Mungesa e vetëdijes në forcimin e unitetit kombëtar!

Opinione

Mungesa e vetëdijes në forcimin e unitetit kombëtar!

Nga: Ismail Muqiqi Më: 22 shtator 2021 Në ora: 18:51
Ismail Muqiqi

Në kohën kur Kosova po përballet me bllokadat e rrugëve, të cilat po i organizojnë strukturat kriminale paralele të instaluara me mision kundër Shtetësisë së Kosovës e të përkrahura nga Qeveria serbe në krye me Presidentin Aleksander Vuqiq, në disa “mediume” [informative] të Shtetit të Kosovës përkatësisht në televizionet dhe portalet e ndryshme kanë filluar të bëhen kritika dhe akuza kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masave te reciprocitetit ndaj automjeteve me targat e Serbisë.

Këta persona të vetëquajtur analistë – opinionistë të cilët me vite janë instaluar në disa televizione private të cilat janë të dyshimta që nga themelimi – licencimi e deri tek politika programore janë pozicionuar kundër frymës dhe progresit të Qeverisë aktuale. Këta persona me botëkuptime të errëta me plotë xhelozi të sëmurë me vite të tëra po e helmojnë opinionin dhe po shkaktojnë përçarje në skenën politike dhe në Shoqërinë Kosovare. Në këto ditë të vështira kur qytetaret e Kosovës me shqetësim po e përcjellin situatën e sigurisë në Veri të Kosovës individët e caktuar nuk janë në gjendje që përmes deklaratave dhe opinioneve të rreshtohen pas vendimit të institucioneve të shtetit të cilat me plotë të drejtë vepruan në zbatimin e rendit dhe ligjit në bazë të kushtetutës të Republikës së Kosovës.

Mjerisht gjatë këtyre dy ditëve pata rastin të lexojë dhe të dëgjojë deklaratat të përfaqësuesve të partive politike të Serbisë dhe të institucioneve tjera, pozitë dhe opozitë, deri tek krimineli Vojislav Sheshel të cilët u rreshtuan pas vendimeve të Qeverisë në Beograd duke ju bashkuar Aleksander Vuqiqit për interesat e Serbisë së madhe. Serbia i ka bashkuar politikanet, Kishën Ortodokse opozitën dhe ish kriminelët e luftës rreth një kauze e ajo është realizimi i aspiratave për zgjerimin e territoreve. Për situatën aktuale të sigurisë në Veri të Kosovës si duket një pjesë e personave të caktuar të cilët po shesin mend përmes ekraneve televizive dhe portaleve të ndryshme nuk janë të vetëdijshëm se policët tanë janë të rrezikuar në mënyrë permanente nga bandat kriminale serbe për të cilat opinioni kosovarë dhe me gjerë përherë është i njoftuar.

Është lehtë të kritikosh apo akuzosh vendimin e një institucioni të shtetit tënd, duke pirë kafe në restauronte e kryeqytetit apo në bufet e portaleve apo televizioneve pa u skuqur fare për fatin e djemve dhe vajzave të cilët po bëjnë përpjekje t’ia kthejnë krenarin Shtetit të Kosovës. Në këtë kohë kur Kosova po përballet me kërcënime më të vrazhda nga Serbia është koha dhe momenti që të gjithë të flasim me një zë dhe ti bashkojmë forcat për ta mbrojtur territorin e Shtetit. Mendoj se në këtë situatë duhet të dëgjohet zëri dhe gatishmëria e ish komandanteve të UQK-së të cilët gjatë luftës së fundit në Kosovë morën edhe grada të gjeneralëve e tani po heshtin?!.

Ky potencial kadrovik i strukturave të ish UQK-së tani duhet të imponohet institucioneve të sigurisë sipas nevojës dhe situatës. Ngjarjet e fundit në Veri të Kosovës ishin edhe një sfidë për gazetaret të cilët me orë dhe ditë të tëra po e përcjellin situatën. Mjerisht disa ekipe të gazetareve nuk ishin të pajisura me mjete mbrojtëse e mos të flasim për logon zyrtare të misionit informativ [të gazetarit] të cilin e mbrojnë të gjitha konventat dhe rezolutat e kombeve të bashkuara.

Në fund po theksojmë se në këto situata kur rrezikohet sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk duhet të ketë opozitë apo përçarje ndërmjet rrymave politike por duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të bashkohemi rreth vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës për ta mbrojtur Lirin, Pavarësinë, Integritetin dhe Sovranitetin e Shtetit tonë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat