Heronjtë e egër të veriut

Opinione

Heronjtë e egër të veriut

Nga: Dedë Preqi Më: 23 shtator 2021 Në ora: 09:21
Dedë Preqi

Popullata serbe në veriun e Kosovës, po e dëshmon disa herë sikur edhe këto ditë, e cila nuk dëshiron të integrohet në Institucionet e shtetit të Kosovës, por po e merr përmbajtjen e një grupi të veçantë me principe e sjellje agresive, duke kundërshtuar çdo rrjedhë dhe administrim që vjen nga ligjet dhe Kushtetuta e shtetit të Kosovës.

Duke menduar se e përjetuam të gjithë realitetin e ri demokratik dhe lirinë e kërkuar shekuj me radhë, për të cilën u deshën shumë sakrifica dhe u derdh shumë gjak deri në luftën e fundit 1999, për të shpëtuar në një mënyrë edhe nga kthetrat e fundit të Serbisë fashiste.

Mirëpo, kjo nuk është e tëra, situata e cila po e tensionon sot vendin tonë përmes disa grupeve serbe në veriun e Mitrovicës, gjegjësisht në Jarinjë dhe Bërnjak, do të ishte më shumë se një grup i bandave të porositura nga Vuçiqi dhe Beogradi, të cilët kanë plane dhe programe të veçanta për të destabilizuar Kosovën, dhe rajonin.

Që nga paslufta në këtë pjesë të Kosovës, që banohet me shumicën e popullatës serbe, pothuaj se shumë pak dhe fare janë përfillur ligjet dhe Kushtetuta e shtetit të Kosovës. Në këtë pjesë të vendit bëhen edhe tregti të ndryshme në mënyrë të pa ligjshme dhe ilegale, ku punohet dhe veprohet akoma përmes strukturave paralele, të cilat dirigjohen nga Beogradi dhe Vuçiqi, në mesin e të cilëve ka edhe kriminel të luftës së fundit në Kosovë.

Protestat e secilës shoqëri njerëzore janë kërkesa dhe forma të drejta, por protestat e organizuara në kuptimin absolut të kundërshtimeve të shtetit ligjor, sikur këto protesta të serbëve me bllokada në rrugë, jo që e kanë vetëm domethënien e kundërshtimit të targave të Republikës së Kosovës, por në një mënyrë Aleksandër Vuçiq, po i shfrytëzon në çdo kohë këta njerëz për ta destabilizuar Kosovën, edhe përmes Listës serbe, në krye me Goran Rakiçin, i cili në këto momente po i kërkon Vuçiqit, forca ndihmëse, me një domethënie ndërhyrëse.

Ndonëse është ditur se çka do të ndodh me fatin e këtij populli në veri të vendit, sepse edhe pse NATO-, i largoj forcat e Serbisë prej kufijve të Kosovës, në pjesën veriore të Mitrovicës, pothuaj se mbetën një grup i madh kriminelësh serb, të cilët u strehuan në këtë vend, dhe tani këta njerëz po i keqpërdor dhe po i shfrytëzon pa mëshirshëm politika e Beogradit dhe Vuçiqi, duke ua dhënë edhe epitetin « heronj» të veriut.

Dhe në këtë mënyrë pjesa veriore e Mitrovicës, sikur mbeti në një gjendje kaotike, ku gjithçka organizohet jashtë ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, edhe pse janë qytetarë të këtij shteti, udhëzimet dhe këshillat vijnë nga Beogradi, në një mënyrë kjo ide dhe ky veprim do i shpie serbët e veriut në një iluzion mashtrues, gjë që çdo vëzhguesi dhe analisti të kujdesshëm do i duket tipike me imazhin e kohës së Millosheviqit, i cili po në këtë mënyrë i frymëzonte dhe mashtronte popullin e vet, përderisa e futi edhe në luftë, të cilën e pagoi edhe vetë në rrethana misterioze dhe jo të mira.

Prandaj, në këto rrethana Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti, me plot të drejtë dhe në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit, ndërmerr masa të reciprocitetit me targat e komunikacionit ndaj Serbisë, përmes të cilave nuk tregohet injorancë dhe kundërshtim ndaj popullit serb, por po zbatohen marrëveshjet e parapara në mes dy vendeve dhe dy shteteve të barabarta.

Protestat kundërshtuese dhe me barrikada që kanë organizuar popullata serbe në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, duke penguar edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, po t’ua dëshironte Vuçiqi, të mirën këtij populli serb, do i inkurajonte dhe jepte këshilla të tjera, por jo edhe duke i nxitë në veprime të tilla dhe duke i përkrah me mesazhe të frymës patriotike, si një popull i pa prekshëm dhe të drejtat e këtij populli duhet të respektohen edhe pse janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Një gjendje të tillë duhet ta merr parasysh edhe Evropa, me ç’rast në kompleksitetin e kësaj situate mund të eskalohet dhe ndodhin gjëra të pa pritura, mirëpo shteti dhe ligjet e shtetit të Kosovës, me vendosmërinë për të vënë në veprim ligjet e veta nuk duhet të hidhen poshtë, dhe nëse Evropa do të rri duar kryq dhe bënë sikur nuk do të ndodhte asgjë, dhe shpeshherë duke anuar, jo vetëm nga i forti, por nga agresori, në një mënyrë marrëdhëniet dhe paqja në mes këtyre dy etniteteve kurrë nuk do të realizohet.

Qëndrimet e Qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, qëndrime të cilave mund ti bashkëngjitet çdo qytetar që ka ndjenja atdhetare ndaj Kosovës dhe popullit të saj, edhe pse nuk e kanë fare përkrahjen e opozitës, përditë e më shumë janë duke marrë formën e kuptimit të mirëfilltë të shtetit funksional, kjo të ngjallë edhe një ndjenjë krenarie dhe respekti për vetë shtetin e Kosovës, që nënkupton mundësinë e zhvillimit dhe të ndërtimit të këtij vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat