Albin Kurti, armiku më i madh i Serbisë!

Opinione

Albin Kurti, armiku më i madh i Serbisë!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 27 shtator 2021 Në ora: 14:33
Albin Kurti

Tanimë u bë një javë që kur qeveria e Kosovës vendosi reciprocitetin me Serbinë, i cili ka ngritur tensionet në mes të dy shteteve. Në fakt, një gjë e tillë ka qenë e paralajmëruar qysh moti nga kryeministri Kurti, e cila kaloi në heshtje. Tanimë kur vendosmëria e qeverisë Kurti është e madhe, në anën tjetër Serbia provokon situatën, përfaqësuesit nga BE dhe NATO kanë filluar të bëjnë presion tek të dy palët.

Këtë të diel, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka biseduar në telefon me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i kontaktuar nga ky i fundit. Stoltenberg, i cili bisedoi edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, tha se folën për situatën shqetësuese në veri të Kosovës.

Duke tentuar të loz rolin e viktimës, Vuçiq, pas bisedës, e quajti “pushtim” prezencën e forcave speciale të Policisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë, ndërsa tha se Serbia s’ka nevojë ta pyes askënd për avionët ushtarakë që përshkuan qiellin mbi pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Si qenka pushtim të jesh në territorin tënd, mos ka qenë i dehur Vuçiqi se ndryshe s`mund të shpjegohet. Është mësuar Vuçiqi me Hashimin e Isën duke u tallur sa herë që ka dashur, tani është dikush tjetër në qeveri, e me të cilin besa nuk e ka hiç lehtë.

Ledhatimi i Serbisë nga BE ka qenë në vazhdimësi, ka prodhuar këtë situatë të tanishme. Nëse Serbia nuk do të kishte mbështetje, e vetme s`do të kishte guxim të neglizhonte të gjitha marrëveshjet e nënshkruara. Me pa të drejtë, krahason Kosovën dhe Serbinë si faktor që mund të “depërshkallëzojnë pa kushte situatën në terren” për më tepër duke i bërë thirrje të tërheq menjëherë Njësinë Speciale të Kosovës. Duket se z.Borrell ka harruar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, si e tillë ka të gjithë të drejtën e saj legjitime të mbikëqyr pikat e saja kufitare, të vë edhe sanksione edhe të gjitha që ia lejon hapësira e saj e brendshme shtetërore. Derisa, Serbia po synon që të zbatojë planin e saj me Rusinë, që ka të bëjë me aneksimin e Veriut, BE nuk e ka parasysh mbrojtjen nga projekti fashist serb për “Serbinë e madhe”, duke ia vënë peshoren e fajësisë të dy shteteve edhe atë që të bën zullum në shtëpinë tënde dhe atij që e mbron shtëpinë e vet.

Andaj, pavarësisht presioneve që mund të vinë, kryesisht nga ata që Serbinë gjithnjë e kanë ledhatuar, një lider i vërtetë nuk lëshon pe nga e drejta, në veçanti kur bëhet fjalë për dikë që e ka dëshmuar veten shumë herë se nuk i respekton marrëveshjet. Albin Kurti duhet të heq reciprocitetin vetëm nëse garant për të del SHBA në këmbim të zotimit të Serbisë se do zbatojë në tërësi marrëveshjen për targat. Vetëm garantimi i SHBA-së duhet marrë parasysh nga qeveria, kurse sa i përket BE-së, nuk duhet besuar në asnjë lloj zotimi të saj. Pikërisht kjo BE lojale ndaj Serbisë e ka lazdruar aq shumë sa rrezikon edhe luftë, për të cilën edhe po provokon vazhdimisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat