Refuzimi i takimeve dhe vizitave të qytetarëve nga ana e zyrtarëve shtetëror, është mashtrim dhe keqpërdorim i votës së tyre..!?

Opinione

Refuzimi i takimeve dhe vizitave të qytetarëve nga ana e zyrtarëve shtetëror, është mashtrim dhe keqpërdorim i votës së tyre..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 20 shtator 2021 Në ora: 19:03
Rexhep Elezaj

Ndoshta në shikim të parë tema e këtij shkrimi mund të duket e parëndësishme, por e vërteta rreth shkëputjes së kontakteve midis udhëheqësve politik dhe shtetëror me elektoratin, është pa asnjë dyshim, çështje vitale për çdo qytetar, sepse në çastin kur një politikan, qeveritar apo cilido nga zyrtarët shtetëror, në nivel qendror apo lokal, i ndërpret kontaktet, ua mbyllë telefonat, ua ndalon vizitat dhe komunikimin e ndërsjellë me qytetarët, thënë më sakët, me votuesit e tij/saj, është një veprim i cili nuk mund të vlerësohet ndryshe, përveç se jo civilizues, abuziv dhe antidemokratik ndaj atyre me votat e të cilëve ke ardhur në pushtet..!

Këtë e themi nisur, sidomos duke u bazuar në vlerat dhe normat demokratike evropiane, vlera të cilat në vete përfshijnë rregulla, etikë dhe respekt maksimal ndaj individit, si pjesë e shoqërisë, respektivisht si bartës themelor i sovranitetit popullor brenda një shteti, por edhe si bartës i të drejtës kushtetuese për të qenë i votuar dhe votues, pra subjekt themelor i shoqërisë që përbën njësinë e përbashkët e cila quhet shtet.

Derisa, ai apo ajo, që si individ vendosin të konkurrojnë në shoqëri me vlerat e tyre intelektuale, profesionale dhe politike, pa dyshim, se fatin e tyre e kanë të varur nga vullneti dhe votat e qytetarit, nga të cilët edhe i kërkojnë ato, e që gjatë garës zgjedhore ndërmarrin çdo veprim të mundshëm që t’i bindin ata politikisht me ndonjë program të mirë ekonomik-social, etj., për t’ua marrë votën, të cilën kur arrijnë t’ua marrin, atëherë çfarë kuptimi paska kërkimi dhe marrja e votës së tyre, poqe se në momentin kur vijnë në pozita dhe poste në qeveri dhe institucione shtetërore, i shkëpusin lidhjet, komunikimin, vizitat, bisedat dhe këmbimin e ideve të ndërsjella, pikërisht me ata të cilët i kanë sjellë në pushtet..!?

Përgjigja në këtë pyetje është e qartë, pa marrë parasysh “arsyet” që mund të dëgjohen nga “VIP-at” qeveritarë, meqenëse kudo në sistemet demokratike vlerat e njeriut, gjegjësisht të votuesve, për çdo politikan dhe pushtetar janë dhe mbeten të shenjta.

Prandaj, vazhdimi i komunikimit dhe takimeve me qytetarin votues pas mbarimit të zgjedhjeve, me ata të cilët ta kanë dhuruar besimin që t’i përfaqësosh në organet dhe institucionet e më të larta të shtetit, për çdo politikan dhe qeveritar të moralshëm duhet të jetë punë e përditshëm si dhe obligim kombëtar..!?

Se sa respektohet vota, fjala dhe kontributi i qytetarit shqiptar në Kosovë, kjo është një çështje në vete e cila kërkon hulumtim dhe analizë më të thellë nga ekspertet e fushave përkatëse që merren me këto studime, por ajo që dihet publikisht, është se pjesëmarrja e qytetarëve tanë në Kosovë në vendimmarrje, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fatin, të drejtat e tyre themelore për jetë, punë dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, është barazi me zero, për të mos thënë, nuk ekziston fare..!?

Në çdo shoqëri dhe shtet demokratik në Perëndim me sistem dhe rend shoqëror shumë-partiak, republikan apo parlamentar siç është edhe Kosova, politikanët dhe udhëheqësit shtetëror për qytetarët dhe votuesit e tyre kanë ditë, orë dhe data të caktuara kur në zyrat e tyre i presin në takim dhe biseda qytetarët, qofshin ata në poste kryeministrash, ministrash, deputetësh apo zyrtarë të rangjeve tjera shtetërore. Ngase, ndërprerja e komunikimit me bazën, siç quhen tek ne në Kosovë votuesit, paraqet akt të dëmshëm për çdo politikan dhe qeveritar, sepse është normë kushtetuese në këto vende, që shteti dhe qeveria janë në shërbim të popullit, pra të votuesit të tyre, e jo e kundërta siç ndodhë në Kosovë, ku qytetari ynë është i përjashtuar pothuajse nga gjitha proceset vendimmarrëse..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat