Racizmi anti-shqiptar i Aleksandër Vuçiq i mbështetur nga rilindasit e Tiranës!

Opinione

Racizmi anti-shqiptar i Aleksandër Vuçiq i mbështetur nga rilindasit e Tiranës!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 23 shtator 2021 Në ora: 11:37
Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një debati me politikanë autokratë të Evropës në Budapest, e ka quajtur Albin Kurtin "qibritxhi"! Me siguri ka dashur të thotë se luan lojën e tre qibritëve, ku në njërën prej tyre fshihet një kokërr. Por kjo është loja e njerëzve, që Vuçiq i konsideron si të dorës së tretë. Pa dashur të fyej askënd, në mendjen e Vuçiq Albin Kurti është "jevg", "rom", e gjithçka tjetër, përveçse evropian dhe lider modern jo.

Duket se në personin e Vuçiq rritet dhe zhvillohet instikti dhe subkoshienca e urrejtjes dhe hakmarrjes ndaj shqiptareve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Sipas presidentit të Serbisë, shqiptarët, madje udhëheqësit e tyre, janë "njerëz me bisht", siç i ka përshkruar ish-kryeministri serb i fillimit të shekullit XX, Vladan Gjorgjeviç. Për Beogradin shqiptarët janë "dru me pre", pra qymyrxhij. Dhe jo rastësisht ata e përdorin bukë-pjekjen me qymyr si simbolikën e profesionit të shqiptarëve. Por metafora është përtej këtij profesioni. Ajo shkon te përçudnimi racor dhe fashist i shqiptarëve. Në këtë kontekst Vuçiq përdor gjithashtu fjalën qibritxhi.

Dhe nëse ndjekim historikun e shfaqjes raciste të Aleksandër Vuçiq, atëherë kujtojmë shumë e shumë gjëra të tjera. Më i spikaturi është përdorimi fyes i emërtimit të Kosovës si "Kosovo-Metohi", madje një përdorim i sanksionuar në kushtetutën e Serbisë. Edhe kjo të kujton jo aq Milosheviçin, sa Aleksandër Rankoviçin! Ndërkaq vetë presidenti i Serbisë e kishte shfaqur racizmin e tij edhe në rastin kur ai nisi trenin e tij për ta çuar në Mitrovicë dhe u detyrua ta ndalonte në Rashkë. Asokohe pati thënë se po e çonte trenin në Mitrovicë, sepse shqiptarët nuk kanë parë tren me sy! Kësisoj ai i krahasonte shqiptarët me indianët, afrikanët dhe popuj të tjerë jo evropianë, njëjtë siç i quante Gjorgjeviç si "lëkurëkuqtë e Evropës"!

Në këtë atmosferë raciste zhvillohet në Serbi tifozllëku në futboll dhe sporte të tjera. Në stadiumet e Serbisë bëhet thirrje "Vriteni shqiptarin që kroati të mbetet pa vëlla"! Ndërkohë që për kryeministrin e Shqipërisë vëllai më i dashur është dhe mbetet racisti dhe fashisti anti-shqiptar, Aleksandër Vuçiq! Për Vuçiq dhe serbët në përgjithësi, Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Shaqiri, Xhafa e shumë personalitete botërore të artit, muzikës dhe sportit me origjinë nga Kosova, janë të huaj e të panjohur. Atyre u grisen posterët e reklamave në Beograd e kudo në Serbi. Sepse i përkasin "një race tjetër", racës së shqiptarëve, të cilën Vuçiq dhe shumë serbë e përbuzin.

Në këtë lloj skenari u paraqit presidenti i Serbisë në Budapest para dy ditësh. Ai e konsideroi praninë e forcave policore të Kosovës në Jarinjë e Bërnjak si akt fashist të "qibritxhiut", Albin Kurti. Ndërkohë që në shpirtin e tij rron dhe herë pas here zgjohet sentimenti fashist anti-shqiptar. Fashizmi dhe racizmi nuk lidhen me patriotizmin, por me ideologjinë e asaj që Vuçiq, Vulin e të tjerë e quajnë "bashkimi i botës serbe", pra me konceptet ultranacionaliste. Bota dhe Evropa duhet të mësojnë se në krye të shtetit të Serbisë drejton një model lideri i mbushur me urrejtje dhe i etur për hakmarrje bazuar në ideologjinë fashiste të racizmit. Ky është Aleksandër Vuçiq.

Ndërsa ne shqiptarët duhet të dimë se ky Aleksandër Vuçiq gjen mbështetje te ekstremistët e majtë e të djathtë të Evropës si dhe te njerëzit e afërt të kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë. Gazeta Tema dhe botuesi i saj, Mero Baze, shumë të afërt me Edi Ramën, e quanin vendosjen e reciprocitetit për targat dhe prezencën e policisë së Kosovës në veri si akt të njëjtë me veprimet e Milosheviçit në Kosovë. Ndërkohë që e etiketonin Albin Kurtin si "fashist"! Shumë njerëz të afërt të Rilindjes e të angazhuar në forume të ndryshme politike të saj, në vend që ta mbrojnë aksionin politik e policor për vendosjen e reciprocitetit në përdorimin e targave, e kanë kritikuar ashpër aktin e zotit Kurti. Po jap vetëm një shembull, por të tillë gjenden me shumicë në portalet dhe adresat elektronike të këtyre eksponentëve.

Juxhin Çela është një nga drejtuesit kryesorë të Forumit Rinor të Partisë Socialiste. Ai ka shkruar me dhjetëra statuse kundër qeverisë së Kosovës dhe veprimeve të policisë në veri të vendit. Në to dominon mentaliteti dhe propaganda për ndarjen e Kosovës. Ja çfarë shkruante me datën 21 shtator në llogarinë e tij të Twitterit: Qeveria e Kosovës me dërgimin e autoriteteve të veta "në veri ku banojnë serbët, që s'e ka bërë asnjëherë, do përballet me mosbindje nga serbët e ndikuar prej Beogradit dhe kjo mund të nxis cenim të paqes, sigurisë, ky është FAKT! Vetëm ndarja e Kosovës me baza etnike do sjell mbylljen finale të çdo burimi"!

Më pas, në të njëjtën datë ky Juxhin Çela shkruan se "Ne s'duam që serbët e ardhur nga Beogradi të shkojnë të armatosur në Preshevë për të zbatuar autoritetin e një shteti që shqiptarët aty se duan. Nga ana tjetër refuzojmë të kuptojmë se është e gabuar të dërgohen shqiptarë me armë nga Prishtina në zonat e civilëve serbë në veri"! Dhe nuk po citoj më shumë se kaq, as të tjerë kalemxhinj dhe sahanlëpirës të ideve dhe projekteve të Beogradit. Ndër më të dalluarit mbetet Baton Haxhiu edhe në këtë rast. Shqiptarët serbo-filë i njeh thjesht nga përdorimi i fjalës "Prishtinë" në vend të fjalës "Kosovë". Ata e mënjanojnë gjithnjë këtë të dytën, duke imituar presidentin serb Aleksandër Vuçiq!

Duke shënuar këto deklarime të sinkronizuara (Te Rilindja asgjë nuk thuhet kot, asgjë nuk nxitet pa një synim të caktuar) duhet të kuptojmë se ato i shkojnë në ndihmë presidentit të Serbisë dhe qeverisë së këtij vendi në pretendimet kundër Kosovës dhe kundër kryeministrit të saj. Në thelb edhe rilindasit po e etiketojnë Albin Kurtin si "fashist"! Po e kritikojnë atë për dërgimin e policisë për ruajtjen e rendit në territorin e shtetit të tij. Njësoj si Aleksandër Vuçiq, madje me më shumë agresivitet dhe përpjekje për të provuar se "Vuçiq ka të drejtë në racizmin anti-shqiptar të tij dhe Albin Kurti po sillet si fashist"! Fatkeqësisht të njëjtën gjë bëjnë edhe disa "rilindas" në Prishtinë!

Aferim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat