Një deklaratë e Bashës pa bosht

Opinione

Një deklaratë e Bashës pa bosht

Nga: Eshref Ymeri Më: 18 shtator 2021 Në ora: 07:15
Eshref Ymeri

Në deklaratën e Bashës “Nuk ka kthim pas”, të botuar sot, 17 shtator 2021, në Portalin “Fjala e Lirë”, më bëri shumë përshtypje fjalia në vijim:

“Nuk kam asgjë për t’i shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket kontributit të Sali Berishës për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Domethënë, Basha nxjerr në pah kontributin e Profesor Berishës për zhvillimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Po atëherë cila na qenkej arsyeja që Profesor Berisha duhej përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike? Sepse kështu dëshironte ambasadorja Juri Kim, e cila, sipas faqes së internetit “evropaelirë”, 30 korrik 2021, kërkonte largimin e Berishës nga grupi parlamentar?

Ne e dimë që prapa ambasadores Juri Kim qëndron Sekretari i Shtetit Blinken, i cili e shpalliBerishën “person të padëshirueshëm” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por deri tani nuk ka bërë publik asnjë fakt për afera korruptive të Berishës. Prandaj edhe Juri Kim vërtitet e vërtitet në takime me Bashën për “armatosjen” e tij kundër Berishës, por nuk po na nxjerr në shesh të mejdanit asnjë fakt konkret. Nëse faktet i ka, atëherë le t’i bëjë publike, t’i nxjerrë në sheshin e mejdanit, në mënyrë që opinioni i gjerë të sqarohet përfundimisht për drejtësinë e vendimit të Blinkenit dhe të Bashës dhe të mbajë qëndrimin e duhur ndaj Profesor Berishës.

Por në këtë mes ka diçka sa të çuditshme, aq edhe befasuese.

Në një informacion mjaft interesant, të botuar në internet më shumë se tre muaj e gjysmë më parë, thuhet:

“Në rrethet diplomatike, flitet se rreth 200 zyrtarë dhe biznesmenë të korruptuar, të lidhur me Edi Ramën, janë në listën e zezë, ndonëse emrat e tyre nuk janë bërë publike ende nga DASH... Edi Rama parashikon se edhe ai një ditë do të ketë fatin e Sali Berishës, pas largimit nga pushteti. Gjatë këtyre tetë viteve në pushtet, Edi Rama ka thyer çdo rekord korrupsioni dhe plaçkitjeje. Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e fundit për zhvillimet në Shqipëri, thotë se korrupsioni është shtrirë në çdo degë të qeverisjes së Edi Ramës.Për herë të parë, DASH ka dhënë alarmin se korrupsioni nën drejtimin e Edi Ramës tashmë është kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Nga Brukseli ka raporte po aq shqetësuese, ku Shqipëria është përfshirë në zonën e rrezikut, sa i takon pastrimit të parave të pista nga drejtorët, ministrat dhe kryebashkiakët e Edi Ramës... Në raportet ndërkombëtare për korrupsionin, Shqipëria, nën qeverisjen e Edi Ramës, listohet si vendi më i korruptuar në Evropë dhe ndër më të korruptuarat në botë” (Citohet sipas: “Pse është tmerruar Edi Rama, ka hallin e fatit të tij apo të ministrave të korruptuar?! Heshtja dhe një mesazh që paralajmëron tërmet”. Gazeta “Plisi”. Faqja e internetit “gazetaora”. 28 maj 2021).

Nga ky informacion mjaft trishtues për fatet e vendit tonë që të sëmbojnë në zemër, vetvetiu, dalin disa përfundime:

Së pari, Departamentit të Shtetit dhe Brukselit nuk i bëka fare përshtypje korrupsioni i përmasave skanadaloze të qeverisë Rama gjatë këtyre tetë vjetëve. Madje Blinkenit i bëka përshtypje korrupsioni i Berishës i shumë viteve të shkuara. Tani hajde të rrimë dhe të vrasim mendjen se cila qenka arsyeja e vërtetë e vendimit të Blinkenit kundër Berishës, korrupsioni i Berishës i viteve të shkuara, apo kritikat e tij të forta kundër Sorosit, mikut të Blinkenit dhe të Ramës?

Së dyti, sipas informacionit të mësipërm, rezulton seRama parashikuaka se edhe ai një ditë do të ketë fatin e Sali Berishës, pas largimit nga pushteti. E pabesueshme, por realitet. Domethënë, kryepushtetari te ne, që drejton një qeveri të korruptuar deri në vesh dhe që, për pasojë, e ka shndërruar vendin tonë në më të korruptuarin në Evropë dhe ndër më të korruptuarit në botë, mund të vjedhë dhe të plaçkitë sa t’i dojë qejfi sa ka pushtetin në dorë,se nuk do të ketë asnjë pasojë as nga Departamenti i Shtetit, as nga Brukseli. Pasojat Rama dashka t’i ketë,demek, pas largimit nga pushtetit!!! Po si shpjegohet që Departamenti i Shtetit që drejton Blinkeni dhe kryestrukturat e Brukselit nuk kërkojnë largimin e Ramës nga pushteti? Qytetetarët e thjeshtë të vendit tonë a kanë të drejtë të dyshojnë dhe të shtrojnë pyetjen: mos vallë korrupsioni skandaloz i Ramës dhe i qeverisë që drejton ka stërpikur edhe strukturat e larta të Brukselit, me zgjatime deri te Blinkeni? Dhe mandej Blinkeni apo pasardhësi i tij do t’u kujtuakan për ndëshkimin e Ramës për korrupsion pas largimit të tij nga pushteti? Kjo është sa për të qeshur, aq edhe për të vënë ulërimën. Sepse vjen përfundimi i vetvetishëm për qëndrimin e Perëndimit ndaj kryepushtetarit shqiptar: vidh dhe plaçkit sa të duash sa je në pushtet, se kur të largohesh nga pushteti do të mjaftohemi vetëm me një shpallje vendimi si i padëshirueshëm, se kapitalet e vjedhura nuk do të të preken kurrë.

Së treti, për dijeninë e ambasadores Juri Kim dhe të shefit të saj Blinken, Profesor Berisha ka përkrahje dhe gëzon një mbështetje të fortë në radhët e një përqindjeje të konsiderueshme bashkatdhetarësh. Ai, gjithashtu, gëzon mbështetjen e fuqishme të shumicës së bashkëkombasve tanë në Republikën e Dardanisë, sidomos pas ndërtimit të Rrugës së Kombit, e cila i vëllazëroi edhe më shumë qytetarët e dy shteteve tona. Në atë Rrugë, për fatkeqësinë tonë kombëtare, Rama ngriti trarin e tradhtisë në hyrje të tunelit të Kalimashit, duke ngjallur pakënaqësinë e shtetasve të Dardanisë, të cilët janë në mëri me Ramën jo vetëm për shkak të trarit të tradhtisë, por edhe për shkak të flirteve të tij me kriminelin e Dardanisë Vuçiç, për nismën e të ashtuquajturit Ballkan i Hapur.

Në këto kushte, vendimi i Blinkenit kundër Profesor Berishës i lë qejfmbetur me Shtetet e Bashkuara shumë bashkëkombas të të dyja shteteve tona. Një gjë e tillë është në dëm të vetë politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, të cilat, për arsyet që dihen mirë, te kombi shqiptar kanë besnikun më të madh, jo vetëm në Evropë, por edhe në mbarë botën. Hedhja në mëri e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara, ka qenë dhe vazhdon të mbetet në rendin e ditës të trekëndëshit ortodoks Beograd-Athinë Moskë. Prandaj qëndrimi i Blinkenit ndaj Profesor Berishës më sjell në kujtesë senatorin e ndjerë John McCain, i cili, që në vitin 2014, kur Blinkeni qe zgjedhur zv.Sekretar i Shtetit, pati deklaruar:

“Në këtë rast, ky individ ka qenë në të vërtetë i rrezikshëm për Amerikën dhe për të rinjtë dhe të rejat që po luftojnë dhe i shërbejnë asaj”(Citohet sipas: “Afganistani / John McCain në 2014: Blinken i rrezikshëm për SHBA”. Faqja e internetit “Syri”. 19 gusht 2021).

Tani, duke u rikthyer te Basha, dëshiroj të ritheksoj se ai, vitet e fundit, në çdo hap të jetës së tij si polikan në krye të Partisë Demokratike, e ka vërtetuar se është “tredhur” politikisht që prej takimit të fshehtë me Ramën këtu e më shumë se katër vjet të shkuara. Ai takim vazhdon të mbetet njollë e zezë në karrierën e tij politike, ai ka mbetur rob i atij takimi, është zhveshur tërësisht nga dinjiteti personal, duke mbetur pa shtyllë kurrizore. Atë e tërheq për hunde Juri Kim, e cila, me qëndrimin e saj ndaj Profesor Berishës, sipas porosive të Blinkenit, dhe me përkrahjen që i jep Ramës, të krijon përshtypjen sikur është anëtare e asamblesë së Partisë Socialiste. Vetë deklarata e Bashës që citova në fillim, dëshmon fare qartë se ai mori një vendim absurd kundër Berishës, pa u bërë fillimisht publike faktet për vendimin e Blinkenit, çka dëshmon mungesën e shtyllës kurrizore në formimin e vet.

Në mbyllje dëshiroj të theksoj se shqiptarët duhet të vetëdijëson një herë e mirë, nëse nuk dëshirojnë të shpërbëhen si komb krejtësisht, se demokracinë në trojet e tyre nuk e sjell as Vashingtoni, as Brukseli. Ata mund të merren si modele të ndërtimit të saj, por jo si “punëtor krahu” në shërbim të hapjes së rrugës drejt demokracisë shqiptare. Shqiptarët duhet “të shpërveshin mëngët” vetë dhe të ndërtojnë një shtet demokratik të tipit perëndimor, duke nxjerrë në krye të tij intelektualë të zgjedhur, me dinjitet personal dhe kombëtar. Qoftë Vashingtoni, qoftë Brukseli, nisen nga parimi hyjnor “ndihmo veten, të të ndihmoj unë”. Deri tani, sidomos këto tetë vitet e fundit, shqiptarët kanë dhënë prova boll të mjaftueshme se nuk kanë aftësi për ndërtimin e demokracisë, për vendosjen e shtetit ligjor, prandaj edhepushtetin e kanë rrëmbyer dhe po e përdorin për vetëpasurim lloj-lloj horrash politikë. Duke ndjekur qëndrimin e shumicës së shqiptarëve, që i kanë lejuar vetes të shndërrohen në mercenarë të tregut të shitblerjes së votës, Perëndimit s’i mbetet gjë tjetër, veç t’i urojë ta gëzojnë pushtetin e kryehajdutëve me nam.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat