Arroganca e sjelljet e dhunshme të punëtorëve të sigurimit në Aeroportin “Adem Jashari” në Sllatinë

Opinione

Arroganca e sjelljet e dhunshme të punëtorëve të sigurimit në Aeroportin “Adem Jashari” në Sllatinë

Nga: Bardh M. Nengurra Më: 26 shtator 2021 Në ora: 23:19
Aeroporti “Adem Jashari”

Para se të filloj këtë shkrim po përdor thëniet e popullit tonë; gjysmë hoxha të lë pa iman dhe gjysmë mësuesi të bën analfabet me diplomë.

Nga paslufta në Kosovë janë punësuar njerëz pa asnjë kriter, ka mjaftuar me qenë militant i partive të Krahut të Luftës e shumë herë edhe i LDK-së apo familjar i tyre për ta zënë një vend pune për të cilin vend aspak nuk të ka pyet kush se a ke përgatitje profesionale, a ke njohuri dhe aftësi për t’i kryer punët dhe detyrat ashtu si i parasheh ligji dhe rregullorja e punës.

Me plotë përgjegjësi e them se sot nëpër zyrat e ndryshme të tërë Kosovës i ke mbi 95 % të analfabetëve, njerëz të gjymtë për ta kryer punën e vetë për të cilën janë aty dhe për të cilën ata paguhen nga buxheti i shtetit.

Unë si mërgimtarë udhëtoj shumë rrallë me aeroplan, por ato pak raste që kam udhëtuar kam observuar se sa arrogant, sa të dhunshëm dhe të pakarakter janë shumica e punëtorëve të aeroportit tonë në Sllatinë. Pra e them shumica, nuk e them se janë të gjithë.

Po fillojë me përshkrimin e përjetimit tim me 11 gusht 2021 kur bashkë me bashkëshorten time të sëmurë me aftësi të kufizuara udhëtova nga Sllatina për Oslo. Sipas orarit aeroplani duhej të nisej në ora 21:15 andaj sipas rregullave duhej të isha në aeroport tri orë përpara. Përkundër faktit që kur kisha paguar biletën e kisha shënuar se më duhet asistencë për bashkëshorten, kur mbërrina në aeroport , lashë familjarin që na solli nga Istogu aty bashkë me gruan në parking dhe vetë shkova për të kërkuar ndihmën për asistencë. Nuk më foli kush, pasi pyeta disa punëtorë të aeroportit njëri më tha se te sporteli nr.1. ka karrocë dhe mund ta marr një e të shërbehem me të. Ashtu veprova, familjari që na solli aty u detyrua të parkojë veturën dhe ai m’i mbajti valixhet deri te hyrja ndërsa unë e shtyja karrocën me gruan time. Për shkak të masave për COVID, u detyrova me e fut gruan brenda, për ta lënë atë aty dhe të dalë jashtë t’i marr valixhet. Pasi kjo u krye, pashë se personeli që duhej ta bënte pranimin e valixheve është prezent, shkova dhe e luta, a ka mundësi ta fus bagazhin dhe t’i kem duart e lira ta shtyj karrocën me gruan time? Jo nuk bën më tha ai kapadai. Valixhet do t’i pranojmë nga ora 19.00. Po mirë ore zotëri, po kuptoj, por pse atëherë më shkruan se duhet me ardhë këtu më së voni tri orë përpara?!

Nuk më intereson se çka të shkruan në bileta, unë këtu vendosi vetë. S’kisha çka bëj, u largova dhe shkova pranë karrocës së gruas dhe vendosa të pres edhe një orë derisa ta dorëzoj bagazhin. Duhej të qëndroja në këmbë sepse ulësët i kishin hequr shkaku i Covidit. Por pas pak vjen e më afrohet një burrë punëtor i aeroportit dhe më përshëndet përzemërsisht dhe më pyet se për ku po udhëtoj? Për Oslo i them unë. Po pse nuk po e përcjell bagazhin që t’i kesh duart e lira për t’u kujdesur për zonjën? Pyeta, i them unë, por nuk m’i pranoi ai burri atje dhe i tregoj me dorë cili ishte ai. Më prit pak të lutem, më thotë punëtori dhe shkon e bisedon me atë kolegun e vet që me arrogancë më refuzoi pak më parë. Ai arroganti u skuq dhe uli kokën, ndërsa ky burri më ftoi ta dorëzoj bagazhin dhe me uroi rrugë të mbarë. Ky ishte përjetimi im me personelin e sigurimit në Aeroport në sportelin nr. 19 me 11 gusht 2021 në orën 18.15 minuta.

Sot më 26 shtator 2021 sapo u zgjova mora telefonin që ta thërras fqinjin tim z.S. I. nga Prapashtica por me vendbanim këtu në Sarpsborg të Norvegjisë që 30 vjet. Miku im S. I. me 22. shtator 2021 kishte shkuar në Prishtinë për ta shoqëruar (pasi për të ishte udhëtimi i parë jashtë Kosovës dhe me aeroplan) nga atje deri në Norvegji të fejuarën e djalit të vetë. Paraprakisht kishte paguar biletat për kthim me 25 shtator me aeroplanin që udhëton nga Sllatina në ora 21.15 për Oslo për veti dhe për nusen e djalit. Mirëpo përsëri ndodh arroganca dhe veprimet idioteske të personelit ku bëhet pranimi dhe kontrolli i udhëtarëve. Kur dorëzon bagazhin gjithçka ishte në rregull, por kur shkojnë vetë me hy brenda, dalin telashet.

Telashet dalin pa asnjë arsye, pa asnjë bazë dhe pasojat e sjelljeve të poshtra, të papërgjegjshme të personelit të sigurisë në Aeroport të Sllatinës janë të përditshme dhe të zakonshme sa që ata që udhëtojnë shpesh me aeroplan janë tashmë të familjarizuar me to dhe nuk ju bëjnë përshtypje fare. Mirëpo rasti i mikut tim S. I. dhe nuses së djalit të tij më detyrojë ta bëjë këtë shkrim si reagim në sjelljet e tepruara me kërkesa të paarsyeshme dhe të panevojshme. Shkaku pse reja nuk është lejuar të udhëtojë për Oslo është se ajo ka pas vërtetimin si dëshmi se ka qenë e sëmurë me virusin COVID dhe se ka marrë vaksinën kundër virusit, por që personeli mjekësor kur e ka shkruar vërtetimin në gjuhën angleze ka harruar të shënojë datat kur kjo ka qenë me virus dhe kur e ka marrë vaksinën. Aspak nuk është marrë për bazë as dëshmia e kryer para disa orëve e testit Covid që ka qenë dëshmi se është e shëndoshë dhe nuk është pozitive me virus. Shkaku i gabimit që ka bërë personeli mjekësor kur ka lëshuar vërtetimin, vajzës së re i ndërpritet udhëtimi për te i dashuri i saj dhe personeli i sigurimit në Aeroport as që merr mundin ta përdorë sadopak logjikën, me pa se viza e udhëtares është valide për 30 ditë, dhe se moslejimi i saj për të udhëtuar për një shkak të parëndësishëm fare asaj ja shkurton ditët e validitetit të vizës. E them se ishte shkak i parëndësishëm sepse virusi COVID nuk ka dal para 40 vjetëve, por tash sapo u bën dy vite. Në tërë botën mjekësia praktikon që personat që kanë pas virusin tek pasi kalojnë 3 muaj mund të vaksinohen me vaksinën anticovid. Dhe ata vaksinohen me vetëm një dozë të vaksinës. Tash kur miku im S. I. dhe reja e tij kanë provuar të shpjegojnë te personeli i sigurisë pse ata aspak nuk kanë përdorë logjikën dhe nëse kanë pas sado pak njohuri për virusin dhe vaksinat ata asnjëherë nuk kanë pas të drejtë të pengojnë udhëtimin e vajzës. Ata punëtor arrogant duhet të ndëshkohen nga eprorët e vetë për keq sjellje, për shkaktim të dëmit të udhëtares, dhe dëmi është emocional dhe mund ta dëmtojë shëndetin e njeriut edhe ekonomik pasi pasagjerja është dëmtuar materialisht për çmimin e biletave që janë djeg shkaku i pengesës së udhëtimit dhe pastaj për shumën që është dashur të paguaajnë për biletat tjera me vonesë një javë që do thotë se edhe është dëmtuar për kohën që UDI-ja (departamenti i imigracionit në Norvegji ) ja ka lejuar vizitën asaj te i fejuari i saj. Pra, sjelljet arrogante e rrugaçëria e punëtorit (punëtorëve) të sigurimit pa pas asnjë arsye dhe bazë ligjore ka dëmtuar rëndë një vajzë të re në udhëtimin e saj të parë për te i dashuri i saj.

Në fillim të shkrimit përdora dy thënie të popullit tonë dhe arsyeja pse i përdora është se përderisa neve do kemi në vende pune njerëz që se kanë as më të voglën aftësi as njohuri për detyrat që duhet me t’i kryejnë, populli dhe publiku gjithmonë do kenë telashe dhe pasoja që shpesh mund të jenë edhe fatale.

Në rastin e S.I. dhe nuses së djalit të tij, punëtori i sigurimit nuk e ka lejuar udhëtimin duke u thirrur në rregulloret që (sipas tij) i ka Norvegjia në kohën e pandemisë. Por ai i papunëtor dhe i panjerëzi ka rrejtur sepse pikërisht dje nga ora 16.00 Mbretëria e Norvegjisë i ka heq të gjitha masat dhe ndalesat që ishin në fuqi për shkak të virusit Covid 19. As pas 5 orëve të heqjes së masave në Norvegji, një rrugaç, një analfabet dhe arrogant nuk lejon udhëtimin e një të reje për në Norvegji të i dashuri i saj.

Uroj që këso veprimesh më kurrë mos të ndodhin në Aeroportin e Atdheut tonë.

Sarpsborg: 26.09.2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat