A ekziston mundësia e shndërrimit të politikës në ves të përhershëm te disa politikanë?

Opinione

A ekziston mundësia e shndërrimit të politikës në ves të përhershëm te disa politikanë?

Nga: Adem Bytyçi Më: 18 shtator 2021 Në ora: 16:25
Adem Bytyçi

Politika shumë kujt i ka sjellë pasuri me toka, biznese dhe pasuri tjera të shumta.

Sot, njihen politikanë të cilët para luftës nuk kishin as opinga për të mbathur, dhe as pasuri të trashëguar nga paraardhësit e tyre, por me përfundimin e luftës pas kyqjes së tyre në politikë krijuan pasuri marramendëse, për të cilat edhe po të pyeten nuk e dinë as vetë se nga u kanë ardhur gjithë ato pasuri, shtëpi luksoze, villa brenda dhe jashtë vendit.

Disa nga këta politikanë lanë karrierën e tyre politike, disa për shkak të humbjes së zgjedhjeve, disa për shkak të dënimeve për keqpërdorime të ndryshme e disa të tjerë nga përjashtimi i tyre nga vetë bashkëpartiakët e tyre, për shkak të veprimtarisë së tyre destruktive në kundërshtim me interesat dhe imazhin e partisë.

Nga skena politike u larguan edhe ca nga ata të cilët privatizuan terminale doganore nga të cilat realizuan fitime të mëdha të llogaritura në miliona euro.

Të tillët edhe për shkak të moshës dhe largimit të tyre nga skena politike për shkaqe dhe arsye tipike politike, e kanë të pamundur të qëndrojnë larg politikës dhe përsëri mundohen për të gjetur qime në vezët e politikës, për t'u rikthyer përsëri dhe për ta vazhduar avazin e vjetër të tyre. Për të përfituar nga politika për vete dhe familjarët e afërt të tyre edhe pse e dinë apriori se, kjo mbetet një ëndërr e parealizueshme e tyre.

Psiko‐sociologët një ambicie të tillë të politikanëve të konsumuar për një apo tjetër arsye, për t'iu rikthyer përsëri politikës, përmes subjekteve të tyre politike apo edhe subjekteve tjera e shpjegojnë mundësinë e shndërrimit të politikës në ves të përhershëm të politikanëve, nga i cili nuk mund të çlirohen gjatë gjithë jetës edhe pse asnjëherë tjetër nuk kanë shanse për t'iu rikthyer politikës për shkaqe të theksuara më lartë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat