve të përgjakshme të shqiptarëve nga tokat stërgjyshore, u zgjerua kah jugu deri në kufijët e sotëm.

Këto gjenocide (edhepse është i vetëdijshëm për ato) sot kategorisht i mohon Vuçiqi, njëri ndër përgjegjësit kryesor të gjenocidit fundit e i njohur si Goebelsi i Serbisë millosheviqiane, sepse përpiqet të hjekë përgjegjësinë nacionale dhe të vetën e ta pastron historinë gjenocidale të Serbisë e kështu të ketë karshi botës pafajësi e duarët e pastra për të shkuarën në raport me shqiptarët, të ketë një “carta bianca” nga e shkuarja, dhe ashtu, në mentalitetin e vet të trashiguar gjenocidal, të ndërmerr avanturë të re ushtarake gjenocidale e të tjera gjithëfare, për të cilën çdo ditë kërcnon, përgaditet, dhe blenë armatim. Në luftë Vuçiqi e shef përparimin e Serbisë dhe nënshtrimin e tjerëve. Në luftë Vuçiqi e shef (ri)okupimin dhe (ri)kolonzimin e Kosovës ku ne veri ka pasuri të mëdha të xeheve nëntokësore.

Të gjithë e kuptuan se Kancelarja Dr. Angela Merkel në fjalimin e saj ishte e prerë dhe haptazi kundër “Open Balkan” dhe në favor të “Procesit Berlinit” si alternativë e vetme objektive në bashkpunimin e barabarët rajonal. Por në anën tjetër Kryeministri Rama, edhepse në praninë e saj e lavdëroi dhe e quajti Kancelaren Dr. Angela Merkel si largpamëse, ai atypëraty ndërroi dhe zhgënjeu, sigurisht është zhgënju edhe zonja Merkel, vetë aprovoi dhe u përcaktua, të themi në retorikën e tij, për shkurtëpamje. Në atë optikë Rama vazhdoi prap këmbëngulshëm “me të vjetrën” për “Ballkanin e Hapur” si dhe e pyeti përsëri Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, “ish të burgosurin e çelikt”, duke menduar a mos vallë “rastësisht” është penduar e nënshtruar dhe ka hjekur dorë nga konsistenca permanente e tij në parimet demokratike dhe tani dëshiron t´i bashkangjitet Ramës dhe nisjativës “Ballkani i Hapur”. Kuptohet, fitoi prerazi të njëjtën përgjigje të palëkundër, sikur atëherë në fillim kur Kryeministri A. Kurti me indignatë kishte refuzuar takimet e liderëve.

A mos vallë eshtë fajtore Kosova dhe Kryeministri A.Kurti që Mali i Zi dhe Bosna e Hercegovina e kanë hudhur poshtë atë projekt? A nuk e gjenë Rama të njëjtën përgjigje të Albinit edhe te ato dy shtete? Nëse tani “post festum” dhe pas debaklit të projetkit “Open Balkan”, Rama ka fituar idenë se Shqipëria duheka biseduar “vëllëzërisht” me Kosovën, përse nuk e bëri këtë më parë dhe në kohë të duhur? Po me Malin e Zi dhe Bosnën e Hercegovinën, si do të del z. Rama në krye? Do të dialogojë edhe me ata e të bie në pikë të zorit dhe kategorisht të mbrojë “Ballkanin e Hapur”, veprim për të cilin nuk e merr mundin, nuk shtihet e nuk rreh gjoks madje as vetë “vodja” i projektit? “Ballkani i Hapur” kuptohet vetëvetiu si “Federatë Ballkanike”, teori dhe praktikë historikisht e dështuar shumë më herët, pa pasur nevojë për këtë emërtim të tretë e të kompromituar për “Minishengenin”.

Nga ajo pyetje e z. Rama poashtu fitohet përshtypja se Kryeministri Rama përpiqej nëpërmjet Kryeministrit Kurti t´i dëshmojë sa më bindshëm besnikërinë Vuçiqit, se ja ka bërë edhe përpjekjen e fundit dhe është i përkushtuar fuqishëm idesë së “vodj-ës”, si dhe i asiston gjithmone për atë ide. Është pikërisht ajo ide të cilën e lavdëruan zyrtarët e lartë rus, dhe zëvendës ministri i punëve të jashtëme të Rusisë, Aleksander Grushko, të cilët e përkrahen dhe e vëlerësuan “Minishengenin” si një lloj “Federate Ballkanike”. Vallë, qenka teori konspirative ky vëlerësim i A. Grushkos dhe zyrtarëve tjerë rus? Sipas tyre, Serbia do të merrte vend qendror dhe do të dominonte e do të udhëhiqte me shtetet tjera të “Minishengenit”, alias “Ballkani i Hapur”, si një “Federatë Ballkanike”, ide ajo e përkrahur nga Grushko & Company, por të cilën nuk e përkrahen, e atakuan dhe e hodhën poshtë edhe Mali i Zi dhe Bosna e Hercagovina. Ku e shef z.Rama këtu teorinë konspirative?! Në fakt Serbia, pa dyshue fare në ndonjë konspiracion, nuk do të kishte asgjë kundër çfarëdo Federate në Yu të dikurshme. Serbisë i konvenon çdo Federatë. Për të njëjtën arsye: dominimi i saj në atë Federatë.

Përpos dëmit të madh të mohimit të shtetësisë së Kosovës dhe faktit të njohur që Shqipëria dhe Kosova do të kishin bilans shumë negativ tregtar, “Ballkani i Hapur” do sjellte dëmin tjetër poaq të madh sepse ashtu do të relativizohej çështja e korrupcionit dhe krimit të organizuar, kushte e standarde që duhet patjetër plotësuar çdo shtet për hyrje në BE, nuk do të kishte vullnet real politik e as nguti në veprim sepse lufta kundër atyre dukurive do t´i atakonte “peshkaqenët e mëdhenjë” që duan të koegzistonin dhe që lidershipët i mbajnë në mbrojtje afër vedi, dhe kështu do të prolongohej edhe më shumë, apo deri në pafund, hyrja në BE. Është tepër shqetësues fakti se si zoti Rama, me shumë gjasë jorastësisht, sikur edhe më parë lidhur me korrrigjim kufijësh, prapë tani me “Ballkanin e Hapur”, të dyja këto të një rëndësie kapitale e që dëmtojn shumë Kosovën, është gjetur tok me Vuçiqin, madje përkundër asaj që edhe Milo Gjukanoviq, Presidenti i Malit Zi, ka vlerësuar dhe shprehet se Vuçiqi është më i rrezikshëm se Millosheviqi. Përsëri, ku shef z. Rama këtu teori konspirative?!

Në “Procesin e Berlinit” shqiptarët trajtohen të barabartë me të gjithë kombet tjera në Ballkan (Gjermania e ka pranuar shtetin e Kosovës). “Procesi i Berlinit” e afirmon shtetësinë e Kosovës, në kundërshtim me “Ballkani i Hapur”, ku Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë (krejtësisht mjaftueshëm për të´u hedhur në pleh ky dokument!) si ide e Vuçiqit i cli e mohon shtetësinë e Kosovës dhe ka pikënisje dhe përkrahë çdo projekt që mohon këtë shtetësi. Ku shef edhe këtu zoti Rama teori konspirative?!

E nisur në Novi Sad si “Minishengen”, në Tiranë i dha Kancelarja Dr. Angela Merkel kalimthi lamtumirën e fundit “Ballkanit Hapur” dhe njëherit e rikonfirmoi se shqiptarët duhet të trajtohen e të jetojnë të lirë e të barabartë me të gjithë kombet tjera në Ballkan, siç parashef “Procesi i Berlinit”, i cili nuk “bënë të devijohet”.

Tirana në ndarje e përcolli Kancelaren Dr. Angela Merkel përzemërsisht me emocione të theksuara të dashurisë : “Auf Wiedersehen Frau Bundeskanzlerin Dr. Angela Merkel. Komm wieder. Und unsere Liebe zu Dir bleibt historisch, ewig und stählern”. (Mirëupafshim znj. Kancelare Dr. Angela Merkel. Ejani përsëri. Edhe dashuria e jonë për Ju mbetet historike, e përherëshme dhe e çeliktë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat